Mes debateve pozitë e opozitë themelohet komisioni hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore

Aktuale

Mes debateve pozitë e opozitë themelohet komisioni hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore

Nga: Bota sot Më: 4 prill 2024 Në ora: 07:13 Përditësuar në ora: 11:07 më 04.04.2024
Vjosa Osmani

Kurti: Shembja e kufirit që ndante shqiptarët kishte rëndësi historike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në 25 vjetorin e Betejës së Koshares, tha se shembja e kufirit të padrejtë që ndante Kosovën dhe Shqipërinë, sa strategjike kishte edhe rëndësi historike e kombëtare.

Ai ka folur për sulmet që UÇK-ja i bëri bazave Jugosllavisë.

Osmani: UÇK dëshmoi shpirtin dhe guximin e paepur për lirinë tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në 25 vjetorin e Betejës së Koshares, tha se njëzet e pesë vjet më parë, ne qëndruam në një udhëkryq ekzistencial të krijuar nga padrejtësia, shtypja, tirania, por mbi të gjitha nga tendenca e regjimit gjenocidal i Serbisë për shfarosje të popullit tonë.

“Megjithatë, ditëm të mobilizohemi të gjithë në një front të përbashkët, gra e burra, duke mbrojtur dinjitetin dhe të drejtën tonë për liri dhe shtet. Sot, jemi këtu për të nderuar guximin dhe përkushtimin e vajzave e djemve të UÇK-së, të cilët dëshmuan shpirtin dhe guximin e paepur për lirinë tonë, për Republikën tonë”, tha Osmani.

Sipas saj ,sikurse edhe në shumë kapituj të historisë sonë të luftës, guximi, sakrifica dhe vendosmëria përmblidhen edhe në Betejën e Koshares.

“Kësaj rezistence të armatosur i parapriu rezistenca paqësore nën udhëheqjen e presidentit historik, arkitektit të pavarësisë së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova. Kjo rezistencë paqësore për gati një dekadë, ka sfiduar padrejtësinë e regjimit kriminal serb, ka bashkuar të gjithë shqiptarët rreth kauzës për liri, pavarësi e demokraci dhe është shndërruar në frymëzim për botën duke shënuar kthesë si rezistenca paqësore me efektin më të madh në historinë moderne sepse si rezultat pati jo vetëm bashkimin e shqiptarëve në një qëllim, por edhe ndërtimin e aleancave të fuqishme të cilat na dolën në ndihmë duke parandaluar pikërisht shfarosjen që synonte regjimi serb”, tha Osmani.

E para e vendit theksoi se filozofia e mbrojtjes së pragut të shtëpisë gradualisht u transformua në një nevojë të domosdoshme për mbrojtje të përgjithshme të shtëpisë sonë- Kosovës.

“Ndaj nga pragu i shtëpisë së tij, kryeheroi ynë, Adem Jashari bashkërisht me familjen i priu luftës në mbrojtje të dinjitetit dhe të drejtës sonë për liri”, tha ajo,.

Duke shtuar se ata ranë në altarin e lirisë dhe tashmë janë flakadan i përhershëm i lirisë dhe shtetit tonë.

“Pjesëmarrja në luftën tonë për liri nuk pati kufij gjeografik për shqiptarët kudo që ndodheshin ata. Prandaj, natyrshëm, varganit të luftëtarëve të lirisë  iu bashkua edhe mërgata jonë dhe shumë luftëtarë nga Shqipëria e viset e tjera shqiptare. Shumë veprimtarë të hershëm të rezistencës kombëtare, shumë eprorë e profesionist ushtarakë pas përgatitjeve iu bashkuan radhëve të ushtrisë sonë çlirimtare”, theksoi ajo.

Sipas saj, pas betejës së suksesshme të Loxhës, e cila u zhvillua më 1998, disa njësite të UÇK-së, të fuzionuara në Brigadën 138, u riorganizuan dhe u përgatitën për operacionin më të madh ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të njohur më pas si Beteja e Koshares,  e cila shënoi njërën ndër betejat më të suksesshme të luftës së UÇK-së kundër forcave  të regjimit gjenocidal të Serbisë. 

“Në këtë betejë, të filluar më 9 prill 1999,  Grupi Operativ 3, nën udhëheqjen e oficerëve të rryer ushtarakë profesionist, si: Rrustem Berisha, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Anton Quni dhe shumë të tjerë, arritën që ta realizojnë thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Pas dy ditë luftimesh të ashpra, në fushë të nderit ra strategu i papërsëritshëm ushtarak, frymëzuesi i gjithë luftëtarëve, piktori, poeti, e artisti shumëdimensional, Agim Ramadani –Komandant Katana, me emrin e të cilit më pas u pagëzua Brigada 138. Megjithëse humbje e madhe për luftën, rënia e Komandantit Agim Ramadani, shtoi forcën, motivin dhe vendosmërinë që idealin dhe amanetin e tij, bashkëluftëtarët ta qojnë deri në fund”, theksoi Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në 25 vjetorin e Betejës së Koshares, tha se në vazhdën e përpjekjeve stoike për liri, në altarin e lirisë ra edhe veprimtari e patrioti i madh, njëri nga udhëheqësit e njësiteve të para të armatosura dhe të stërvitura bashkë me Adem Jasharin e Zahir Pajazitin, si dhe njëri nga udhëheqësit kryesor të Betejës dhe Brigadës, Sali Çekaj- Veterani.

“Ai ia kushtoi një jetë të tërë atdheut, duke u ndodhur në ballë të të gjitha proceseve për liri e pavarësi. Pos këtyre dy figurave emblematike, në Betejën e Kosharesë ranë për liri edhe 111 dëshmorë. Beteja që nisi me 9 prill, u zhvillua pandërprerë deri në fitoren përfundimtare në mesin e qershorit 1999”, tha ajo.

Sipas të parës së vendit, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Betejën e Koshares, sikurse edhe në të gjitha betejat, kudo nëpër Kosovë, dëshmuan shpirtin vetëmohues dhe përkushtimin për t`i dhënë gjithçka atdheut, pra edhe vlerën më sublime- jetën.

“Përkrah aleatëve tanë, Aleancës Veriatlantike - NATO-së, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmbushën misionin për ta bërë Kosovën të lirë”, tha Osmani.

Deputetët nderojnë të rënët për liri në Betejën e Koshares

Sot Kuvendi i Kosovës përmes një seance solemne shënon 25 vjetorin e Betejës së Koshares.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në fillim të seancës mbajtën një minutë heshtje për të rënët për liri në Betejën e Koshares.

Ndryshe në Betejën e Koshares, ranë 114 Dëshmorë të Kombit, prej të cilëve ka të dekoruar me Urdhrin Hero i Kosovës.

Në këtë betejë kishin marrë pjesë edhe vullnetarë ndërkombëtar, shtetas të huaj nga: Italia, Franca etj.

Kuvendi do të shqyrtojë projekt-deklaratën për raportet Kosovë-SHBA

Sot do të mblidhet Kuvendi të Kosovës. Pikë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhë votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Këto janë pikat e rendi të ditës: Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,  votimi i Projektligjit për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm, votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës, votimi i Projektligjit për  ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”, votimi i Projektligjit për  ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare,  për  pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”.

Po ashtu në këtë seancë do të bëhet shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Drejtësia”, votimi në lexim të dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave,  votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Verëra, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë, votimi në parim i Projektligjit për gjendjen civile, votimi në parim i Projektligjit për shpronësimin e pronës së paluajtshme, shqyrtimi i parë Projektligjit për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave, shqyrtimi i parë i Projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Gjykatën Administrative, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Inspektoratin qendror të mbikëqyrjes së tregut, shqyrtimi i parë i Projektligjit për mbrojtjen e konsumatorit. Po ashtu kuvendi do të votojë edhe Programin Kombëtar të Shkencës 2023/2028.

Në rend dite janë edhe këto pika: Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti, shqyrtimi i rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për tregti me jashtë, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për vitin 2021”, shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Renovimi dhe konfigurimi i stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”, shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2022, shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2022, shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Autoritetit të Konkurrencës i Republikës së Kosovës për vitin 2022, themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, zgjedhja e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat