Edhe pse ishte njoftuar para 10 vitesh me projektin e arkitektit, Përparim Rama, për konservimin e Kompleksit “Adem Jashari”, Qeveria e Kosovës ka treguar neglizhencë, duke e lënë këtë kompleks memorial në një gjendje të padëshiruar.
Kështu pohon në një intervistë për Kp opinionisti Dardan Islami, sipas të cilit, 9 milionët e shpenzuara për mirëmbajtjen e këtij kompleksi janë plaçkitur, pasi që gjendja e Kompleksit “Adem Jashari” mbetet e keqe.
Lidhur me këtë projekt i cili para pak ditësh është bërë publik edhe në mediat e Kosovës, Islami shpjegoi më detajisht se si ishte puna e këtij projekti para 10 vitesh.
Sipas tij, projekti në fjalë parashihte zgjidhje edhe për çështjen e financimit të mirëmbajtjes e cila kushton goxha shtrenjtë. Për këtë, Islami tha se me pak atraktivitet, vizitorët e Kompleksit do të mund të kontribuonin në grumbullimin e një fondi për mirëmbajtjen e “Muzeut”.
Megjithatë Islami u shpreh optimist se do të zgjidhet problemi i konservimit të Kompleksit “Adem Jashari”, pasi që me iniciativën e marrë ditë më parë “Për shpëtimin e Kompleksit të Familjes Jashari” kjo çështje është aktualizuar dhe institucionet përgjegjëse kanë filluar të lëvizin drejt zgjidhjes së këtij problemi.
“Më vije mirë që njerëz si Jusuf Thaçi e kanë filluar këtë iniciativë dhe është përkrahur prej shumë njerëzve. Edhe institucionet ishin të shpejta këtë herë. Pamë z.Daut Haradinaj, si kryetar i Komisionit Parlamentar për Memorialet, i cili reagoi shpejtë dhe duket se tash do ta shpejtojnë këtë proces dhe i ftoj edhe të interesuarit tjerë që të marrin pjesë në këtë tender, ku do të bëhet jo vetëm një memorial, por muze”, tha ai.