Mes debateve pozitë e opozitë themelohet komisioni hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore

Aktuale

Mes debateve pozitë e opozitë themelohet komisioni hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore

Nga: Bota sot Më: 4 prill 2024 Në ora: 07:13 Përditësuar në ora: 17:56 më 04.04.2024
Vjosa Osmani

​Themelohet komisioni hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore

Kuvendi i Kosovës, pas debatit mbi katër orësh ka themeluar sot Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

Pro themelimit të komisionit votuan 61 deputetë.

Ndërsa 4 sosh ishin kundër.

Kryesues i komisionit do të jetë deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

​Ministri Murati: Blerja e librave nga prindërit ka efekte pozitive

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati konsideron se mënyra e mëparshme ku nxënësit furnizoheshin me libra çdo vit ka pasur efekte negative, përkundër qëllimit fisnik që mund të ketë pasur.

Sipas tij, me shtypjen e librave çdo vit dhe shpërndarjen e tyre tek nxënësit, ka ndikuar në aspektin e cilësisë dhe në shpenzimet e buxhetit.

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ministri Murati vlerësoi si metodë më të mirë, blerjen e librave nga vetë prindërit, ngase sipas tij tekstet zgjidhen me më kujdes sa i përket cilësisë dhe mund të ruhen për disa vite që të përdoren nga gjeneratat e tjera.

Murati: Furnizimi i nxënësve me libra nga shteti ka pasur efekte negative

Çështja e librave të financuara apo të siguruara nga shteti në fillimet e saj mund të ketë qenë edhe një synim fisnik, nëse do të flisnim sipërfaqësisht…Megjithatë, përgjatë rrugëtimit kemi parë se është stërkeq kjo metodë dhe stërkeqja ka ardhur qoftë nga mekanizmi dhe mënyra se si është përzgjedhur apo edhe nga rregullimet ligjore që janë bërë në të kaluarën…Stërkeqja ka ardhur në aspektin e sasisë vjetore të librave. Për shembull nëse para 15 viteve, në klasën e parë kanë qenë dy libra, abetarja dhe matematika, për shkak të këtij mekanizmi të krijuar ku shteti paguan pavarësisht sa libra janë të nevojshme, ka pasur incentive që shtëpitë botuese që ndoshta t’i korruptojnë komisionet të cilat kanë caktuar kurrikulat se çfarë libra duhet të ketë dhe tash kemi përfunduar që klasa e parë t’i ketë 14 libra…Çështja e dytë që e stërkeq apo që ka ndikuar pastaj edhe në mos shfrytëzim efikas të buxhetit ka qenë edhe cilësia e vetë librave dhe ruajtja e tyre. Nëse në të kaluarën një libër e ka blerë vetë prindi dhe ka vendosur cilin libër po e merr e ka shikuar që libri të jetë I cilësisë dhe të jetë i lidhur mirë dhe të jetë I qëndrueshëm. Po ashtu, është siguruar që libri të ruhet sepse ka qenë pronë e familjes. Ka pasur edhe aspekti i cilësisë, kursimit buxhetor por edhe aspektin ambiental. Nuk ka pasur nevojë të shtypen 300 apo 400 mijë libra çdo vit”, tha Murati.

Gjatë seancës plenare, në të cilën po diskutohet për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit, Murati potencoi se koha kur prindërit blinin vetë tekstet shkollore për fëmijët, ndonëse ka qenë i imponuar si mekanizëm, ka pasur efekte pozitive.

​Deputeti i PDK-së vendos pankartën e Nagavcit dhe Milahit në foltore, pyet sa miliona janë vjedhur

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati ka vendosur në foltoren e Kuvendit të Kosovës një pankartë të ministres së Arsimit, Arberie Nagavci dhe të anëtares së kryesisë Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Milahit, si dhe shenjën e shtëpisë botuese “Albas” në mes, duke thënë se përmes saj janë vjedhur miliona.

Ai pati një përplasje me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për çka kjo e fundit u akuzua për vjedhje milionëshe në procesin e subvencionimit me tekste shkollore për nxënësit.

Kastrati i quajti “rrencë” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe ministren Nagavci.

Ndër të tjera, ai tha se subvencionimi i nxënësve me tekste shkollore është një skenar përmes të cilit është bërë korrupsion e krim i organizuar.

Kastrati: Po të kishte olimpiadë ndërkombëtare për gënjeshtarë, do të dilnit të parët

“Kjo është logoja e Albasit, ajo që po e shihni këtu mes Dejona Mihalit dhe kësaj tjetrës. Këto nuk janë aventurat e Cipolinos por janë aventurat e verës me agjin, dhe autore është Nagavci dhe Krenare Lleshi dhe Alida Thaçi. Pra, e ka paguar Albasi këtë. Këto nuk ka nevojë të bëjnë kamuflimi e manipulime e të thonë jo kështu jo deklarimet jo pasuria e të tjera…Me fotografi duam ta ilustrojnë se pse ka ndodhur i gjithë ky skenar kaotik vitin e kaluar për të ardhur deri tek një krim i organizuar me këto milionat e Albasit të cilët i kanë shumëfishuar pasi që ju keni ardhur në pushtet… Po të shpallej një olimpiadë ndërkombëtare për gënjeshtarë ky (Albin Kurti) e zë vendin e parë, por po të shpallej një konkurs ndërkombëtarë nëse ka organizata të tilla të specializuara për ta bërë sa më kaotik fillimin e vitit shkollor, nuk keni konkurrencë e bëni ju. Parvjet me greva, me sindikata dhe vitin e kaluar me këtë temën që po flasim sot… Ky skenar është i organizuar, ka erë të madhe të korrupsionit që shkojnë në krimin e organizuar. Filluat kinse, ofertat janë shtrenjtë, doli atje kompania dhe tha e keni katër për qind më lirë. Kur e bëtë 8 minuta para fillimit të vitit shkollor dolët dhe improvizuat me një vendim. Vendim ky që e dëmtoi buxhetin, mësimdhënësit, shkollën fëmijët…Ju e keni shkelur edhe parimin e Kushtetutës së Kosovës. Sa miliona i keni vjedhur përmes Albasit?”, tha Kastrati.

Lidhur e këto akuza, Nagavci tha se e ka të pamundur të diskutojë për tekstet shkollore me folësit që sipas saj i ka zgjedhur PDK-ja, derisa tha se kjo parti nuk ka ide se si funksionon procesi i furnizimit me tekste.

Nagavci tha se mezi pret që të formohet Komisioni Parlamentar Hetimor lidhur me këtë çështje, e që sipas saj do të mund të hetohen abuzimet dhe keqpërdorimet që janë bërë nga partitë e tjera përgjatë viteve sa udhëhiqnin ministrinë e Arsimit.

Ndër të tjera, Nagavci tha se shumë shpejtë do të publikohet një raport i auditorit, i cili do të tregojë keqpërdorimet miliona euroshe në procesin e dixhitalizimit.

Nagavci: E pa mundur për të diskutuar me folës që ka zgjedhur PDK-ja

“Do të doja shumë të diskutoja me profesor universitar për tekstet mësimore, por jo është e pa mundur me këta folës që PDK-ja ka zgjedhur t’i bëjë. Ju nuk e keni idenë e procesit të furnizimeve me tekste. Pra, i shihni gjithmonë shtëpitë botuese si euro, si transaksione, si xhirollogari. Ma shpjego pak se si mund të keqpërdoren mjetet kur në vend se të shkojë në xhirollogaritë e tre katër shtëpive botuese, dy siç keni bërë ju shkojnë tek qindra mijëra qytetarë. Përtej kësaj, PDK-ja ka pasur ish ministra të arsimit përfshirë Enver Hoxhën me të cilin ju mburreni. Pse nuk është sot këtu të flas për reformat dhe tekstet. Mezi po pres ta formojmë Komisionin Hetimor. Askush nga ne nuk ka të bëjë me këto ëndrra që ju I shihni…Shumë mirë që fole edhe dixhitalizimin. Një raport i auditorit që do të publikohet shumë shpejtë do të nxjerrë të palarat edhe në dixhitalizim. Miliona euro të keqpërdorura edhe në dixhitalizim nga PDK-ja…Ju do të duhej fare të mos flisni”, tha Nagavci.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023-2024. 

Haxhiu i PDK-së kërkon hetim parlamentar për procesin subvencionimit të teksteve shkollore

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kërkuar themelimin e një Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit, Shkencë dhe Teknologjisë (MASHT).

Ai ka akuzuar ministren, Arbërie Nagavci dhe zëvendësin e saj Taulant Kelmendin, për manipulim dhe abuzim me tekstet shkollore.

“Eksperti i punësimeve familjare në Universitetin publik. A mund të na jap një pasqyre veç e veç për çdo vit ka sa milionë janë shpenzuar edhe komisionin hetimore ka me na zbardhë më së miri këtë manipulim me tekste shkollore… Pra, respektivisht qeverisja së MASHTI-it nga ministrja Nagavci janë dyfishuar shpenzimet për blerjen e teksteve shkollore.

Prandaj, hetimi i procesit të subvencionit që u aplikua në këtë vit shkollore është i domosdoshëm. Ën media ka pasur publike që disa prej këtyre subvencionimeve kanë përfunduar edhe në llogaritë bankare jashtë vendit. Nëse ka pasur subvencionim për tekstet shkollore brenda RKS-së për nxënësit që mbajnë mësim në shkolla tona, si kanë arritur që mjete financiare nga subvencionimi të përfundojnë në llogari bankare jashtë RKS-së”, ka thënë Haxhiu në seancë plenare të Kuvendit.

Themelimin e këtij Komisioni  e ka cilësuar si të nevojshëm Haxhiu për të zbardhur keqpërdorimet brenda MASHTI-it, në lidhje me procesin e subvencionimit.

“Pra, për të siguruar që do të duhet të ketë një hetim parlamentar mjaftojnë këto fakte e shumë të tjera që nuk mund t’i përmbledh brenda 10 minutash.

Prandaj konsiderojmë që është mese e nevojshme themelim i këtij komisioni parlamentar për të zbardhur abuzimet dhe keqpërdorimet me teste shkollore, mos përmbushjen e detyrimit ligjore të Ministrisë së Arsimit për të siguruar tekste falas dhe për të justifikuar dyshimin se përse prindërit u detyruar të vrapojnë nëpër libraritë e qyteteve, e në disa nuk kishte të tilla e të vrapojnë nga një qytet në tjetër për të siguruar tekstet shkollore, të cila ishin siguruar falas vite me parë, e që tash është detyrim ligjore. Ky dështim duhet të zbardhet me abuzimet dhe keqpërdorimet tjera”, ka shtuar Haxhiu.

Komisioni Hetimor për librat, Reshitaj: Më mirë kjo punë të bëhet brenda Komisionit për Arsim

Deputetja Albena Reshitaj para deputetëve në kuvend ka dhënë një propozim në lidhje me Komisionin Hetimor për subvencionimin e librave shkollor.

Ajo ka kërkuar që kjo punë të bëhet brenda Komisionit për Arsimit.

Sipas saj në këtë mënyrë s’do të kishte nevojë as për pagesë shtesë.

“Të nderuar kolegë deputetë, unë iu propozoi që në vend që të formohet një Komision Hetues Parlamentar, i cili edhe kushton, duket kuvendi të ndajë shtesë mjete financiare për deputetët të cilët punojnë aty, më mirë do të kishte me qenë që kjo punë të bëhet brenda Komisionit për Arsim, sepse ne edhe aty jemi për këtë punë dhe paguhemi dhe s’do të ketë nevojë pagesë shtesë të bëhet në një komision të ri”, është shprehur ajo.

Gola: Kërkesa e opozitës është e mjegullt në kuptimin e përgjegjësisë dhe procesit të teksteve shkollore

Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola, në seancën e kuvendit deri sa po diskutohet për tekstet shkollore ka thënë se kërkesa e opozitës është e mjegullt në kuptimin e përgjegjësisë dhe procesit të teksteve shkollore.

“Inflacioni ka prekur kërkesat buxhetore të komisioneve hetimore, po shoh që ka një disproporcionalitet . Një nga opsionet e mundshme është furnizimi me tekste shkollore të nxënësve, kërkesa e opozitës është e mjegullt në kuptimin e përgjegjësisë dhe procesit të teksteve shkollore. Prokurimi nuk ka të bëjë me tekste shkollore sepse është i ndarë, janë kriteret dhe procedurat e qarta ku aplikojmë shtëpitë botuesve. Mënyra se si shpreh me një. gjuhë duke thënë se ka dështuar, më pastaj bën pyetje a janë furnizuar nxënësit me tekste, këtu ka paragjykim. Nëse është fjala trajtim me urgjencë ky proces ka kaluar në shtator, sa i përket pasaktësive më duhet të përmend se nuk është e vërtetë se nxënësit e klasës së 6,7,8 nuk kanë pranuar librat, ekziston një praktikë për marrjen e teksteve shkollore. Është arritur ngritja e cilësisë së teksteve shkollore, ka konkurrencë, tekstet alternative kanë krijuar mundësi që mësimdhënësit me zgjedh”.

Ndërsa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vlora Dumoshi është shprehur se qindra mijëra orë janë humbur dhe sipas saj nuk mund të llogariten me euro sepse s’ ka formulë që mundet me i llogaritë.

“Nisja e vonshme e vitit shkollor, nuk ka ndodh në asnjë qeveri paraprake. Qindra mijëra orë janë humbur nuk mund të llogariten me euro, s’ ka formulë që mund me i llogarit ju e keni bërë këtë duke u thirrur në buxhet. LDK mbështet themelimin e komisionit që ju ministre të jepni llogari. Nëse ju nuk pranoni që ky komision të mos formohet kjo do të  thotë se ju keni i gabuar siç keni shkelur kushtetutën më parë. Ministre, sipas një studimi të organizatës ETEA 76% e tyre kanë deklaruar se nxënësit si kanë librat. Ky studim është bërë me nisjen e vitit 2023-24. Vetëm 48% e nxënësve i kanë librat shkollorë, vetëm një muaj pas fillimit të vitit shkollor vetëm 16.6% nxënësit fillor kishin librat. 54.5% të nxënësve kanë thënë se nuk po arrijnë të zhvillojnë me rregull procesin mësimor duke mos pasur mundësi mbushjen e plan programit të tyre deri më tani nuk kemi një pasqyrë se çka ka ndodhur. Shumë komuna nuk kanë as librari, i bëjmë thirrje prokurorisë të nis hetimet”, ka thënë Dumoshi.

Berisha: Kosharja i hapi rrugë pavarësisë së shtetit të Kosovës

Hisen Berisha nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka uruar përvjetorin jubilar të Betejës së Koshares.

Berisha në seancën solemne në Kuvendin e Kosovës tha se Kosharja i dha një dimension të sigurtë fitores së lirisë ndaj siç tha ai, krimit të barbarisë serbe mbi popullin shqiptar.

“Në emrin tim dhe deputetëve të Grupit Parlamentarë të PDK-së, lidershipit të saj prezent dhe atyre që janë në Hagë për ta mbrojtur pastërtinë e luftës dhe shtetit tonë Republikën e Kosovës, të i’u urojë sot në përvjetorin jubilar të Betejës së lavdishme në Koshare.

Koshares që i dha një dimension të sigurtë fitores së lirisë ndaj krimit shtetëror dhe barbarisë serbe mbi shqiptarët, për t’i hapur rrugën pavarësisë së shtetin tonë Kosovës. Koshares që e mposhti atë ushtrinë hyjnore siç e cilësonte regjimi i Millosheviqit duke ia marrë që në sulmin e parë kazermën ushtarake në Koshare, për të vazhduar me luftimet në Qafë të Morinës”, tha deputeti i PDK-së në foltoren e Kuvendit.

Kadrijaj: Në front u mobilizuan qytetarë nga fshati e qyteti mjekë, mësues që i dolën zot vendit

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në 25 vjetorin e Betejës së Koshares, ka thënë se në front u mobilizuan qytetarë nga fshati e qyteti mjekë, mësues, të tjerë nga diaspora që i dolën zot vendit.

“Kufiri që ndau vëllezërit e një gjaku dhe një gjuhe, Epopeja e UÇK-së e në fillimin e muajt mars në Prekaz ra për të mos vdekur kurrë komandanti Adem Jashari, për të vazhduar në Epopenë e Dukagjinit dhe në gjithë Kosovën. Ishte e vetmja formë e përgjigjes, lufta e armatosur. Në front u mobilizuan qytetarë nga fshati e qyteti mjekë, mësues, tjerë nga diaspora që i dolën zot vendit. Ishte bekim që kishim përkrahjen edhe nga Shqipëria. Nuk ka ndjenjë më të mirë se mu beku me flamurin kuq e zi. Unë ushtar i UÇK-së betohem se do luftoj për çlirimin e tokave shqiptare do jem përherë besnik vigjilent e i disiplinuar i gatshëm në çdo kohë do luftojë për të mbrojtur atdheun. Të gatshëm ishim edhe ne mjekët në natë të errët dhe  acar ecëm për të mos u vërejtur nga forcat e armikut”, ka thënë Kadrijaj.

Deputetja Kadrijaj ka shtuar se për ne të gjallët më e pakta që mund të themi është nderim për heronjtë e këtij vendi Kosova është amanet i dëshmorëve”.

“Kohët e vështira sjellin njerëz të zotë e njerëz të zotë kohët e mira. Përballë rrugës ranë mbi 423 të plagosur ndanë jetën me vdekjen për t’i dhënë lirinë Kosovës. Për ne të gjallët më e pakta që mund të themi është nderim për heronjtë e këtij vendi Kosova është amanet i dëshmorëve”, ka shtuar Kadrijaj.

Kurti: Derisa në ushtrinë serbe gjendeshin rusë, në UÇK kishte ushtarë nga Evropa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në 25 vjetorin e Betejës së Koshares, ka thënë se shembja e kufirit të padrejtë që ndante Kosovën dhe Shqipërinë, sa strategjike kishte edhe rëndësi historike e kombëtare.

Ai ka folur për sulmet që UÇK-ja i bëri bazave Jugosllavisë.

Ai ka shtuar se politika përfaqësuese dhe aktivizmi shoqëror nuk duhet të shihen të ndara nga historia.

“Respektimi i traditave shoqërore dhe historisë së popullit janë parime dhe praktika shoqërore në kulturën e ndërtimit të një shteti modern. Politika përfaqësuese dhe aktivizmi shoqëror nuk duhet të shihen të ndara nga historia. Në mes të këtij vitit do të përmbushet një çerek shekulli kur vendi ynë u çlirua nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Sot në vigjilje të përvjetorit të 25 të Betejës së Koshares le ta kujtojmë me nderime të merituara këtë betejë. Lufta për shembjen e kufirit kishte rëndësi sa strategjike e operative aq edhe historike e kombëtare. Kur e vizitojmë kompleksin memorial, Beteja e Koshares, e gjejmë edhe Agim Ramadanin nga Zhegra e Gjilanit edhe Sali Çekaj nga Peja”, ka thënë ai.

Kurti është shprehur tutje se derisa në ushtrinë serbe gjendeshin rusë, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kishte ushtarë nga Evropa.

“Meqë Beteja e Koshares ishte një luftë e betejës për liri gjejmë dëshmorë edhe nga Italia, Franca e Algjeria. Derisa nga radhët e ushtrisë serbe gjenim ushtarë rusë, në radhët e ushtrisë së UÇK-së gjenim ushtarë nga Evropa dhe jo vetëm”, ka thënë kryeministri.

Konjufca: Në Koshare luftoi e gjithë shqiptaria

Themelimi i UÇK-së është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar në 100 vjetët e fundit, ndërsa Beteja e Koshares është ndër betejat më të lavdishme të luftës tonë për çlirim nga Serbia. Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në seancën solemne me rastin e 25-vjetorit të Betejës së Koshares.

Kryeparlamentari theksoi se ashtu siç UÇK-ja ia dha çlirimin dhe lirinë Kosovës, Beteja e Kosharës ia dha namin UÇK-së, si një ushtri e aftë për ta sfiduar fuqishëm armatën serbojugosllave, duke e bërë atë të paaftë për të garantuar kufirin e vendosur dhunshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Jemi mbledhur për ta kujtuar këtë betejë historike të UÇK-së dhe për të nderuar të gjithë heronjtë e saj në krye me heroin e Kosovës, Agim Ramadanin, komandantin emblematik të Brigadës 138. Beteja e Koshares u bë shtegu pa kthim i përpjekjeve gati një shekullore të kombit shqiptar për çlirim e bashkim. Kjo betejë ishte sinonimi më i mirë i betimit të ushtarit të UÇK-së”, ka theksuar Konjufca.

Tutje kryeparlamentari tha se shembja e gurit të kufirit me çizmet e komandantit Agim Ramadani e Sali Çekaj ishte njëra nga ngjarjet më historike të luftës çlirimtare, derisa theksoi se në kontekstin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, Beteja e Koshares do të vlerësohet së paku për tri aspekte tejet të veçanta të saj.

“E para kjo betejë paraqet operacionin më të madh luftarak të UÇK-së, por po ashtu edhe beteja më e përgjakshme me 111 dëshmorë, qindra të plagosur e me mijëra luftëtarë të cilët ishin në front dhe në luftë të drejtpërdrejt kundër ushtrisë së ish-Jugosllavisë. Kjo betejë ia ndërrojë fizionominë UÇK-së si një ushtri tashmë e aftë të ndërmerrte operacione luftarake në shkallë të gjerë kundër Jugosllavisë e Serbisë. Pra, beteja e Koshares do të vlerësohet për cilësitë e saj të larta, të një beteje të lavdishme, e realizuar si një operacion luftarak i paparë deri atëherë nga UÇK-ja”, ka shtuar Konjufca.

Aspekti i dytë sipas Konjufcës që këtë betejë e bën të veçantë është fakti se ajo shënon një përbashkim të lartë kombëtar.

“Një gjithëpërfshirje e luftëtarëve që merrnin pjesë nga të gjitha viset e kombit tonë, duke e përfshirë edhe mërgatën tonë e bën këtë betejë njërën nga betejat më domethënëse në kuptimin e mobilizimit gjithëkombëtar shqiptar për çlirimin e Kosovës, sepse në Koshare luftoi e gjithë shqiptaria. Dhe e treta Beteja e Koshares është një nga betejat më historike të UÇK-së edhe për faktin se ajo u zhvillua edhe si një operacion krahë për krahë  me aleancën më të fuqishme demokratike të botës, me NATO-n për ndalimin e spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë ndaj popullit shqiptar. E kjo seancë po mbahet sot kur është 75 vjetori i themelimit të NATO-s. Pra, Beteja e Koshares është edhe një betejë me karakter ndërkombëtar, jo vetëm sepse aty morën pjesë e luftuan dhe ranë edhe tre dëshmorë të huaj, por edhe sepse kjo betejë ja humbi përfundimisht kontrollin Jugosllavisë mbi kufirin e vendosur dhunshëm në mes të shqiptarëve, e po ashtu ia dha goditjen përfundimtare Jugosllavisë e Serbisë”, ka nënvizuar Konjufca.

Në fund ai tha se shënimi i 25-vjetorit të Betejës së Koshares është po ashtu një moment i rëndësishëm i kujtesës dhe reflektimit se rruga jonë për pavarësi dhe shtetësi është para se gjithash rezultat i sakrificës së popullit dhe heroizmit të luftëtarëve e komandantëve të UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat