Shtyhet seanca e jashtëzakonshme, nesër votohet për demarkacionin

Aktuale

Shtyhet seanca e jashtëzakonshme, nesër votohet për demarkacionin

Bota sot Nga Bota sot Më 22 shkurt 2018 Në ora: 07:22
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) -  Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka njoftuar se bashkë me të gjitha grupet parlamentare janë dakorduar që seanca e jashtëzakonshme për demarkacionin të shtyhet për nesër në ora 10:00.

Ai shtoi se janë në rrugë të mirë për konsensus të përbashkët dhe për këtë falënderoi edhe opozitën.

Veseli: Seanca të shtyhet për nesër

“Kemi një dakordim të përbashkët që seanca të shtyhet për nesër në ora 10:00, do të vazhdojmë. Ajo çka dua të përçoj mesazh te qytetarët  është se do ta arrijmë që së bashku të jemi në këtë rrugëtim të përbashkët në agjendën tonë pro Bashkimit Evropian dhe t’i hapim perspektiv qytetarëve tanë që të kenë liberalizimin e vizave në një të ardhme të afërt. Kjo është pjesa e optimizmit tonë të përbashkët dhe do t’i kryejmë obligimet ashtu siç presin qytetarët”, tha Veseli.

Përndryshe, ky vendim është marrë pas dy orë e gjysmë konsultime në mes pozitës dhe opozitës. Këta të fundit po kërkojnë që raporti i Bulliqajt të hiqet nga pjesa e projektligjit, ndërsa, AAK insiston që të votohet edhe raporti.

Po ashtu, në këtë Kuvend nuk kanë ardhur deputetët e Listës Serbe, të cilët kanë njoftuar se nuk do ta votojnë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Shumica e deputetëve kanë dal nga salla ku pritet që të mbahet seanca

Salla ku pritej që të mbahet seanca e jashtëzakonshme për Demarkacionin me Malin e Zi ka mbetur pothuajse e zbrazur.

Gati të gjithë deputetët që ishin brenda sallës kanë dal jashtë.

Tashmë në ndërtesë të Kuvendit ka hyrë edhe shefja e Bashkimit Evropian për Kosovën Natalya Apostolova.

Lista Serbe edhe zyrtarisht ka deklaruar se nuk do ta votojë Demarkacionin sikurse edhe Lëvizja Vetëvendosje.

LDK është deklaruar se do ta votojë Demarkacionin por pa raportin e Komisionit Bulliqi, ndërsa me këtë nuk pajtohet AAK.

Arsyeja që po mban peng votimin e demarkacionit

Kanë kaluar dy orë që nga koha kur ishte paraparë të fillonte seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Ndonëse nuk ka një arsyetim të qartë, për vonesën e fillimit të kësaj seance, besohet se shkak është mos pajtueshmëria e LDK-së.

LDK është deklaruar gjatë ditës së sotme se do të votojnë pro marrëveshjes dhe deklaratës së dy presidentëve, por ky subjekt politik shprehet kategorikisht kundër raportit të Shpejtim Bulliqit.

“Ne si LDK duam ta votojmë marrëveshjen e 2015-ës dhe deklaratën e dy presidentëve, por jo edhe raportin e Shpejtim Bulliqit. Nuk mund të votohet edhe raporti edhe marrëveshja. Sa i përket disa transformimeve, nuk flas për to, por besoj që po shihet se pa LDK-në nuk mund të shkojë përpara ky vend”, ka thënë Ismet Beqiri, gjatë ditës së sotme.

Atë që LDK po e konsideron të pa pranueshme, Bulliqi po e quan si tendencë për të fshehur humbjen e territorit.

“Largimi i raportit tim është tendencë që mos nxjerrët realiteti i humbjes së territorit dhe mos realizimit të deklaratës së dy presidentëve. Korrigjimi bazohet në ligj e jo në raporte” ka thënë Bulliqi  më herët.

Por sipas mediave vetë kryeministri, Ramush Haradinaj është angazhuar për këtë çështje ku është duke biseduar me grupin parlamentar të LDK-së.

Në këtë takim besohet se kanë marrë pjesë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, deputeti, Ismet Beqiri, kryeministri, Ramush Haradinaj si dhe kreytari i kuvendit Kadri Veseli.

LDK-ja kushtëzon votimin e demarkacionit

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka ndërmend ta votojë marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, ashtu siç ishte menduar.

Kjo pasi LDK-ja refuzon ta votojë marrëveshjen në bllok, ku përfshihet edhe raporti i ish-deputetit, Shpejtim Bulliqi, tashmë kryetar i komisionit të qeverisë për shënjimin e kufirit.

Raport i cili tregon se megjithatë marrëveshja e nënshkruar me 2015, derisa Isa Mustafa ende ishte kryeministër, ka disa gabime.

Deputetët e VV-së dalin nga salla

Deputetët e lëvizjes Vetëvendosje kanë dal nga salla ku ende nuk ka filluar seanca e jashtëzakonshme për Demarkacionin me Malin e Zi.

Seanca që është paralajmëruar se do të fillojë në orën 11:00 nuk ka nisur ende. Në sallë nuk kanë ardhur as deputetët e LDK-së e as ata të Listës Serbe. Këta të fundit kanë deklaruar edhe zyrtarisht se nuk do ta votojnë Demarkacionin.

Selmanaj: Vota ime është kundër në qoftë se hiqet raporti i Bulliqit

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, ka deklaruar se nëse raporti i komisionit të Shpejtim Bulliqit nuk votohet, ai do të votojë kundër.

Kundër futjes në votim të këtij raporti kanë dalë deputetët e LDK-së, të cilët kanë thënë se do të votojnë kundër nëse ky raport përfshihet në marrëveshje. Ndërsa, Selmanaj vlerëson si  të palogjikshme kërkesën e LDK-së që nëse nuk hiqet raporti i Bulliqit ata do të jenë kundër.

Selmanaj: Unë nuk e votoj demarkacionin pa raportin e Bulliqit

“Çdo përpjekje që me eliminuar këtë raport nga seanca e jashtëzakonshme për ne është e papranueshme , sepse ky raport konstaton gabime dhe këto gabime duhet me u korrigjua, sepse ne nuk kemi arsye thjesht me e votuar një demarkacion me gabime të konstatuara. Për mua është shumë e palogjikshme nëse LDK e ka këtë qëndrim siç po thuhet, sepse çka ka të keqe nëse është raporti i Bulliqit. Mendoj se veç e forcon këtë ide për me u zhbllokuar situata. Përsëris, vota ime është kundër në qoftë se hiqet raporti i zotit Bulliqi”, tha Selamanj.

I pyetur pse s’po fillon seanca, ai ka thënë se me siguri po diskutohet për ose jo raportin e Bulliqit.

Selmanaj: Ndoshta po diskutohet raporti i Bulliqit

"Unë nuk e di saktë, a bëhet fjalë për vota apo për temën që po e diskutojnë për raportin e Bulliqit. Po me gjatë është në pyetje, qëndrimi rreth raportit të zotit Bulliqi me qenë a mos me qenë pjesë e ligjit. Nuk e di ne po presim të shohim si ka me u zhvilluar situatat sot. Ka plot takime që po bahen në Kuvend, po ne po presim çka po ndodh”, tha ai.

Ndryshe, seanca e paraparë për ratifikimin e demarkacionit ende nuk ka filluar edhe pse ishte caktuar për ora 11. Deputetët nga opozita nuk duken në sallën e Kuvendit, ndërsa disa nga pozita shihen teksa hynë e dalin në sallë përderisa edhe kryeministri Ramush Haradinaj është parë disa herë që ka hyrë në sallë dhe ka dalë.

Mospajtime para seancës për demarkacionin

Kanë kaluar më shumë se një orë e gjysmë dhe ende nuk ka filluar seanca e jashtëzakonshme, ku do të shqyrtuar projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Në sallë mungojnë deputetët e AAK-së, LDK-së, një pjesë e deputetëve PDK-së, deputetët e pakënaqur të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Listës Serbe, madje flitet se këta të fundit as nuk kanë hyrë në ndërtesën e Kuvendit.

Për konsultimet para seancës ka njoftuar edhe deputetja e Alternatives, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se aktualisht po bëhen konsultime për formulimin se si është prezantuar projektligji dhe memorandumi shpjegues që iu është sjellë deputetëve.

 “ Raporti nuk mund të jetë pjesë e projektligjit ose duhet të ndërrohet formulimi i përfshirjes së raportit, që do të thotë është aty vetëm për informim dhe nuk mund të jetë për t’u votuar si pjesë e integruar e ligjit përderisa shkakton kontraditë përbrenda ligjit“, tha ai.

Derisa LDK dhe Alternativa po kërkojnë që të hiqet raporti, deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj ka thënë se nuk do ta votojë projektligjin nëse hiqet raporti i Bulliçajt.

**********

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë larguar nga salla e Kuvendit të Kosovës në pritje të fillimit të seancës.

Në sallën e Kuvendit janë vetëm deputetët e Vetëvendosjes dhe Mimoza Kusari Lila nga GP I LDK-së.

 Ilir Deda zbulon pse po shtyhet seanca për Demarkacionin

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Alternativës Ilir Deda, ka thënë se nuk ka po ndodhë asgjë dramatike.

Ai para gazetarëve në hollin e Kuvendit, ku pritet të nisë seanca për Demarkacionin, ka thënë se Demarkacioni do të votohet, raporton “Bota sot”.

“Duke marrë parasysh interesimin e qytetarëve dhe ndenjën dramatike që kanë ndodhur deri më tani, sot asgjë nuk ka dramatike. Partitë politike duhet të mësohen të komunikojnë në mes vete, e jo të presin tri vjet. Demarkacioni do të votohet”, ka thënë Deda.

Deda ka theksuar se seanca po shtyhet për shkak të disa keqkuptimeve, mirëpo sipas tij, ajo dot ë mbahet.

“Seanca po shtyhet për shkak të disa keqkuptimeve, por ajo do të mbahet. Do të ketë debat e shpresojmë që do të miratohet Demarkacioni”, është shprehur deputeti Ilir Deda.

Kusari-Lila: Raporti nuk mund të jetë pjesë e projektligjit

Deputetja e Alternatives, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se aktualisht po bëhen konsultime për formulimin se si është prezantuar në projektligji dhe memorandumin shpjegues që iu është sjellë deputetëve.

Ajo tha se kanë marrë vendim që ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit e cila është e përcjell me deklaratën e dy presidentëve

Kusari-Lila: Raporti nuk mund të jetë pjesë e projektligjit

“ Raporti nuk mund të jetë pjesë e projektligjit ose duhet të ndrrohet formulimi i përfshirjes së raportit, që do të thotë është aty vetëm për informim dhe nuk mund të jetë për t’u votuar si pjesë e integruar e ligjit përderisa shkakton kontraditë përbrenda ligjit“, tha ai.

Kusari-Lila shtoi se raporti i Bulliçajt nuk ka ofruar zgjidhje për çfarë do kontesti që ka qenë por ka vënë në pah shkelje të pretenduara dhe nuk ka pas një përcjellje logjike të procesit.

Sipas saj, tash po bëhen konsultime në raport me formulimin se si është prezantuar në ligj, gjegjësisht në memorandumin shpjegues që iu është sjellë deputetëve.

Grupi parlamentar i LDK-së ka kushtëzuar votimin e demarkacionit. Për këtë shkak është duke ndodhur edhe vonesa e nisjes së seancës në të cilën do të dalë në votim demarkacioni me Malin e Zi.

Dy zyrtarë të lartë qeveritarë i kanë thënë medias, se LDK-ja ka kërkuar që nga projektligji të largohet raporti i Shpejtim Bulliqit.

“Është shumë më e vështirë sesa duket kjo punë. LDK po kërkon ta heqim krejtësisht raportin e Bulliqit. Por nëse ne pranojmë ta heqim atë, atëherë nuk i kemi votat”, kanë thënë këto burime.

Haradinaj “lobon” te deputetët për demarkacionin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka arritur në Kuvendin e Kosovës dhe në sallën e Kuvendit ai po flet një për një me deputetët e Kosovës.

Supozohet se gjatë kësaj bisede të ketë kërkuar nga deputetët votën për demarkacionin.

Është vërejtur se Haradinaj më së paku ka qëndruar me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes, të cilët gjithnjë po ia përkujtojnë se ai ka qenë në krye të protestave dhe në krye të peticionit kundër miratimit të demarkacionit.

Në Kuvend është edhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, i cili aty ka arritur 40 minuta para fillimit të paraparë të seancës së Kuvendit.

Image

Zeka: Nisma është për demarkacionin

Deputeti i Nismës për Kosovën Milaim Zeka tha Nisma ka qëndrim unanim qe do ta votojnë demarkacionin.

“Konsiderojmë që është një situatë krejt e re pas zhvillimeve të bisedimeve në Podgoricë mes zv kryeministrit  Fatmir Limaj dhe palës malazeze. Dhe pas arritjes së marrëveshjes mes dy presidentëve. Edhe si Nismë por unë dhe personalisht si deputet konsideroj që çdo deputet i Parlamentit të Kosovës e i cili do të jetë kundër demarkacionit, është ‘de facto’ kundër lirisë së lëvizjes. Kundër lirisë së qytetarëve të Kosovës që të lëvizin lirshëm dhe nuk kanë asnjë justifikim asnjë arsye për të bllokuar proceset e Kosovës përpos që bëjnë marketing politik”, tha Zeka.

Sa i përket Listës Serbe Zeka tha se deputetët që nuk e votojnë Demarkacionin po ia krijojnë vakumin Listës Serbe që të tallen me  proceset e Kosovës dhe me të ardhmen e saj.

 Kuvendi i Kosovës mban seancë të jashtëzakonshme, për të shqyrtuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Në projektligjin e dërguar nga Qeveria në Kuvend, figurojnë edhe raporti i komisionit shtetëror të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi dhe marrëveshja e nënshkruar mes dy presidentëve, Hashim Thaçi e Filip Vujanoviq.

LDK, PDK, AAK, Nisma dhe Gjashtë+ kanë njoftuar se do të votojnë për Projektligjin e demarkacionit me marrëveshjen e dy presidentëve, Vetëvendosje ka njoftuar se do të kundërshtojë, kurse Lista Serbe ende nuk ka bërë të ditur qëndrimin e saj.

Për të kaluar Projektligji, duhen së paku 80 vota.

***

Kuvendi i Republikës së Kosovës do te mblidhet sot në seancën e jashtëzakonshme, për shqyrtimin e Projektligjit nr. 06/L-060 për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Kështu ka vendosur dje kryesia e Kuvendit në një mbledhje të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare pas kërkesës së qeverisë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, të plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy presidentëve, të Kosovës Hashim Thaçi dhe Malit të Zi Filip Vujanoviq.

Në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhet se pas ratifikimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime.

Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, e mbështetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në opozitë, e cila thotë se “kundërshtimi i deritashëm i demarkacionit siç po dëshmohet haptazi, ka qenë vetëm një kauzë fiktive dhe jashtëzakonisht e dëmshme”.

Marrëveshjen e demarkacionit e mbështetë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, por jo edhe lëvizja Vetëvendosje.

Lista “Srpska”, gjatë mbledhjes së qeverisë, e cila e procedoi në Kuvend ligjin për demarkacionin, abstenoi kur u votua ligji.

Ndërsa tash për tash akoma nuk ka një qëndrim të prerë sesi do të votojë në Parlament.

Thirrje deputetëve të pakicave dhe të gjithë deputetëve tjerë që ta votojnë demarkacionin, u ka bërë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie.

Që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, duhen 80 vota nga 120 deputetë, sa i ka Parlamenti i Kosovës.

Ratifikimi i marrëveshjes se demarkacionit me Malin e Zi është kusht për Kosovën në mënyrë që Komisioni Evropian t’ia heqë regjimin e vizave.

Kosova është vendi i vetëm në Evropë që akoma ka regjim vizash për lëvizje në zonën Shengen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat