Nuk dihet kur fillon prodhimi i targave RKS

Aktuale

Nuk dihet kur fillon prodhimi i targave RKS

Më: 7 shtator 2016 Në ora: 20:37
Ilustrim

Qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë edhe për një afat të pacaktuar kohor të mbesin pa targa RKS.

Mungesa e këtyre të fundit ka mbetur pezull që nga muaji mars. Madje prodhimi i tyre nuk është as afër.

Krejt kjo po ndodh pasi Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) nuk e ka përzgjedhur kompaninë fituese për prodhimin e këtyre targave, mungesa e të cilave qytetarëve është duke ju nxjerr telashe për lëvizje të lirë në shtetet e tjera.

E përderisa qytetarët vazhdojnë të presin, gjykata e tenderëve siç njihet ndryshe OSHP-ja ka bërë me dije për lajmi.net se janë duke i shqyrtuar ankesat për këtë çështje dhe se vendimi sipas tyre do të bëhet sipas afateve ligjore.

“OSHP ju njofton se lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me targa per regjistrimin e automjeteve” jane parashtruar tre ankesa, ka filluar shqyrtimi i pretendimeve ankimore vendimi do të dal brenda afateve ligjore”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas të gjitha gjasave qytetarët zor se do të pajisen me targa këtë vit, pasi deri te përzgjedhja e kompanisë e cila do të merret me prodhimin e targave RKS, do të duhet edhe pak kohë.

Ndonëse tash e disa muaj asnjë qendër për regjistrim të automjeteve nuk posedon  targa “RKS”, qytetarët janë pajisur me targa të përkohshme “Probation”.

Këto të fundit  u mundësojnë qytetarëve qarkullim vetëm brenda territorit të Kosovës, Shqipërisë dhe atë të Serbisë.

Por, përveç mungesës së targave RKS, është raportuar se ka mungesë edhe të targave provuese KS.

Ndërkohë Ministria e Punëve të Brendshme është arsyetuar se mungesa e targave ka ardhur si rezultat i skadimit të kontratës së kompanisë për furnizim me targa, kurse lënda për përzgjedhjen e kompanisë është në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Sipas të dhënave të kësaj ministrie,  janë gjithsej 356.596 qytetarë të pajisur me targa RKS, kurse me tabela KS rreth 27.610.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat