​LDK për kontratat njëburimore: Qeveria e Kosovës të jep llogari

Aktuale

​LDK për kontratat njëburimore: Qeveria e Kosovës të jep llogari

Më: 20 mars 2024 Në ora: 16:45
Foto ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës serish ka shprehur shqetësim në lidhje me kontratat direkte të Qeverisë së Kosovës, ku vetëm në këtë mandat u zbuluan 781 kontrata njëburimore në vlerë 209 milionë euro.

Në një komunikatë për media thuhet se LDK kërkoi përballje në Kuvend në lidhje me këtë çështje, por Lëvizja Vetëvendosje braktisi sallën.

“Tani, duket se Qeveria po shfrytëzon mekanizma tjerë propagandues përmes ndërmarrjeve publike që kontrollohen nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo u dëshmua dhe me reagimin e fundit të Telekomit të Kosovës. Ky reagim, në tentativë që të demantojë informacionin zyrtar të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në vend se të sqaroj të gjitha rrethanat e 21 milion eurove të kontraktuara direkt, zgjodhi të merret me nënkryetaren e LDK-së, Hykmete Bajrami”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër LDK thotë se Nënkryetarja Bajrami ka deklaruar në Kuvend se sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në mesin e 781 kontratave me negocim direkt, në Telekom figurojnë 28 kontrata të tilla në vlerë 21 milionë e 310 mijë euro nga periudha mars 2021- janar 2024.

“Qeveria e Kosovës dhe menaxhmenti i Telekomit obligohen të japin llogari për këto kontrata dhe të sqarojnë nëse janë ndjekur procedurat ligjore të prokurimit publik për secilën. Rritja e numrit të kontratave direkte gjatë këtij mandati është shqetësuese për shkak të mundësive të keqpërdorimit të parasë publike.LDK ka kërkuar themelimin e komisionit hetimor parlamentar për të gjitha kontratat direkte të kësaj qeverie. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat institucionalë ligjorë e kushtetues deri në zbardhjen e të gjitha rasteve ku ka dyshime për keqpërdorim. Njëkohësisht, kërkojmë nga pushteti që të mos i shfrytëzoj ndërmarrjet publike si mjete për propaganda partiake, por të përballet me ne aty ku e ka vendin – në Kuvend”, përfundon komunikata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat