Ministri Peci tregon se në skandalin me “Apetitin”, dyshohet se është i përfshirë edhe një inspektor i AUV-it

Aktuale

Ministri Peci tregon se në skandalin me “Apetitin”, dyshohet se është i përfshirë edhe një inspektor i AUV-it

Më: 2 prill 2024 Në ora: 17:32
Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar në lidhje me raportimet për dyshimin e përfshirjes së një operatori ekonomik të prodhimit dhe tregtimit të mishit dhe mundësisë së përfshirjes së një inspektori të AUV-it në mashtrim e manipulim me dokumente zyrtare.

Peci tha se inspektori është dërguar në komision disiplinor ndërsa ndaj operatorit ekonomik është vendosur masa e ndalesës për eksport-import.

“Për ta vërtetuar dyshimin e ngritur, është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin, gjurmueshmërinë dhe përputhshmërinë e të gjitha hyrje-daljeve të operatorit ekonomik”.

“Po ashtu janë informuar edhe autoritete tjera si Doganat e Kosovës dhe ATK të cilat do të gjurmojnë për pjesën e mandatit të tyre dhe në të njëjtën kohë do e mbështesim njëra-tjetrën, me të dhënat rreth të gjeturave që burojnë nga kontrollet e detajuara”, shkroi Peci.

Tutje, ai tha se në rast të konfirmimit të pretendimeve, të gjithë individët e përfshirë, bashkë me operatorin ekonomik do të përballen me pasoja ligjore dhe administrative.

Emisioni hulumtues i TV Klan, “Stop” dje ka raportuar se kompania nga Vushtrria “Apetit sh.p.k.”, e ka shitur mishin e ngrirë me origjinë nga Brazili, si mish të freskët nga Kosova.

Për ta shitur mishin në këtë formë, sipas raportimeve të këtij mediumi, kompania në fjalë e shkrinte mishin 24 orë përpara, për ta bërë të duket si mish i freskët.

“Stop” e ka trajtuar këtë temë, duke qenë që sipas burimeve që kanë, në vitin 2023 në Shqipëri janë importuar rreth 600 mijë kilogramë mish nga kompanitë shqiptare, nga kompania Apetit sh.p.k.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat