​Osmani: Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit

Aktuale

​Osmani: Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit

Më: 20 mars 2024 Në ora: 15:26
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit në përputhje me strategjinë e miratuar gjithëpërfshirëse kombëtare, një nga rezultatet më të rëndësishme në kuadër të zotimeve në Samitin për Demokraci.

Në kuadër të Samitit të tretë për Demokraci, i mbajtur në Republikën e Koresë, e para e vendit tonë tha se Kosova ka dëshmuar gjithashtu edhe përkushtimin ndaj standardeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit, duke miratuar Deklaratën kundër ndalimit arbitrar në marrëdhëniet ndërshtetërore; duke u bërë pjesë e Deklaratës së Parimeve për ta luftuar represionin transnacional së bashku me gjashtë vende të tjera demokratike, në tetorin e kaluar, si dhe duke punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara drejt avancimit të përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar manipulimin e informacioneve nga ndonjë shtet i huaj.

Osmani ka thënë se zotimet e marra në kuadër të Samitit për Demokraci i kanë prirë rrugëtimit të Kosovës në politikë dhe vendimmarrje.

“Teksa po flas para jush, ne jemi duke i bërë përgatitjet për ta mbajtur edicionin e dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në muajin prill në Prishtinë. Në këtë edicion, ne do të fokusohemi jo vetëm në partneritetet dhe dialogun për ta ndërtuar paqen e qëndrueshme përmes sigurimit të përfaqësimit më të madh të grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes. Jam e lumtur ta ndajë me ju lajmin për themelimin e Qendrës së parë Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në partneritet me Zyrën e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, në përputhje me Strategjinë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2023 të SHBA-ve, si dhe Planin Kombëtar të Veprimit”.

“Këto masa përfaqësojnë në tërësi një qasje të fuqishme drejtë forcimit të sundimit të ligjit, duke shfaqur përkushtimin e Kosovës ndaj reformës ligjore, transparencës si dhe mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të njeriut. Në këtë rrugëtim, angazhimi i brezit të ardhshëm në proceset demokratike është jetik. Jam e bindur se nëpërmjet njohurive të tyre digjitale gjithnjë në zhvillim, ne kemi mundësi të jashtëzakonshme për ta zhvilluar tutje demokracinë. Veprimet e të rinjve tanë, pasioni i tyre dhe përkushtimi ndaj demokracisë mund ta nxisin një epokë të re prosperiteti. Kjo, ngase, ku ka qëndrueshmëri, këmbëngulje, unitet dhe ambicie, demokracia gjithmonë fiton”, ka përfunduar Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat