Mali i Zi, kritika ndaj deputetes Vukiçeviq për votën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Aktuale

Mali i Zi, kritika ndaj deputetes Vukiçeviq për votën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Më: 27 mars 2024 Në ora: 21:50
Këshilli i Evropës

Votimi kundër raportit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nga përfaqësuesja e Malit të Zi në Komisionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit për politikën dhe demokracinë, shkaktoi reagime tek opozita në Malin e Zi.

“Vota e kryetares së delegacionit malazez Maja Vukiçeviq, e cila është përfaqësuese e partisë pro-ruse dhe pro-serbe, kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës mund të mbrohet me tezën se veprimi i çdo deputeti është i pavarur, por nuk mund të mbrohet nga fakti se një votim i tillë do të dëmtojë para ndërkombëtarëve reputacionin dhe politikën e jashtme të Malit të Zi”, tha deputeti i Partisë Social demokrate në opozitë, Millosh Gjuriçkoviq.

Gjuriçkoviq tha se një qëndrim i tillë shkakton shqetësim sepse vjen nga deputetja Vukiçeviç, e cila përfaqëson partinë e shumicës parlamentare dhe sipas paralajmërimeve së shpejti do të jetë pjesë e qeverisë.

Deputeti i opozitës Gjuriqkoviq, vuri në dukje se votimi kundër i deputetes Vukiçeviq, si dhe veprimet e kryetarit të parlamentit, Andrija Mandiq, dërgojnë mesazhin se Mali i Zi nuk është partner i besueshëm dhe se politika e jashtme e Malit të Zi nuk është më në përputhje me politikën e jashtme të BE-së.

Edhe Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjikanoviq ka reaguar ndaj votimit kundër të deputetes malazeze në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Përfaqësuesi i kësaj partie Millosh Nikoliq tha në platformën X tha se Ministria e Jashtme duhet të sqarojë qëndrimin e saj.

“A i mbështet qeveria këto pikëpamje dhe a ka Mali i Zi një politikë të jashtme të bashkuar?”, thuhet në postimin e tij.

Kjo sipas zotit Nikoliq dëshmon se partitë pro-serbe dhe pro-ruse janë ideologë të qeverisë së re dhe se ky gjest do të dëmtojë marrëdhëniet në rajon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat