Gotemoeller: Transformimi i FSK-së çështje e autoriteteve të Kosovës

Aktuale

Gotemoeller: Transformimi i FSK-së çështje e autoriteteve të Kosovës

Më: 27 tetor 2017 Në ora: 17:31
Rose Gottemoeller

Zëvendës sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller ka ripërsëritur mesazhin e Aleancës Veri-atlantike, se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, duhet të bëhet në bazë të procedurave kushtetuese.

Gjatë një vizite në Kosovë, Gottemoeller theksoi se edhe në takime me përfaqësues të institucioneve kanë diskutuar rreth kësaj çështje, porse qëndrimi i NATO-s vazhdon të jetë i pandryshuar se transformimi i FSK-së është çështje e autoriteteve kosovare.

Gottemoeller: Transformimi i FSK-së vetëm sipas procedurave kushtetuese

“Patëm një takim konfidencial, nuk mund të hy në hollësi por diskutuam shumë çështje të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin e sigurinë përgjatë rajonit. Ne diskutuam në të gjitha këto tema, transformimin e FSK-së dhe dua t’iu përçoj një mesazh të cilin e dëgjuat kur sekretari i përgjithshëm i NATO-së Jens Stoltenberg ishte këtu në shkurt të këtij viti. Ai tha se transformimi i FSK është çështje e autoriteteve te Kosovës që të vendosin. Por në anën tjetër është me rëndësi të jashtëzakonshme që ai transformim të bëhet në pajtim me procedurat e duhura kushtetuese”, tha Gottemoeller.

Përfaqësuesja e lartë e NATO-s, e pyetur se kur do të mund të shkojë FSK-ja në veri pa lejen e NATO-s, tha se kjo çështje po diskutohet tash sa kohë dhe do të vazhdojë të trajtohet hap pas hapi.

Gottemoeller: Po e trajtojmë hap pas hapi këtë çështje

“Kjo edhe një herë është çështje e cila është një çështje që mjaftë kohë dhe është me së miri që ta nënvizoj që kjo është duke u trajtuar në mënyrë përgjegjëse dhe do të vazhdoj që të jetë një temë e cila duhet të trajtohet në një mënyrë hap pas hapi. Kështu që mendoj që nuk ka diçka më shumë që të thuhet në këtë moment”, tha ajo.

Zëvendëssekretarja e NATO-s, më tutje shtoi se vizita e saj në Kosovë tregon përkushtimin e tyre ndaj Kosovës dhe paqes e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Gottemoeller tha se stabiliteti në Kosovë është i rëndësishëm edhe për stabilitetin në tërë Evropën.

Ajo theksoi progresin e arritur në Kosovë, sidomos në aspektin e sigurisë, por gjithashtu kanë parë edhe ngecje, porse janë të vetëdijshëm për sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova. Gotemoeller shtoi se KFOR-i nuk do të largohet pa përfunduar detyrat e tij në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat