Kuvendi shndërrohet në arenë përplasjesh verbale e fizike

Aktuale

Kuvendi shndërrohet në arenë përplasjesh verbale e fizike

Më: 17 mars 2018 Në ora: 16:18
Përleshja në Kuvend

Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës edhe pas gjashtë muaj konstituimi nuk po mund ta marrë vetën. Kjo legjislaturë as për së afërmi nuk është në nivel të përgjegjësive, duke qenë se për këtë kohë ka miratuar vetëm tetë ligje, derisa, salla plenare është shndërruar në arenë fyerjesh, akuzash, përplasjesh verbale, e deri tek ato fizike.

E fundit ishte seanca e së premtes, kur në interpelancë ishte kryeministri Ramush Haradinaj për rastin Dehari, të kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Mirëpo, nuk shkoi ashtu siç duhet, pasi përpos përplasjeve verbale, pati edhe konfrontime gati fizike mes deputetëve të Vetëvendosjes dhe atyre të PDK-së.

Kjo erdhi pasi fjalën e mori ish-ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, të cilën deputetët e VV-së, e quajtën kriminele, çka shtyri reagimin e deputetëve të PDK-së, të cilët më pas gati sa nuk u rrahën me ata të VV-së.

Pas kësaj, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke u munduar ta qetësojë situatën, tha se debati për vrasjen e Astrit Deharit, nuk meriton një epilog, siç po duan ta sjellin punën. Për tema tjera, Haradinaj tha mund të bëjnë çka të duan, por jo me këtë rast.

Haradinaj:  E drejta për Astritin nuk meriton këso epilogësh

“Mendojë që ne e nderuam si Parlament, si Qeveri jo veç dhimbjen por edhe të drejtën për Astritin, dhe nuk mendojë një epilog ky debat kështu siç po duam ta sjellim punën ashtu siç po duam, ka raste tjera për tema tjera, çka të doni po bëjmë, por në këtë temë mos se nuk është në rregull. Ka shumë dimensione pse nuk duhet edhe ju luta edhe më herët përkraheni Qeverinë që ti kryej ato detyra që ka për një të vërtetë. Nuk e dimë ajo e vërtetë çka është, edhe ju luta po ashtu që ta bëjmë njëfarë konsensusi në fund të fundit në çka duam të koritemi, gjejmë ndonjë temë çka të doni po bëjmë, por nuk është rendi sot kështu, besoni”, tha Haradinaj.

Të dështuar dhe jo efikas e quajnë punën e kësaj legjislature në këta gjashtë muaj, monitoruesit e punës së Kuvendit.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, thotë se kjo legjislaturë ka miratuar vetëm 8 ligje deri më tani, që tregon për një efikasitet tejet të dobët. Madje, ai thotë se është përsëritje e legjislaturës së pestë, mos edhe më keq.

Murati: Kuvendi miratoi vetëm 8 ligje për gjashtë muaj

“Fatkeqësisht ajo çka kemi parë në këta muajt e parë të kësaj legjislature është një tendencë e njëjtë e punës dhe vazhdimësi e bllokadës dhe mos efikasitet të punës së Kuvendit. Nëse flasim me shifra, Kuvendi deri me tani ka miratuar vetëm 8 ligje në Kuvend dhe ka një numër të ulët të seancave, madje edhe kur ato po mbahen jemi duke parë që po thuaj asnjë herë një seancë plenare nuk mund të kryhet në të njëjtën ditë për faktin se ka shumë pika të rendit të ditës që po futen në seancë dhe për shkak të mos efikasitetit të punës së deputetëve këto nuk po mund të kryhen”, tha Murati.

Pos efikasitetit të dobët, në këtë legjislaturë po shihen edhe skena të përplasjes verbale, gati edhe në fizike, sikurse ishte ajo në seancën e së premtes, kur gati u rrahën fizikisht deputetët e VV-së dhe ata të PDK-së.

Murati thotë se aktualisht Kosova është në një situatë politike të një polarizimi të mëtutjeshëm të subjekteve politike, e cila po vazhdon edhe në legjislaturën e gjashtë, sikurse ishte edhe në atë të pestën.

Murati: Sjelljet e disa deputetëve janë jo parlamentare

“Për më tepër ne kemi parë që ka edhe një lloj armiqësie ta quaj mes deputetëve që deri dje ishin në një rup parlamentar mes VV-së dhe Grupit të Deputetëve të Pavarur. Mirëpo ajo çka ndodhi dje është një skenë fatkeqësisht e përsëritur e disa problemeve që kanë pasur grupi parlamentar i VV-së me atë të PDK-së. Pikë së pari, mendoj që Kuvendi nuk po bënë mirë që vazhdimisht po trajton në seancë edhe çështje të gjyqësisë, apo raste që gjyqësia do duhej të merrej. Jemi plotësisht të vetëdijshëm që edhe rasti i Astrit Deharit, duhet të zgjidhet dhe t’i jepet një epilog, mirëpo nuk e di sa do të zgjidhet përmes diskutimeve në Kuvend. Në anën tjetër edhe sjelljet që po i shohim nga grupet parlamentare, nga deputetë të caktuar në seancë janë sjellje jo parlamentare dhe shumë të dëmshme”, theksoi Murati.

Përpos përplasjeve verabele, një përplasje fizike mes deputetëve të PDK-së e VV-së kishte ndodhur edhe në legjislaturat e kaluara, kur ish deputetët Florin Krasniqi dhe tani deputeti Rexhep Selimi, ishin rrahur fizikisht me ish deputetin e PDK-së, Latif Gashin dhe deputetin aktual, Bekim Haxhiu, madje ky i fundit i kishte akuzuar se e kishin rrahur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat