Deputetet e zgjedhura nga Dukagjini premtojnë që do jenë zë i fuqishëm i qytetarëve!

Aktuale

Deputetet e zgjedhura nga Dukagjini premtojnë që do jenë zë i fuqishëm i qytetarëve!

Nga: Adem Lushaj Më: 30 qershor 2017 Në ora: 22:41
Mirjeta Kalludra

Besa Gaxherri, Donika Kadaj Bujupi,  Mimoza Kusari-Lila, Arbërie Nagavci, Shqipe Pantina, Drita Millaku dhe Mirjeta Kalludra, Teuta Haxhiu, Time Kadrijaj, Safete Hadërxhonaj, Fatmire Kollçaku,  janë deputetet që përfaqësojnë Komunat e Dukagjinit (Pejë, Gjakovë, Istog, Klinë, Deçan dhe Junik), në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës. Në shumë takime ishte thënë se gjinia femërore duhet të marrë përgjegjësi të njëjta krahas gjinisë së kundërt, e jo të jenë pjesë e listave vetëm për plotësim të kuotave gjinore.

Përderisa në zgjedhjet e kaluara, besimi i qytetarëve me dhënie të votës për kandidatët femra ishte i zbehtë, në zgjedhjet e fundit (11 Qershorit), kandidatet treguan rezultate befasuese,  e që japin për të kuptuar se do jenë “zë i fuqishëm” në legjislativin e vendit. Pra, votuesit treguan se besimi ndaj gjinisë femërore është në rritje, ngase këtë e dëshmuan disa nga deputetet tashmë të zyrtarizuara, të cilat morën dukshëm më shumë përkrahje se kandidatët nga gjinia mashkullore, siç është Vjosa Osmane, Teuta Haxhiu, Sala Berisha Shala, Donika Kadaj, etj.

Edhe votuesit e komunave të rajonit të Dukagjinit, kanë dhënë besimin për përfaqësim të një numri të konsiderueshëm të gjinisë femërore, duke bërë që ti “mundin” kolegët e tyre, e jo të mbesin me plotësim të numrave sipas ligjit. “Kërkojmë marrje të përgjegjësive e jo lëmoshë”, ishin deklarimet e femrave garuese në njërën nga tryezat e organizuara në Deçan, duke shpreh ambiciet e tyre për marrje të përgjegjësive edhe në vendet menaxheriale dhe ato vendimmarrëse.

Teuta Haxhiu, si njëra nga garueset fitimtare që kishte marrë përkrahje të gjerë (mbi 15 mijë vota), ka thënë se besimi i dhënë nga qytetarët ka të bëj me angazhimin e saj për dy mandate si deputete, gjë që ishte vlerësuar nga qytetarët anekënd Kosovës.  “Të them të drejtën, mbështetjen e qytetarëve për t’i përfaqësuar në Kuvend, gjithmonë e kam marrë si përgjegjësi, e asnjëherë si privilegj”, shprehët Haxhiu, duke premtuar se do jetë zë edhe më i fuqishëm i qytetarëve, pa dallim gjinie apo nacionaliteti.

Gjithnjë sipas saj, roli i deputetit përball qytetarit duhet të jetë gjithnjë i përgjegjshëm,  i matur dhe i bashkëjetuar me hallet dhe kërkesat e tyre.  “Ata janë të shumtë, janë prindërit tanë të dashur, janë motra e vëllezër, bujq e punëtorë, hallexhinj të ditëve tona, janë nxënës dhe studentë me zemra të thyera nga plagët e luftës, ndaj edhe iu përulem me respektin më të lartë”, ka nënvizuar deputetja më e votuar nga radhët e AAK-së, që sipas saj, nuk do mungon angazhimi për t’i mbështetur politikat nacionale dhe zhvillimore, të orientuara drejt integrimeve euro-atlantike.

Edhe për deputeten me përvojën më të madhe në Parlamentin e Kosovës, Safete Hadërxhonaj, besimi i dhënë nga qytetarët që për të pestën herë të ulët në karrigen e organit më të lartë vendimmarrës, është përgjegjësi për punë të palodhshme dhe përmbushje të kërkesave të qytetarëve, për një mirëqenie dhe zhvillim të shoqërisë. “Jam mirënjohëse për besimin dhënë, ndaj me përkushtimin më të madh, do veproj për një jetë më të mirë për të gjithë, duke qenë zëri i qytetarëve dhe goja e tyre, për një shtet të zhvilluar dhe të prosperuar”. Është deklaruar Hadërxhonaj, e cila së bashku me Armend Zemaj, do jenë “veteranët” e kësaj legjislature të Kosovës.

Për zgjedhjen e saj si deputete është treguar falënderuese edhe njëra ndër deputetët me moshën më të re, Mirjeta Kalludra, e cila do “shijon” për të dytën herë ulësen e deputetit. “Besimi i dhënë nga Ju, për t:iu përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me obligon të angazhohem maksimalisht, të punoj edhe më shumë, për të ardhmen e vendit tonë”, është shprehur Kalludra përmes rrjetit social, duke u zotua se, palodhshëm do jetë në mbrojtje të interesave të qytetarëve, jo vetëm të Klinës. “Tash mbi Ne, rëndon përgjegjësia për zhvillimin dhe përparimin e vendit”, shprehët edhe deputetja Shqipe Pantina, e cila njëjtë si kolegia e saj, Kalludra, është për të dytën herë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat