EULEX-i ndihmon për riaktivizimin e nënstacionit të Policisë së Kosovës në Suhodoll

Aktuale

EULEX-i ndihmon për riaktivizimin e nënstacionit të Policisë së Kosovës në Suhodoll

Më: 4 prill 2024 Në ora: 11:37
EULEX dhe Policia

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) i ka dorëzuar sot dy kontejnerë që do të përdoren për riaktivizimin e nënstacionit policor në Suhodoll.

Në njoftimin e EULEX-it thuhet se duke bërë të mundur riaktivizimin e nënstacionit, EULEX-i mbështetë Policinë e Kosovës në angazhimet e saj me shërbime policore të orientuara drejt komunitetit.

“Dhurimi i kontejnerëve po ashtu ka për qëllim rritjen e besimit të banorëve në institucione. Sapo të riaktivizohet, nënstacioni policor në Suhodoll do t’ua mundësojë të gjitha komuniteteve që jetojnë në atë zonë të kenë qasje më të mirë në shërbimet policore të orientuara në komunitet në të dyja gjuhët zyrtare të Kosovës dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt Policinë e Kosovës për dorëzimin e aplikacioneve apo të ankesave, si dhe të marrin mbështetje policore”.

“Tutje, prania e vazhdueshme e Policisë së Kosovës në nënstacionin policor në Suhodoll pritet të përmirësojë gjendjen e sigurisë përmes avancimit të kapacitetit të policisë për promovimin dhe mbrojtjen e sigurisë së të gjithë atyre që jetojnë në atë zonë, në një mënyrë të orientuar drejt komunitetit”, thuhet në njoftim.

Donacioni nga EULEX-i është në pajtueshmëri me mandatin e Misionit për mbështetjen e institucioneve të caktuara të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnisë dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat evropiane më të mira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat