28 qershor ‘i nxehtë’ për Kuvendin e Kosovës - Bota Sot
28 qershor ‘i nxehtë’ për Kuvendin e Kosovës

Aktuale

E hënë, 23 korrik 2018

28 qershor ‘i nxehtë’ për Kuvendin e Kosovës

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 14:36
Mbledhja e Kryesisë

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, përcaktoi agjendën e punës së Kuvendit për dy javët e ardhshme. Këshut bënë të ditur zyra për informim e Kuvendit, sepse pas mbledhjes, askush nga kryesia nuk është deklaruar për media.

Kryesia vendosi që të enjten, më 28 qershor, në orën 10:00, Kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, në të cilët pritet të shqyrtojë në të dy leximet Projektligjin për dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Në orën 12:00, ndërkaq, në të njëjtën ditë, do të vazhdojnë punimet e seancës plenare me pikat e papërfunduara më 6, 8 dhe 14 qershor 2018, përkatësisht votimet për propozim-rezolutat për tri interpelanca të kryeministrit Ramush Haradinaj: në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës, në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës, si dhe atë për vendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante dhe subvencione.

Më pas, do të vazhdojë seanca me pikat e papërfunduara më 14 dhe 19 qershor 2018.

Deputetët pritet të votojnë Propozim-rezolutën nga interpelanca e ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në lidhje me zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) për kuartalin e katërt (K4) 2017 dhe kuartalin e parë (K1) 2018, si dhe për katër projektligje në parim: Projektligjin për aktet juridike, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat personale, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në vlerën e shtuar.

Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për miniera dhe minerale.

Seanca do të vazhdojë me votimin e katër raporteve për vitin 2017: raportit vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, raportit vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, si dhe raportin vjetor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Kuvendi do të vazhdojë punimet me shqyrtimin e propozimit për formimin e Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me emërimet e shërbyeseve të lartë civilë në Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës dhe atë në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018.

Seanca pritet të përfundojë me debatin parlamentar në lidhje me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test