​Kryeziu: Kushtetuta e Kosovës më e avancuara në Evropën Juglindore

Aktuale

​Kryeziu: Kushtetuta e Kosovës më e avancuara në Evropën Juglindore

Më: 9 prill 2024 Në ora: 09:40
Profesori i të drejtës kushtetuese, Kadri Kryeziu

Profesori i të drejtës kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se Kushtetuta e Kosovës është më e avancuara në Evropën Juglindore. Në ditën e aktit më të lartë politik dhe juridik të shtetit, Kryeziu, i cili është edhe njëri nga hartuesit e Kushtetutës, thekson se ky dokument është hartuar për të qenë jetëgjatë në Kosovë. Sipas tij, vakumi kryesor në Kushtetutë është kur nuk mund të arrihen qëllimet e shumicës, për shkak të kompromiseve që janë bërë për komunitetin serb dhe votën e dyfishtë në Kuvendin e Kosovës.

Ish gjyqtari në Kushtetuese, në një intervistë për KP, akuzon edhe qeverinë Kurti se përmes ligjeve disa herë ka pasur tendencë për të shkelur Kushtetutën.

Kryeziu: Kushtetuta e Kosovës më e avancuara në Evropën Juglindore

“Duke përgatitur shpalljen e pavarësisë kemi punuar në hartimin e Kushtetutës së Kosovës, e cila bazament ka qenë Pakoja e Ahtisarit. Kjo Kushtetutë hyn në kuadër të kushtetutave të kushtëzuara ose të ndikuara. Faktikisht Kushtetuta duhet me qenë referendare ose me referendum me vullnetin e plotë të popullit. Kushtetuta jonë ka kaluar në parlament nga përfaqësuesit e popullit... Kushtetuta e Kosovës në krahasim me 11 kushtetuta të Evropës Juglindore është njëra prej Kushtetutave më demokratike në Evropë, në kuptimin e normës kushtetuese. Është një kushtetutë ku gjejnë shprehje minoritetet në të gjitha fushat në aspektin e së drejtave. Qofshin ato në të drejtat njerëzore, fetare, kulturore dhe trashëgimore. Bazamentin kjo kushtetutë e ka në Pakon e Ahtisarit, quhet kushtetutë me elementë të jashtëm. Aty është favorizuar kryesisht minoriteti serb i cili ka qenë një kompromis për Pavarësinë e Kosovës. Kushtetuta ka vakume ende, për shkak se ndonjëherë nuk mund të arrijmë qëllimet e shumicës, pasi votimi bëhet në bazë të sistemit të Banditerit, që nënkupton dy të tretat plus dy të tretat e minoriteteve që në ligjet vitale duhet t’i kemi edhe votat e dyfishta të minoriteteve në parlament”, thotë Kryeziu.

Sipas tij, s’ka ndonjë mekanizëm të veçantë për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por thotë se në bazë të nenit 116 të Kushtetutës, autoritetet që nuk i zbatojnë vendimet kryejnë vepër penale.

Kryeziu: Kosova duhet të jetë shtet juridik, s’ka mekanizëm të veçantë për zbatimin e vendimeve të Kushtetueses

“Shteti jonë duhet me qenë shtet juridik me sundimin e ligjit. Kjo nënkupton se çdo vendim, qoftë ai i parlamentit, apo gjykatave shteti ka për detyrë me i zbatu. Nëse një shtet merr vendime, qofshin ato në karakterin e aktgjykimeve apo të parlamentit dhe nuk i zbaton nuk konsiderohet shtet që mundet me u integru në nivele ndërkombëtare. Vendimi për Manastirin e Deçanit kam thënë disa herë se duhet të zbatohet nuk është tradhti kombëtare... Nuk ka ndonjë mekanizëm të veçantë për zbatimin e vendimeve (të Gjykatës Kushtetuese). Por në bazë të nenit 116 të Kushtetutës së Kosovës, autoritetet që nuk i zbatojnë vendimet kryejnë vepër penale. Prokuroria ka për detyrë që me i nis hetimet penale për moszbatimin e vendimit dhe dënimet janë deri në gjashtë vite”, shton ai.

Duke folur për numrin e projektligjeve që Gjykata Kushtetuese i ka rrëzuar gjatë qeverisjes Kurti, Kryeziu kërkon kujdes më të madh në hartimin e tyre.

Kryeziu: Qeveria Kurti përmes ligjeve ka pasur tendenca me shkel Kushtetutën

“Duhet pasur kujdes në hartimin e projektligjeve sidomos departamentit ligjore që janë në ministri. Më duket se nuk po koncentrohen shumë dhe aty konsiderohen se shkelet disa të drejta, të natyrës së punës, financiare dhe të tjera. Nëse shkelen disa të tjera dhe nuk janë në harmoni me Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese i konsideron në kundërshtim me kushtetutën dhe i hedh si të pabaza... Kushtetutën nuk munden me shkel pasi Gjykata Kushtetuese nuk lejon, por tendencat për me shkel kushtetutën ka pasur. Gjykata Kushtetuese i mbron liritë dhe të drejtat e njeriut, pa marrë parasysh gjininë, racën, fenë e kështu me radhë. Përmes ligjit kanë pasur tendenca për me shkel të drejtën kushtetuese, sidomos në punësim, paga dhe kështu me radhë”, deklaron Kryeziu.

Sa i përket rrezikut që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive dhe mbi Kushtetutën e vendit, Kryeziu thotë se asnjë dispozitë e tillë nuk mund të kalojë në Gjykatën Kushtetuese.

Kryeziu: Disa dispozita të draft-statutit të Asociacionit nuk mund të kalojnë në Gjykatën Kushtetuese

“Asociacioni i komunave serbe mund të krijohet në bazë të marrëveshjes së vitit 2013. Marrëveshja e vitit 2013 e përshkruan edhe statutin, këto veprime të tjera kanë qenë shumë politike, të cilat qeveria ka pasur për detyrë të hartojë një projekt-statut vet. Duke marrë parasysh se nuk e ka hartuar atëherë faktori ndërkombëtar e ka marrë përsipër. Ky projekt-statut është konglomerat i disa projekt-statuteve... Ka disa elemente, është i paqartë 1244, pastaj është arbitrazhi që është një element që i tejkalon institucionet tona. Unë besoj si profesor i të drejtës kushtetuese se këto dispozita nuk mund të kalojnë në Gjykatën Kushtetuese”, përfundon Kryeziu.

Kushtetuta e Kosovës është miratuar më 9 prill të vitit 2008, dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat