Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar një sërë takimesh në Bruksel me përfaqësues të institucioneve evropiane dhe eurodeputetë, ku ka kërkuar avancimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës, me fokus marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Zulfaj ka bërë të ditur se java e tij e angazhimeve evropiane ka nisur në Luksemburg, ku është zyrtarizuar anëtarësimi i Kosovës në Qendrën Evropiane për Qëndrueshmëri Demokratike, ndërsa më pas ka vazhduar në Bruksel me tri ditë takimesh dhe diskutimesh lidhur me procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Gjatë qëndrimit në kryeqendrën evropiane, ai ka takuar komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve të BE-së dhe anëtarë të Parlamentit Evropian.
Sipas Zulfajt, në qendër të këtyre takimeve ka qenë kërkesa që progresi i arritur nga Kosova në vitet e fundit të shoqërohet me hapa konkretë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Postim i plotë:
Një javë intenzive, që nisi në Luksemburg, ku zyrtarizuam anëtarësimin e Kosovës në Qendrën Evropiane për Qëndrueshmëri Demokratike, dhe vazhdoi në Bruksel, me tri ditë takimesh dhe diskutimesh produktive për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, takova Komisioneren për Zgjerim, znj. Marta Kos, përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane dhe eurodeputetë.
Në të gjitha takimet, mesazhi im ishte i qartë: Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm në vitet e fundit. Është koha që ky progres të përkthehet në hapa konkretë drejt anëtarësimit, duke filluar me marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.