​“S’duam suspendime, duam burgosje”, vrasja e Arlinda Zekajt, u mbajt marsh protestues në Prishtinë

Aktuale

​“S’duam suspendime, duam burgosje”, vrasja e Arlinda Zekajt, u mbajt marsh protestues në Prishtinë

Më: 29 tetor 2026 Në ora: 17:33
Fotoilustrim

Qindra qytetarë protestuan edhe sot në Prishtinë, me kërkesat për drejtësi në lidhje me rastin tragjik në Vitomiricë të Pejës.

Arlinda Zekaj u vra të dielën nga kunati i saj në mënyrë makabre, gjë e cila shkaktoi reagime të ashpra nga qytetarët, shoqëria civile dhe institucionet vendore.

Marshi protestues në ditën e tij të dytë radhazi, nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar te Ministria e Drejtësisë, ku protestuesit hodhën tymues dhe më pas vazhduan drejt stacionit të policisë, teksa lëshuan edhe audio-incizimet e së ndjerës Arlinda Zekaj me zyrtarin policor, dhe në fund u ndalën tek objekti i Qeverisë së Kosovës.

Vetëm tri ditë para vrasjes, më 22 tetor, Zekaj kishte dorëzuar një parashtresë drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, përmes së cilës kishte kërkuar marrjen e masave urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata nuk i kishin përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

Në letrën që mban vulën e pranimit të datës 22 tetor, ajo kishte paralajmëruar për rrezikun me të cilin përballej dhe kishte shprehur shqetësimin se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të merrej një jetë njerëzore.

Kryeministri Albin Kurti, ka kritikuar funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend, duke theksuar se raportet e Bashkimit Evropian ndër vite kanë evidentuar mangësi në këtë sektor. Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ai tha se është bërë urgjente të kërkohet përgjegjësi edhe nga hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e sotme suspendoi kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj dhe prokuroren Arlinda Nallbani Gacaferi. Njëkohësisht, ndaj tyre u hap procedurë hetimore.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj. Ajo tri ditë para vrasjes i kishte shkruar letër kryeprokurores së Pejës duke e njoftuar se jeta e saj po rrezikohej.

Kujtojmë, në lidhje me rastin tragjik në Vitomiricë të Pejës tashmë janë suspenduar gjithsej 11 policë.

Protesta të ngjashme janë mbajtur gjatë ditës në Ferizaj, ndërsa janë paralajmëruar edhe protesta të tjera nesër në Pejë dhe Mitrovicë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat