Përplasje në Kuvend Haradinaj e Hoti, Xhavit Haliti ia ndalon fjalën Pacollit - Bota Sot
Përplasje në Kuvend Haradinaj e Hoti, Xhavit Haliti ia ndalon fjalën Pacollit

Aktuale

E shtunë, 22 shtator 2018

Përplasje në Kuvend Haradinaj e Hoti, Xhavit Haliti ia ndalon fjalën Pacollit

Më: 7 mars 2018 Në ora: 07:29

(E plotësuar) - Me 61 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka miratuar rekomandimet e dala nga debati për përjashtimin e AKA-së nga EQAR-i.

Propozuesi  Avdullah Hoti, ka lexuar rekomandimet që kanë dalë nga debati.

Rekomandimet janë:

 Brenda afatit të ankimimit të ndërmerren të gjitha vendimet e duhura për ta kthyer AKA-n si anëtare e rregullt në EQAR;

Ministri të raportojë në Kuvend për arsyet e shkarkimit të bordit duke ofruar informata për komisionin funksional në raportim me dyer të mbyllura nëse është e nevojshme dhe veprimet që janë ndërmarrë ndaj ish anëtarëve të bordit për shkelje të pretenduara që mund t’i kenë bërë ata;

 Ministri të tërheq nga Kuvendi për verifikim propozim vendimin për anëtarë të bordit? Në afatin prej shtatë ditësh një ekip pune i përbërë nga ekspertë të arsimit, përfaqësues të Ministrisë, përfaqësues të organizatave që monitorojnë punën e ministrisë të përgatis udhëzimin administrativ që do të përcaktoj kritere dhe procedura transparente për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit;

 Bazuar në këtë udhëzim lista e anëtarëve të Bordit të procedohet në Kuvend për miratim;

Kuvendi obligohet që brenda dhjetë ditësh nga dita e propozim-vendimit të Qeverisë ta fus në rend dite për miratim;

 Kuvendi i rekomandon ministrit të filloj hartimin e një projektligji të ri për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë i cili siguron pavarësinë e Agjencisë.

Haliti-deputetes së Vetëvendosjes: Mos bëni thirrje për luftë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i ka ndërprerë fjalën deputetes së Vetëvendosjes Fitore Pacollit.

Deputetja Pacolli gjatë fjalimit të saj në seancën e jashtëzakonshme për përjashtimin e Kosovës nga EQAR ka folur se si pushteti e ka kap shtetin. Sipas saj të gjitha pushtetet deri më sot zgjodhën rrugën e shkatërrimit.

 Pacolli nga foltorja e Kuvendit ka bërë thirrje për protesta nga ana e studentëve.

Pacollit, fjalimin ia  ka ndalur nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti. AI thotë se nuk lejon që nga Kuvendi të bëhen thirrje të tilla.

Me këtë rast Haliti  ka thënë se  Vetëvendosje e ka djegë Parlamentin e Kosovës.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se lista që e kanë sjellë me emra për anëtarë të bordit të AKA-së është më e mira dhe me persona apolitik, ani pse ndoshta nuk është me e qëlluara.

Ai ka shpjeguar se të diplomuarit në programet e akredituara sipas shefit të EQAR, nuk do të kenë probleme për njohjen nga universitetet botërore, derisa ato që akreditohen tash e tutje derisa AKA nuk është anëtare e EQAR, atëherë mund të paraqiten probleme me njohjen e tyre.

Bytyqi: Lista nuk ka njerëz politik

 “Ajo çka mund t’iu them sot, ne kemi bërë përzgjedhjen e listës sipas Ligjit për Arsimin e Lartë. Ministri ka kërkuar që personat që duhet të propozohen në këtë listë të jenë apolitik. Dhe, iu kisha lutur, lista ka qenë publike, nuk po dua ta mbroj këtë listë, sepse ne vet kemi kërkuar transparencë sepse nuk kemi asnjë lidhje emocionale me këtë listë, për ne është që të jetë lista më e pavarur. Nuk them që është lista më e qëlluar, që ka qenë e propozuar, por së paku jemi munduar që lista të mos jetë politike. . Dhe ju që e keni lexuar listën, ma thoni se ky person është person që mbanë post politik unë do ta jap një përgjigje. Por kemi një listë që përmban njerëz profesional, njerëz kredibil, por që nuk janë njerëz politik. Kemi kërkuar që kjo listë të verifikohet, kemi kërkuar që ta ndalim këtë listë, jemi të hapur që gjithsecili mendon që ka mundës të jap në verifikimin e kësaj list e ne jemi të gatshëm të diskutojmë”, u shpreh Bytyqi.

Një debat në Kuvend që është thirrur nga partitë opozitare në lidhje me përjashtimin e Kosovës nga EQAR është duke vazhduar nga deputetët e Kosovës.

****

Debati për përjashtimin e Kosovës nga EQAR po vazhdon në Kuvendin e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se beson që përgjithësisht mësuesit kosovarë janë të ndërgjegjshëm dhe se punën e kryejnë me nder, por duke e "ngacmuar" Milaim Zekën.

“Unë mendoj që shumica e mësuesve në Kosovë janë të ndërgjegjshëm dhe e kryejnë punën me nder. Por mund të ketë edhe ndonjë tjetër. Për shembull si mësuesi i Milaimit (Zekës), i cili ia ka vënë dysh. Është dashur ta ngelte. Sepse Milaimi kështu duke marrë dysha ka ardhur në Kuvendin e Kosovës”

Këtë deklaratë ai e ka bërë duke u nisur nga ajo e kolegut të tij deputet, Milaim Zeka, që paraprakisht shtroi çështjen e mësuesve që mund të mos e kryejnë punën siç duhet.

Me këtë rast Konjufca ironizoi me Zekën, duke i thënë se megjithëse beson që shumica e mësuesve janë njerëz që e kryejnë punën me dinjitet, ai i Milaim Zekës ka gabuar rëndë kur nuk e ka ngelur, por i ka vënë notë kaluese.

“Unë mendoj që shumica e mësuesve në Kosovë janë të ndërgjegjshëm dhe e kryejnë punën me nder. Por mund të ketë edhe ndonjë tjetër. Për shembull si mësuesi i Milaimit (Zekës), i cili ia ka vënë dysh. Është dashur ta ngelte. Sepse Milaimi kështu duke marrë dysha ka ardhur në Kuvendin e Kosovës”.

Hoti: Haradinaj e ka hallin të karrigia e tij

Kryetari i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka replikuar ndaj kritikave të kryeministrit, duke thënë se Ramush Haradinaj e ka hallin tek karrigia e tij, pasi LDK-ja është partia më e madhe në vend.

Hoti: Haradinaj e ka hallin të karrigia e tij

“Ai e ka hallin në LDK-në. LDK-ja është partia më e madhe në vend dhe ditët e tij në atë karrige janë të numëruara, këtu e ka hallin ai, nuk e ka hallin pse grupi parlamentar dhe Avdullahi po kërkojnë interpelanca dhe ky sot është debat sa për informimin e tij. Ai nuk mundet me fjalime të tilla të zhvendos të emra të përveçëm, por është ftuar për veprimet e tij që e kanë sjellë Kosovën, e kanë përjashtuar Kosovën nga një mekanizëm i rëndësishëm”, tha Hoti.

Haradinaj e quan Blerim Rexhën hajn ordiner

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se më shumë është bërë problem shkarkimi i anëtarëve të bordit të AKA-së se sa të shkarkohej Kuvendi.

Ai e ka quajtur ish-kreun e Bordit të AKA-së, Blerim Rexhën hajn ordiner, derisa kritikoi ashpër partitë se janë bërë bashkë ta mbrojnë një agjenci, duke i akuzuar ato se “mos iu ka dhënë Rexha para të gjithëve”.

Haradinaj: Blerim Rexha është hajn ordiner

“Blerim Rexha që po flisni për të, është hajn ordiner, pse është hajn ordiner Blerim Rexha po ju tregoj unë. USAID-i u tërheq prej Agjencisë së Mirëbesimit u quajt atëherë, kanë thënë sa të është ky njeri në bord nuk rrimë në bord se është i korruptuar, këtë e dinë krejt Kosova, nëse nuk iu mjafton kjo pyesni amerikanët, pyesni AKP-në. Pse po shitni moral të rrejshëm, nëse doni të bëni lojëra dyfytyrësha bëjmë burra kur doni e sa të doni, ju kam thënë edhe më herët, nuk i kam dy fytyra, një e kam. Pse s’po keni guxim qytetar të kallëzoni këtë, kjo është e vërteta, pyetni Blerim Rexhën. Atëherë nuk është quajtur AKP, por është quajtur KTA, e kanë lëshuar amerikanët dhe kanë thënë sa të është ky njeri këtu nuk rrimë ne. Pse se është i korruptuar, ia kanë rrejtur ata atëherë e ky ka qëndruar. Pse po ju dhemb pse është shkarkuar një njeri, nëse është kah ju mungon profiti a paret që iu kanà « dhënë një njeri i korruptuar. Po duket iu paska dhanë krejt partive, se krejt qenkeni bërë bashkë, me Vetëvendosje, me PDK, me Nisma, me LDK, krejt ta mbroni një agjenci. Ku është problemi juaj, s’po ju kuptoj”, tha Haradinaj.

Haradinaj: Mos bëni lojëra të dyfishta, nuk i kam dy fytyra

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur me tone të ashpra në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se qeveria që ai drejton nuk e ka në agjendë të lë studentët pa diploma, ndërsa u ka bërë thirrje deputetëve që të mos i marrin “fëmijët tanë në qafë”.

“Mos bëni lojëra të dyfishta, nuk i kam dy fytyra, por një e kam”, ka thënë Haradinaj, duke iu referuar kritikave të një pjese të deputetëve lidhur me shkarkimin e Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, si pasojë e së cilës kjo e fundit u përjashtua nga EQAR.

Bytyqi: Vendimi për shkarkim mund të quhet i ngutshëm

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se ardhja e tij në krye të Ministrisë së Arsimit, e gjeti këtë dikaster me shumë probleme të mëdha të cilat janë grumbulluar me vite të tëra.

Ai gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës vuri në pah se në MASHT kanë ardhur me një mision të vështirë në të mirë të arsimit në Kosovë.

Image
Shyqiri Bytyqi

Bytyçi: Kemi nisur një mision të gjatë dhe të mundimshëm

“Një sistem parauniversitar që lenë shumë për të dëshiruar, këtë e ka vërtetuar edhe testi PISA 2015. Një sistem të arsimit të lartë që vështirë të nxirret një përfundim se si funksionon, me numër të madh të universiteteve publike me politizim të skajshëm. Me numër enorm të kolegjeve private, me numër të studentëve për kokë banori të renditur diku lartë në renditjen botërore....Ne erdhëm me një mision, për të vazhduar një rrugëtim të vështirë dhe të gjatë për një arsim me të mirë në Kosovë. Misioni që ishim të vetëdijshëm se do të ketë sfida të mëdha, do të ketë reagime të mëdha, do të ketë mospajtime të mëdha, do të ketë rezistencë të lartë. Por ne erdhëm vetëm me një ide, ky mision që po duket i pamundur nuk do të ndalet dhe për këtë ne i bëjmë thirrje gjithë opinionit, gjithë personave që janë përkrahës dhe monitorojnë arsimin, profesionistëve që të na bashkohen në këtë rrugëtim”, ka thënë ai.

Megjithatë, ministri Bytyqi theksoi se vendimi për shkarkimin e bordit të Agjencionit të Kosovës për Akreditim, mund të quhet i ngutshëm, por në seancë do të japin fakte për parregullsi që do të sillnin në këtë pikë në një kohë jo shumë të largët.

Bytyqi: Vendimi mund të quhet i ngutshëm

“Vendimi për shkarkimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë me kërkesën e kryeminsitrit i cili erdhi në fillim të mandatit tonë, i cili erdhi jo me shumë se në 10 ditëshin e parë pas marrjes së detyrës, mbase tani nga kjo perspektivë e ngjarjeve mund të quhet veprim i ngutshëm. Por besoj se gjatë këtij debati do të kemi mundësi të shpalosim parregullsi të mëdha që kanë karakterizuar këtë Agjencion, të cilat në një të ardhme jo të largët do të kishte përfunduar po kështu siç përfundoi me përjashtim nga EQAR”, theksoi ai.

Çoçaj: Lista e bordit të AKA-së të jetë sa më cilësore

Deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, ka thënë se arsimi i lartë në vazhdimësi ka pasur ngritje në Kosovë, ndërsa ka kërkuar që bordi i ri i AKA-së të jetë sa më cilësor, pasi ai ka një përgjegjësi të madhe para vetes.

“Situata ka qenë e  pavolitshme dhe jemi në një situatë jo të mirë dhe unë mbështes ministrin dhe shpresoj se edhe ai duhet të diskutojë rreth listës së bordit të AKA, e cila duhet të jetë sa më cilësore, pasi kanë një përgjegjësi mjaft të madhe”, ka thënë ai në seancën  sotme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet rreth përjashtimit të AKA-së nga EQAR-i.

Çoçaj ka kërkuar përkushtim sa më të madh në arsimin e lartë, duke thënë se nuk ka qenë i mirë shkarkimi i të gjithë anëtarëve të Bordit të AKA-së.

Image
Nezir Çoçaj

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj të tregojë se cilat janë informatat konfidenicale që ka pasur ai kur ka kërkuar shkarkimin e bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Hoti: Kryeministër, trego cilat informata konfidenciale ke për bordin e shkarkuar

“E para cilat janë këto informata konfidenciale, a ka pasur ministri qasje në këto informata, a janë në dijeni anëtarët e bordit për këto arsye të shkarkimit. Në letrën e ministrit drejtuar presidentit të EQAR-it theksohet se informatat konfidenciale nuk vlejnë për gjithë anëtarët e bordit, atëherë duhet dhënë përgjigje pse është shkarkuar i tërë bordi dhe a janë ndërmarrë veprime ligjore ndaj anëtarëve të bordit që kanë bërë shkelje ligjore, cilat janë në fakt arsyet ligjore që shkarkohet anëtari austriak i bordit, i emëruar në bord vetëm dy muaj më parë dhe si ka kuptim të shkarkohet anëtari amerikan i bordit, i cili pastaj është propozuar serish në bordin e ri”, tha Hoti.

Ai tha se ankesa mund të bëhet vetëm nëse dëshmitë e ofruara nuk janë marrë parasysh nga EQAR-it, ndërsa ka përmendur edhe disa dëme që i janë bërë Kosovë dhe arsimit të lartë në vend me vendimin për përjashtimin e Kosovës nga EQAR.

Hoti: Dëmet nga përjashtimi i Kosovës nga EQAR

“E para, ky përjashtim mund të ndikoj në punësimin sezonal të diplomuarve dhe atyre që vijojnë arsimin e lartë në Kosovë. E dyta, referencimi i Kosovës në kornizën evropiane të kualigimeve që ka qenë arritje e madhe në sistemin e arsimit dhe arsimit në Kosovë gjatë viteve 2016-2017 të Qeverisë Mustafa. Në faqen 19 të raportit vjetor të autoritetit kombëtar të kualifikimeve thuhet. Kosova duhet pas një viti të raportoj për implementimin e kornizës kombëtare të kualifikimeve para grupit këshilldhënës të kornizës evropiane të kualifikimeve, në të kundërtën tërhiqet ky referencim, tashmë dihet se ky raportim është shtyrë për mbledhjen e 48 të Këshillit të kornizës evropiane që pritet të ndodhë në pranverë. Tanimë, AKA rrezikon seriozisht të përjashtohet edhe nga ENKA, e cila e ka vënë Kosovën në një lloj suspendimi që pasohet me një vlerësim të jashtëzakonshëm të situatës. E treta, janë bërë dëme s erioze në arsimin e lartë në Kosovë, sidomos në ato private, ka humbur kontrolli lidhur me studentët e pranuar në afatet e parapara me rregulloret e agjencisë, është devalvuar procesi i akreditimit”, theksoi Hoti.

Image
Valentina Bunjaku

Bunjaku: Haradinaj duhet të japë dorëheqje

Deputetja Valentina Bunjaku nga LDK, ka shprehur shqetësimin e saj për përjashtimin e AKA nga EQAR, duke kërkuar sqarime nga kryeministri Ramush Haradinaj se pse është shkarkuar bordi i kësaj agjencie.

Ajo tha se një gjë e tillë është konsideruar nga Komisioni Evropiane si ndërhyrje politike në bordin e AKA-së, i cili është konsideruar jo legjitim.

“Humbja e besueshmërisë së AKA, sidomos në hapësirën evropiane dhe zhvlerësimi i diplomave në universitetet publike. Kjo dëmton studentët e Kosovës. Rënia e besimit ndërkombëtar të Kosovës ndikon në humbjen e projekteve evropiane në fushën e arsimit”, u shpreh Bunjaku.

Për më tepër, ajo theksoi se kryeministri Haradinaj moralisht duhet të japë dorëheqje për gjendjen e krijuar pas përjashtimit të AKA-së nga EQAR.

Seanca e jashtëzakonshme, opozita kërkon sqarim nga Haradinaj se pse u shkarkua Bordi i AKA-së (Drejtpërdrejt)

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka theksuar se ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duhet të tregojnë se cilat janë arsyet për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë për Akreditim të Kosovës AKA.

Ai në foltoren e Kuvendit ka numëruar një sërë ndikimesh që pritet t’i ketë përjashtimi i Kosovës nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR).

“Do të dëmtohet njohja e diplomave të studentëve kosovarë nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Do të vështirësohet mobiliteti i studentëve dhe mësimdhënëse nëpër universitetet evropiane, madje do të dëmtohet rëndë edhe njohje e kredencialeve akademike të profesorëve nga Kosova. Do të ketë probleme edhe në mobilitetin e studentëve evropian nga vendet të cilat ata vinë në universitetet e Kosovës”, ka shtuar Hoti.

Nagavci: Të ndermirrën masa urgjente për kthimin e AKA-së në EQAR

Arberie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se situata e krijuar në arsimin e Kosovës është për shkak të ndikimit të politikës dhe grupeve biznesore në arsim.

Ajo thotë se kjo gjendje e krijuar ka ardhur nga mos monitorit i arsimit ka bërë që të mos kemi cilësi në arsim.

Ajo thotë se vendimi arbitrar i Haradinajt dhe zbatimi i vendimit nga ministri i MASHT-it nga Shyqyri Bytyqi, për shkarkimin e bordit Agjencinë e Akreditimit të Kosovës ishte kryekëput politik.

“Vendimi për të për përjashtuar , do të ketë pasoja të mëdha dhe të renda për arsimin në Kosovë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se qeveria të merr masa emergjente për gjendjen e krijuar, për të kthyer agjencisë në Regjistrin Evropian.

***

Kuvendi i Kosovës mban seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutohet lidhur me vendimin e Regjistrit Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lart (EQAR) për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

***

Kuvendi i Kosovës mban sot seancë të jashtëzakonshme me pikën e vetme në rendin e ditës “Debat parlamentar lidhur me Vendimin e Regjistrit Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR) për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit”.

Organizata ndërkombëtare, ‘European Quality Assurance Register for Higher Education’ (EQAR), e ka përjashtuar Agjencinë Kosovare të Akreditimit nga anëtarësia për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie.

Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë ka marrë vendim për përjashtimin e AKA-s duke e arsyetuar se ajo ‘ka humbur aftësinë e vet për të vepruar në mënyrë autonome  me vendimin e shkarkimit nga ministri më 25 shtator 2017’.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi kishte marrë vendim për shkarkimin e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (Këshillit Shtetëror të  Cilësisë – KShC), si dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të kësaj Agjencie.

Këtë vendim ministri e ka marrë pas kërkesës së kryeministrit Haradinaj.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test