Edi Rama mesazh Haradinajt për demarkacionin: Atë që kam thënë Ramushi e di

Aktuale

Edi Rama mesazh Haradinajt për demarkacionin: Atë që kam thënë Ramushi e di

Më: 27 nëntor 2017 Në ora: 15:54
Edi Rama dhe Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kosova dhe Shqipëria do t’i trajtojnë sikur të ishin një shtet promovimin e vlerave të bashkëjetesës mes dy vendeve, problemet e mësimit në gjuhën shqipe dhe aktivitetet me përfaqësues të diasporës. Krejt kjo pasi që bota shqiptare është një, përkundër asaj se janë të ndara në dy shtete.

Kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë për media pas nënshkrimit të 12-të marrëveshjeve në mes të dy qeverive.  

Ai bëri të ditur se mbledhja e ardhshme e dy qeverive do të mbahet në Pejë, ndërsa as ai dhe as kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk deshën të përgjigjen nëse do të mbahet ndonjë mbledhje e tillë në veri të Kosovës.

Sipas Ramës, bazuar në atë sa është bërë deri sot, janë marrë angazhime të rëndësishme mbi bindjen se ka ende shumë për të bërë.

Rama: Bota shqiptare është një

“Që nga mbledhja e parë në Prizren në vitin 2014, e kemi pasuruar këtë kuadër bashkëpunimi me disa pjesë të rëndësishme, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e kuadrit mbetet për t’u plotësuar. Më vjen mirë po ashtu që tërë hapat e ndërmarrë, janë hapa mirë të përcaktuar me një drejtim të përbashkët strategjik. Promovimin e vlerave të bashkëjetesës mes nesh, pastaj edhe problemet e mësimit në gjuhën shqipe, edhe aktivitetet me përfaqësues të diasporës, do t’i bëjmë si një sepse pavarësisht se jemi të ndarë në dy shtete, bota shqiptare është një, e pandashme për të dyja qeveritë tona”, tha Rama.

Kryeministri Rama, si duket nuk ka ndryshuar mendim lidhur me çështjen e demarkacionit, pasi që në një përgjigje ndaj gazetarëve tha se atë që e mendon edhe e ka thënë, dhe për qëndrimin e tij, është në dijeni edhe kryeministri Haradinaj.

Image

Rama: Atë që kam thënë Ramushi e di

“Unë atë që kam thënë Ramushi e di, dhe ashtu e mendoj, ashtu e besoj dhe ashtu e kam bindjen. Me këtë rast nuk do ta kisha përsërit. Me që jemi mbledhur këtu për çështje tjera, nuk e pash të udhës që ta përsëris”, u shpreh ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se është mirë që 12 marrëveshjet e nënshkruara u përmbyllën në prag të festës së 28 Nëntorit, ndërsa shtoi se janë duke punuar në unifikimin doganor dhe në përmbylljen e një protokolli për lehtësimin total të kalimit të kufirit.

Sipas Haradinajt, rrugëtimi euroatlantik i Kosovës, është i lidhur ngushtë me Republikën e Shqipërisë.

Haradinaj: Po punojmë intenzivisht në unifikimin doganor

“Jam i gëzuar që ne sot përmbyllëm 12 marrëveshje të ndërsjella, Shqipëri-Kosovë. Njëkohësisht jemi në punë me e përmbyllë edhe një protokoll të kalimit të kufirit, pra që lehtëson krejtësisht kalimin e kufirit Kosovë-Shqipëri dhe po punojmë intensivisht në unifikimin doganor. Jemi në proces, pala kosovare ka ngecë, por do të arrijmë aty. Kosovën e presin shumë sfida, mirëpo janë sfida që burojnë nga vet specifikat e Kosovës. Ne rrugëtimin tonë euroatlantik e shohim të lidhur ngushtë me Republikën e Shqipërisë”, tha Haradinaj, raporton KosovaPress.

Në vijim i gjeni të renditura marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy qeverive: Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës; Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës; Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës; Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës; Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Kryeministrisë së Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës; Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës; Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve– AIDA dhe Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë – KEISA; Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës; Protokoll për bashkëpunimin teknik në fushën e bujqësisë ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës; Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës; Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin në krijimin dhe funksionimin e bursës shqiptare të energjisë elektrike ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Zhvilli mit Ekonomik të Republikës së Kosovës.

Image

Rama për deklaratën e Dodik për veriun: Ai të ëndërrojë, ne kemi ëndrrën tonë të qartë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka refuzuar që të komentojë deklaratat e presidentit të Republikës Serbe, Millorad Dodik.

Ai në konferencën e përbashkët të dy qeverie shqiptare, deklaratat e Dodik rreth ndarjes së territorit të Kosovës i ka quajtur ëndrra të tij.

“Ballkani është i lirë dhe secili ka të drejt të shoh ëndrra. Nuk i komentoj ëndrrat e tjerëve”.

“Ne ëndrrën tonë e kemi të qartë dhe askush nuk na ndalon në realizimin e saj”, ka thënë Rama.

Sa i përket asaj që mbledhja e ardhshme të dy qeverie të mbahet në Mitrovicën e Veriut, Rama ka lënë të nënkuptohet se nuk do të ndodhë.

“Mbledhjen e  radhës e kemi vendosur që të mbahet në Pejë dhe dua ta nënvizoj që mbledhjet nuk janë për udhëtime, por takime për të bërë më shumë nga ato që besojmë se mund t’i bëjmë”, ka shtuar ai.

Rama e Haradinaj shmangin përgjigjet për kryeprokurorin e ri dhe Albin Kurtin

Plot 12 marrëveshje të përbashkëta janë nënshkruar ditën e sotme nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, pas mbledhjes së përbashkët të mbajtur në qytetin e Korçës.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Rama tha se këto marrëveshje bashkëpunimi synojnë zhvillimin e mëtejshëm të dy vendeve dhe integrimin e përbashkët në familjen europiane.

Mes të tjerash ai iu përgjigj edhe presidentit serb të Bosnjës për deklaratat e tij në lidhje me Kosovën.

“Ballkani është i lirë, secili ka ëndrrat e veta. Ne nuk jemi këtu për të komentuar ëndrrat e të tjerëve”,- tha Rama.

Ndërkaq,, Rama dhe Haradinaj i janë shmangur pyetjeve në lidhje me situatat politike në Shqipëri dhe Kosovë.

Kryeministri Rama është pyetur mbi zgjedhjen e kryeprokurorit të ri në Shqipëri, ndërsa kryeministri Haradinaj për arrestimin e Albin Kurtit. Por të dy kryeministrat kanë shmangur përgjigjet, duke thënë se këto çështje nuk kanë qenë pjesë e diskutimeve dhe e axhendës së mbledhjes së përbashkët të qeverisë.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama u ndal tek marrëveshjet e realizuara me qeverinë e Kosovës, dhe tek realizimi i tyre.

“Jam shumë i nderuar që sot ne kemi mysafirë në Korçë, kryeministrin Haradinaj dhe ministrat e tij. Dy qeveritë tona ritakohen pas pak më shumë se një viti, dhe pas tri mbledhjeve në radhë, të cilat kanë vënë themelet e qëndrueshme të një partneriteti strategjik, gjithëpërfshirës në një kudër të gjerë bashkëpunim. Mbledhja që sapo mbyllëm flet vetë për një bilanc arritjesh të rëndësishme dhe angazhimesh të rëndësishme, bazuar mbi sa kemi bërë deri më sot.

Ne kemi marrë këto angazhime mbi bindjen se ka ende shumë për të bërë, por edhe se mundësitë janë aty, dhe praktikisht që nga mbledhja e parë në Prizreni në vitin 2104 e kemi pasuruar këtë kuadër bashkëpunimi me disa pjesë të rëndësishme, ndërkohë që një pjesë e rëndësishme e kuadrit mbetet për t’u plotësuar. Me vjen mirë që të tërë hapat e ndërmarrë janë të mirë përcaktuar me një drejtim të përbashkët strategjik. Nuk dua të ndalem një për një në të gjitha marrëveshjet që sapo kemi nënshkruar, pasi janë transparente dhe mund t’i ktheheni për çdo rast.

Dua të them se ne jemi të vendosur për të fuqizuar më tej ndërveprimin e përbashkët, qoftë në marrëdhëniet tona bilaterale si dy shtete shqiptare, qoftë në qasjen tonë rajonale, dhe në rrugën tonë të përbashkët drejt integrimit të plotë në familjen europiane. Dua të nënvizoj faktin se këtë herë kemi marrë angazhime të rëndësishme sa i takon diasporës shqiptarë. Synojmë promovimin e vlerave të bashkëjetesës mes nesh, por edhe për programet e mësimit në gjuhë shqipe”, u shpreh kryeministri Rama.

Pyetjet nga gazetarët:

Pyetja është për dy kryeministrat; si i përgjigjeni deklaratës së presidentit serb i Bosnjës që e quan “armike” ambasadoren e Shteteve të Bashkuara.

Rama: Ballkani është i lirë, secili ka ëndrrat e veta. Ne nuk jemi këtu për të komentuar ëndrrat e të tjerëve.

A mund të mbahet mbledhja e qeverisë në Mitrovicë?

Rama: Ne e kemi vendosur që mbledhja do mbahet në Pejë. Mbledhjet e dy qeverive nuk janë prenotime, por vendime tonat për takime për të bashkëpunuar.

Shkëmbimet tregtare lënë për të dëshiruar, volumi nuk shkon më shumë. A do të ketë avantazh për bizneset për kalimet dhe shkëmbimet. Për letra që tregohen?

Rama: Gjithçka lë për të dëshirua në çdo aspekt të jetës tonë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë. Edhe në këtë rast shikojmë rritje inkurajuese të numrit të biznesit nga Shqipëri në Kosovë- nga Kosova në Shqipëri. A mjafton? Jo nuk mjafton, asgjë nuk mjafton. Mbi këtë bazë do përpiqemi për të bërë gjithçka. Jemi duke pritur të finalizojmë unifikimin doganor, janë ca aspekte teknike që do finalizojë pala e Kosovës. Më pas do të vazhdojmë me barrierat e qarkullimit.

Image

Mbledhja e dy Qeverive, nga Korça në Pejë

Pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve dhe memorandumeve kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se janë të vendosur për ta fuqizuar marrëdhënien mes dy vendeve si dy shtete drejt integrimit evropian.

Rama theksoi se këtë herë kanë marrë angazhime serioze për diasporën dhe tani do ta njohin si një. Sipas tij pavarësisht se janë dy shtete, diaspora është një.

Ndërsa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se Kosovën e presin shumë sfida që burojnë nga specifikat e Kosovës. Tha se integrimin drejt BE e shohin të ndërlidhur me Shqipërinë.

 Dy kryeministrat bën të ditur se takimi i radhës i dy Qeverive do të mbahet në Pejë. 

Konferencë e përbashkët e dy kryeministrave shqiptarë (Drejtpërdrejt)

Kryeministri i SHqipërisë Edi Rama dhe ai i Kosovës Ramush Haradinaj mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Pas konferencës do të nënshkruhen një varg marrëveshjes në mes ministrave përkatës të dy Qeverive.

Haradinaj kërkon nga Shqipëria ndihmë për njohje dhe anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë

 Kryeministri I Kosovës Ramush Haradinaj në mbledhjen e dy Qeverive asaj të Kosovës dhe Shqipërisë që është mbajtur në Korcë tha se ky vit pasqyron ëndrrën euroatlantike të dy vendeve, e cila më së miri e realizohet së bashku.

Haradinaj  në këtë takim ka folur dhe për të arriturat e Qeverisë së Kosovës në këtë kohë të shkurtër, duke pohuar se agjenda evropiane e Kosovës është integruar dhe është tashmë  program qeverisës. Ndërsa foli dhe për FSK-në,  për të cilën tha se është në drejtimin e duhur dhe janë serioz dhe se me kohë do të kemi transformimin  e FSK-së në forca të armatosura.  

Haradinaj tha se gjatë kësaj kohe sa ka qeverisur rëndësi i ka kushtuar rendit dhe ligjit dhe se sot në Kosovë parametrat flasin për më shumë rend dhe ligj. Por tha se sfidë mbetet luftimi i krimit e korrupsionit,  një e keqe e re kjo e cila rrezikon Kosovën. Ai foli dhe  për dialogun Kosovë-Serbi,  duke pohuar se janë të vendosur për dialog, por se epilogu duhet të sjellë njohjen mes dy vendeve. Ndërsa tha se në këtë dialog duhet të jenë pjesëmarrëse dhe SHBA-të.

Haradinaj po ashtu foli dhe për vështirësitë që po has Kosova në anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtar dhe marrjen e njohjeve. E për këtë kërkoi dhe ndihmën e Shqipërisë.

Haradinaj:  Mund të na ndihmoni  për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtar dhe njohje

“Kosova është në vështirësi për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar, në marrjen e njohjeve dhe këtu dëshiroj të kërkoj dhe njëherë dhe të apeloj se vetëm së bashku edhe Shqipëria mund të ndihmoj Kosovën në këto procese, që janë  shumë me rëndësi për forcimin e pavarësisë sonë.  Ne duke punuar për ta forcuar Kosovën,  e forcojmë respektin për vetveten, por dhe vetëbesimin tonë sepse vitin që vjen jemi 10 vjet shtet”, tha Haradinaj.

Ndërsa tha se forcimi i Kosovës dhe Shqip]risë në Ballkan arrihet dhe përshpejtohet më mirë, me bashkëpunimin e dy vendeve.

Haradinaj: Populli pret më shumë nga ne

 “Forcimi i Kosovës dhe forcimi ynë në Ballkan, arrihet ose përshpejtohet  më mirë me bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Andaj puna e mirë që kemi bërë i nderuar kryeministër  për të arriturat e këtij takimi të përbashkët dhe sot mundësia që të nënshkruajmë 12 marrëveshje e  protokolle dhe njëkohësisht puna e bërë e avansuar që do të qoj në të ardhmen e  afërt,  deri në unifikimin e doganave mendoj se na bënë me u krenu por nuk mjafton. Unë e di se populli i Kosovës, populli i Shqipërisë e gjithë ne presin më shumë nga ne. E ne nga këtu do të vazhdojmë me punët që na presin e që janë shumë. Me punë nderojmë sakrificën për liri të gjithë brezave. Me punë nderojmë përgjegjësinë që kemi dhe vetëm me punë do të marrim respektin nga të gjithë”, tha ai.

Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, tha se të dyja vendet, duhet t’i rrëzojnë barrierat që ekzistojnë dhe të rrisin  shkëmbimet tregtare në çdo formë.

 Ai tha se ka rritje të interesit të ndërsjelle në fushën e biznesit dhe se statistikat flasin shumë qartë për këtë.  

Sipas tij 930 biznese nga Shqipëria operojnë në Kosovë dhe 600 biznese nga  Kosova operojnë në Shqipëri dhe se tregtia midis dy shteteve  tona është pesëfishuar viteve të fundit.  Ndërsa tha se ky vit i ka të gjitha shanset të konfirmohet si vit i suksesshëm sa i përket shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

 Rama tha se të dy Qeveritë do të punojnë me këmbëngulje  për të lehtësuar procedurat që në të ardhmen të kemi shkëmbime dhe me të mëdha.

“Të gjithë në Shqipëri dhe Kosovë  presin me plot të drejtë më tepër akoma prej nesh. Ne po angazhohemi në këtë mbledhje për një qasje të re që nxit shkëmbime të gjithfarshme. Me marrëveshjet dhe protokollet e reja, që do t’i nënshkruajmë sot do ti japim shtytje shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve”, tha ai.

Ndërsa tha se askush s’mund t’i pengojë, të  dy vendet që të shkruajnë historinë e Evropës moderne dhe ta bëjnë realitet atë që e shkruajnë.

“Sot këtu nga Korça askush s’mund të na pengojmë që të bëhemi shkronjës së historisë së Evropës moderne. Duhet të vendosim njëzëri se çfarë do të shkruajmë dhe së bashku atë që të shkruajmë ta bëjmë realitet”, tha ai. 

Mbledhja e dy Qeverive Kosovë-Shqipëri (Drejtpërdrejt)

Në Korçë janë mbledhur anëtarët e kabinetit të dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Fillimisht para Gardës së Nderit kanë parakaluar dy kryeministrat, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj.

Pas mbledhjes dy kryeministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media ndërsa më pas do të nënshkruajnë një varg marrëveshjesh ndërmjet dy Qeverive.

Nis mbledhja e dy Qeverive në Korçë

Në Korçë janë mbledhur anëtarët e kabinetit të dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë. Fillimisht para Gardës së Nderit kanë parakaluar dy kryeministrat, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj.

Pas mbledhjes dy kryeministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media ndërsa më pas do të nënshkruajnë një varg marrëveshjesh ndërmjet dy Qeverive.

Parakalimi i dy kryeministrave shqiptarë para Gardës së Nderit (Drejtpërdrejt)

Në Korçë janë mbledhur anëtarët e kabinetit të dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë. Fillimisht kabineti qeveritar i Kosovës do të pritet me ceremoni solemne ndërsa më pas do të mbahet mbledhja e dy Qeverive.

Pas mbledhjes, dy kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media ndërsa më pas do të nënshkruhen një varg marrëveshjesh ndërmjet dy Qeverive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat