Rrëfen Anton Quni: Agim Ramadani ishte FARK, ja ku i dërgoi UÇK-ja dy ushtarakë serbë që i zuri robër në Koshare

Aktuale

Rrëfen Anton Quni: Agim Ramadani ishte FARK, ja ku i dërgoi UÇK-ja dy ushtarakë serbë që i zuri robër në Koshare

Më: 12 prill 2018 Në ora: 06:16
Anton Quni dhe Agim Ramadani

Sipas Anton Qunit, protagonist i betejës së Koshares, një prej udhëheqësve më të lartë të UÇK-së në këtë betejë, Agim Ramadani, merrte urdhra nga Ahmet Krasniqi, që në atë kohë ishte ministër i Ministrisë së Brendshme, dhe jo nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së.

Në Interaktiv, Quni ka kujtuar përplasjet mes FARK-ut dhe UÇK-së. Ai ka thënë se nuk e kupton përse bashkëluftëtarët “e mohojnë faktin se kanë ekzistuar dy organizime ushtarake, një nga Ministria e Mbrojtjes, që udhëhiqej nga koloneli Ahmet Krasniqi dhe më pas nga kolonel Halil Bicaj dhe një e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së”.

“Në nivelet më të larta relacionet kanë pas marrëveshje për bashkëpunim, për zhvillime të operacioneve, për përdorimin e resurseve e fondeve, por ka pasur edhe momente kur nuk kanë pas komunikime deri në momentet kur situatat kanë eskaluar edhe duke e gjuajtur njëri-tjetrin si pengues të proceseve për çlirimin e Kosovës. Për ne ushtarakët, ishte ndryshe, ne ishim përballë realitetit tjetër dhe s’kishim komplekse cilit formacion ushtarak i përkisnim. Aty ku ishim të vendosur ishin disa baza, disa qendra ushtarake, disa lokacione, ku koordinonim veprimet dhe pavarësisht bindjeve politike e gjithfarë dallimesh, rezultoi me sukses. Beteja e Koshares ishte meritë e djemve dhe vajzave anekënd trojeve shqiptare e nga diaspora. Ata vinin përmes mobilizimit i cili bëhej përmes dy adresat, edhe nga ministria edhe nga shtabi. Lokacioni i tyre përfundimtar ishte brigada jonë. Nuk i pyesnim fare për bindjet e tyre politike, për preferencat e tyre. Kryesore ishte që ne e kishim të njëjtën emblemë. S’ka qenë fare prioritet çështja e liderëve më të lartë ushtarakë”, është shprehur Quni.

Ai ka thënë se dëshmori Agim Ramadani ka marrë përgjegjësitë e luftës nga ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Ahmet Krasniqi.

“Ideja e kolonelit Ahmet Krasniqi ishte që UÇK-ja të ishte ndër komponentet e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Jo të gjitha njësitë e UÇK-së u futën në këto urdhra. Forcat e armatosura të Kosovës ishin të mobilizuara dhe u ngritën në nivelin operacional. Janë brigada 131, 134, batalioni diversant-vëzhgues që e kam udhëheq unë, ka njësi në Suharekë, në regjionin e Karadakut, që ishin nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes. Detyrën e kam marrë nga Krasniqi. Raportimet ia kam bë drejtpërdrejtë atij dhe jo shtabit të UCK-së. S’kam qenë i detyruar të raportoj te shtabi. Agim Ramadani është ngarkuar me detyrë dhe ka marrë përgjegjësitë nga Ahmet Krasniqi”, ka thënë Quni.

Ku i dërgoi UÇK-ja dy ushtarakë serbë që i zuri robër në Koshare

Anton Quni, një nga protagonistët e betejës së Koshares, ka kujtuar momente nga përballja me forcat ushtarake serbe.

Ai ka treguar se gjatë luftimeve, UÇK-ja kishte arritur të kapte robër dy ushtarakë serbë. Këta ka treguar se UÇK-ja i ka shkëmbyer me katër ushtarakë amerikanë.

“Kohë pas kohe u kemi bërë thirrje të dorëzohen. Kanë pas një paragjykim se ne nuk do të sillemi sipas konventave për robër. Në një situatë është zënë rob një ushtar i trajnuar dhe i përgatitur për operacione komando. Ka pas të kryer përgatitjet ushtarake. I dyti ishte ushtari në shërbim. Të dytë nëpërmjet njësive tona përgjegjëse, janë trajtuar, janë marrë shënimet aq sa lejohet. Kemi marrë informata për moralin e ushtarëve serbë, për arritjet e tyre, si e shohin nga pozicioni i tyre forcën tonë, si i kanë humbjet, si i bëjnë ndërrimet, si i kanë organizimet. S’ka pas nevojë fare as për dhunë as për me ngrit zërin. Të gjitha që i kanë ditë na i kanë treguar dhe ne i kemi përdor për të zhvilluar operacionet. Këta robër lufte u janë dorëzuar Shqipërisë në Kukës, e më pas tek autoritetet e ushtrisë amerikane. Aq sa kam informata kanë qenë të izoluar në një bazë ushtarake amerikane diku në regjionin e Frankfurtit dhe pas luftës përmes një kleri fetar janë shkëmbyer në Suboticë me katër ushtarë amerikanë që ishin zënë robër lufte në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë. U janë kthyer familjeve të veta”, ka shpjeguar Quni.

Sa i përket betejës së Koshares në përgjithësi, Quni ka thënë se aty u shkaktua një prej humbjeve më të mëdha të Serbisë. Ai ka thënë se Serbia e pranon humbjen në këtë betejë madje edhe duke e quajtur “ferri i Koshares”, por shton se suksesi i atribuohet forcave të huaja dhe jo UÇK-së. Kjo, sipas Qunit, nuk ekziston.

“Nga turpi që ta arsyetojnë humbjen ata nuk ia lënë meritat djemve dhe vajzave të Kosovës, por meritat për humbjet ua lënë njësive të specializuara të partnerëve tanë të NATO-s e Amerikës, duke u thirrur se në këtë betejë kanë marrë pjesë eprorë të lartë të njësive të huaja. Aty ka pas të huaj, por ishin njerëz të udhëhequr nga ideali i tyre. Kanë qenë 16 ushtarakë të huaj, disa pa përvoja fare ushtarake. Disa me njohuri të ndryshme. Sidoqoftë jemi mirënjohës ndaj tyre, por nuk kanë qenë determinues për suksesin e brigadës”, ka shtuar Quni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat