I akuzuari Vukotiq: Asnjëherë nuk kam qenë në fshatin Studime - Bota Sot
I akuzuari Vukotiq: Asnjëherë nuk kam qenë në fshatin Studime

Aktuale

E mërkurë, 22 gusht 2018

I akuzuari Vukotiq: Asnjëherë nuk kam qenë në fshatin Studime

Më: 23 maj 2018 Në ora: 19:18
Aktgjykimi lidhur me këtë aktakuzë ka mbetur të shpallet më 29 maj.

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës sot ka dhënë fjalën përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit për krime lufte Zoran Vukotiq, avokati Nebojsha Vlajiq, si dhe vetë i akuzuari.

Në fillim te fjalës se tij përfundimtare Vlajiq ka shprehur keqardhje për familjet dhe qytetarët për atë se çfarë kishte ndodhur në vitin 1999 duke iu referuar ndodhive në Vushtrri dhe fshatrat përreth.

“Dëgjimi i dëshmive të disa dëshmitarëve ishte tejet e dhimbshme. Për këtë arsye ky gjykim duhet t’iu përgjigjet kërkesave të viktimave për drejtësi dhe të vërtetën. Por, pastaj edhe i pandehuri këtu ka të drejtën e njëjtë. Drejtësia nuk nënkupton kryerjen e procedurave pa prova, dënim pa dëshmi dhe dhënien e shpresës së rreme për viktimat që atyre t’u jepet kënaqësia“, u shpreh Vlajiq.

Gjatë këtij gjykimi janë dëgjuar 28 dëshmitarë.

Kurse duke iu referuar dëgjimit të dëshmitarëve të cilët i kishte propozuar mbrojtja dhe prezenca e të cilëve nuk u bë e mundur të sigurohej në Gjykatë për shkak të mosardhjes së tyre, Vlajiq u shpreh se ata nuk kishin pasur guximin të vinin në Gjykatë duke u frikësuar se vetë mund të arrestoheshin dhe të akuzoheshin.

Në vazhdim të fjalës së tij përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit përmendi edhe disa tituj  të shtypit shqiptar, duke thënë se Vukotiq ishte shpallur kriminel lufte edhe para se të mbahej gjykimi.

“Shtypi shqiptar dhe stacionet televizive kanë shpallur të pandehurin Zoran Vukotiq një kriminel lufte për të cilin gjyqi nuk është i nevojshëm, para se gjykimi madje edhe të fillonte. Duhet që dikush vetëm të shohë titujt e tre artikujve të gazetave që i kam parashtruar në Gjykatë dhe gjithçka do të bëhet e qartë, ndërsa ka mijëra artikuj të tillë“, tha Vlajiq.

Sipas avokatit, që nga koha kur ishte arrestuar i akuzuari Zoran Vuktiq ishin bërë publikime nga mediat lidhur me procedurat penale që janë duke u kryer në mënyrë të paautorizuar dhe të njëanshme.

Tutje Vlajiq në fjalën e tij dhënë para kësaj Gjykate ka dhënë edhe vërejtjet e tij lidhur me disa nga dëshmitë, të cilat i kishin dhënë dëshmitarët gjatë seancave gjyqësore.

Po ashtu, vërejtje nga ana e mbrojtjes u bënë edhe për identifikimin që kishin bërë dëshmitarët e dëgjuar gjatë rrjedhës së këtij gjykimi.

Lidhur me burgun e Smrekonicës mbrojtja nuk e ka kundërshtuar ligjërisht këtë pjesë të aktakuzës lidhur me klasifikimin e veprës penale, por e ka kundërshtuar atë në aspektin faktik.

Sa i përket veprës penale në pikën tre të aktakuzës Vlajiq tha se klasifikimi ligjor i veprës penale ishte i gabuar dhe i ekzagjeruar për shkak se kjo vepër penale sipas tij nuk i plotëson kërkesat për t’u klasifikuar si një krim lufte.

Ndërsa lidhur me vrasjet e përmendura në pikën 1 tha së padyshim se ato janë krime lufte por se Vukotiq nuk kishte të bënte fare me to.

Kurse sa për kushtet në burgun e Smrekonicës Vlajiq tha se ato kanë mundur të mos i plotësonin standardet e të drejtave të njeriut apo të drejtës humanitare në fuqi në kohë lufte, por i akuzuari Vukotiq thuhet se ka qenë roje burgu dhe nuk ishte përgjegjës për atë.

Ndërkaq duke elaboruar fjalën e tij Vlajiq tha se lidhur me kushtet e tjera si tualeti, numri i njerëzve në dhoma, sasia dhe cilësia e ushqimit nuk vareshin nga një roje burgu por se sipas tij ajo ka qenë nën përgjegjësinë e administratës.

Kurse sa i përket rrahjeve në burg, Vlajiq tha se shumë nga dëshmitarët nuk ishin rrahur, ndërsa edhe ata të cilët ishin rrahur e kishin përjetuar këtë vetëm një herë.

Sipas Vlajiq asnjë roje burgu nuk mund të mbahet përgjegjës për këto kushte, duke shtuar se asnjë vrasje nuk është bërë në burgun e Smrekoncës, askush nuk u gjymtua, askush nuk u bë person me aftësi të kufizuara dhe askush nuk u torturua seksualisht.

Duke iu referuar goditjes me shuplaka të cilën e kishin përmendur disa nga dëshmitarët tha se sado e dhimbshme, fyese e poshtëruese nuk është aq e fortë sa të klasifikohet si një krim lufte.

Ndërsa lidhur me trajtimin çnjerëzor tha së ashtu siç nuk kishte pasur torturë gjithashtu nuk kishte pasur trajtim çnjerëzor.

Vlajiq shtoi se Vukotiq nuk mund të akuzohet as për vrasjen e një djali të paidentifikuar 14 – vjeçar, një djalë që askush nuk e di se kush ishte, pavarësisht nëse ai ishte vërtet një 14 vjeçar, nuk kishte një identifikim post–mortem, një analizë të ADN-së ose diçka të ngjashme.

Gjithnjë sipas Vlajiq nuk kishte asnjë dokument mjekësor si dëshmi por as nuk ishte kryer asnjë ekspertizë mjekësore për të konstatuar shkallën e dhimbje apo vuajtjes së përjetuar nga palët e dëmtuara.

Kurse pas përfundimit të fjalës përfundimtare nga ana e avokatit Vlajiq edhe prokurori Poul Flynn dha një replikë lidhur me atë se çfarë tha avokati.

Prokurori u shpreh të jetë i befasuar me atë se si mbrojtja është munduar që ta zhvendos fokusin e veprimeve të të pandehurit dhe bën gjykimin e dëshmitarëve.

“Ky është një rast klasik kur mbrojtja nuk ka asgjë për te paraqitur për mbrojtjen e tij. Kjo mbrojtje përpiqet që ta zhvendos fokusin nga veprimet e të pandehurit, në vend se ta bëjë gjykimin e të akuzuarit ai bën gjykimin e dëshmitarëve. Në fjalën përfundimtare prokurori e ka pranuar se ka mospërputhje në deklaratat e dëshmitarëve, e po ashtu në fjalën e tij ka cekur arsyet se pse mund te paraqiten mospërputhjet e tilla në mesi e tyre janë cekur edhe ngjarje që kanë qenë mjaft dramatike për ata, e po ashtu edhe kalimi i kohës”, tha Flynn.

Ndërsa sa i përket asaj se çfarë tha Vlajiq lidhur me publikimet e mediave prokurori Flynn deklaroi se kjo nuk ka pasur ndonjë efekt negativ.

“Mund ta pranojmë se ka pasur mbulim të gjerë nga mediat lidhur me këtë rast. Me shumë respekt mund të them se kjo nuk ka pasur ndonjë efekt negativ“, u shpreh Flynn.

Kurse në përpjekjen e avokatit Vlajiq për ta bërë dallimin në mes torturës dhe trajtimit çnjerëzor, prokurori Flynn ia rikujtoi trupi gjykues se edhe pse nuk kishte pasur dokumentacione për të provuar ato rrahje për të qenë me e lehte për trupin gjykues, në fjalën e tij përfundimtare kishte cekur se duke marrë parasysh dëshmitë që i kishin bërë dëshmitarët kishte arsye të besojë se ata kanë përjetuar dhe kanë vuajtur shumë edhe fizikisht edhe mendërisht. “Imagjino nëse jeni në një radhë ku jeni duke pritur që ta pësosh, të rrahesh nga dikush, dhe imagjino se çfarë vuajtjesh shpirtërore do të kenë vuajtur ata“, tha ai.

“E shoh përpjekjen e Vlajiq për të bërë dallimin në mes torturës dhe trajtimit çnjerëzor mirëpo me lejoni t’ju siguroj por Prokuroria beson se kjo ka qenë torturë dhe i ka të gjitha elementet që Prokuroria i ka cekur në fjalën e saj përfundimtare, beson se të paktën se nëse një trajtim i tillë nuk plotëson të gjitha elementet qe ajo të trajtohet si torturë atëherë i plotëson të gjitha elementet që ajo të cilësohet trajtim çnjerëzor“, tha në fund prokurori Flynn.

Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), i akuzuari Zoran Vukotiq në mes të datave 2 dhe 3 maj 1999, në kapacitetin e tij si zyrtar policor rezervist nga stacioni policor në Vushtrri, në bashkëpunim me persona të tjerë nga radhët e forcave serbe, ka marrë pjesë në sulmin ndaj popullatës civile shqiptare e cila po udhëtonte në kolonë nga fshati Studime e Poshtme në Studime të Epërme.

Në vazhdim të aktakuzës thuhet se gjatë kësaj kohe, popullata civile në mënyrë të qëllimshme u është nënshtruar vrasjeve brutale  dhe të paligjshme, trajtimit johuman, vuajtjeve të pafundme, dëbimit si dhe aplikimit të masave të terrorit.

Bazuar në aktakuzë  në mesin e këtyre civilëve të vrarë, plagosur dhe të trajtuar në mënyrë johumane për çfarë i pandehuri Zoran Vukotiq mban përgjegjësi, janë, Ekrem Mullaku, Xhavit Mullaku, Fatmir (Ahmet) Gërxhaliu, Eshref Rashica, Adnan Bunjaku, Rrahmon Ademi, një 14 vjeçar i paindentifikuar, Haki Ademi, Shaip Gërxhaliu,  Musa Gërxhaliu, Bajram Gërxhaliu, Bahrije Gërxhaliu dhe Avdi Gërxhaliu.

Ai gjithashtu akuzohet se në periudhën maj deri në fillim të qershorit 1999, si një rezervist në stacionin policor në Vushtrri, si një roje burgu, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në paraburgimin e paligjshëm të një numri të madh të civilëve shqiptarë në burgun e Smrekonicës në rajonin e Mitrovicës, gjatë së cilës periudhë këta civilë iu ekspozuan qëllimisht trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të mëdha, torturave dhe rrahjeve për të cilat i akuzuari Zoran Vukotiq mban përgjegjësi personalisht.

Kurse i akuzuari Vukotiq gjatë dhënies së mbrojtjes së tij deklaroi se asnjëherë nuk kishte qenë në Studime.

“Nuk kam qenë asnjëherë në Studime as para as gjatë dhe as pas bombardimeve. Hera e parë që e kam parë se ku ndodhet Studimja ka qenë dita kur prokurori e paraqiti këtu hartën dhe me gisht tregoi se ku ndodhet. Sa i përket burgut të Smrekonicës dëshmitarët kanë dëshmuar për rrahjen e njerëzve derisa muzika ka qenë duke luajtur dhe ka pasur grill në atë mënyrë ata donin që të ngritin paralele dhe ta bënin burgun e Smrekonices të barabartë me kampet famëkeqe“, u shpreh Vukotiq.

Aktgjykimi lidhur me këtë aktakuzë ka mbetur të shpallet më 29 maj.

Kurse javën e kaluar në ketë Gjykatë ishte shpallur aktgjykimi lirues ndaj Zoran Vukotiq lidhur me tri pikat e aktakuzës, të cilat e ngarkonin të akuzuarin për vrasjen e katër shqiptarëve në qytetin e Vushtrrisë./kallxo

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test