Ramabaja: Të krijohet federata Kosovë-Shqipëri, të bëjmë rezistencë përballë Serbisë

Aktuale

Ramabaja: Të krijohet federata Kosovë-Shqipëri, të bëjmë rezistencë përballë Serbisë

Më: 19 mars 2024 Në ora: 14:10
Sadri Ramabaja

Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Sadri Ramabaja, është shprehur se Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkohen në një federatë, si mbrojtje ndaj konflikteve të vazhdueshme me Serbinë.

Komentet Ramabaja i bëri përmes një lidhjeje në Euronews Albania, ku tha se të dy vendet fillimisht në politikat e jashtme dhe të mbrojtjes duhet të jenë të bashkuara.

Ai tha gjithashtu se një Kosovë si shtet multietnik nuk mund të funksionojë normalisht, pasi 93 për qind e popullsisë atje janë shqiptarë.

“Kjo nuk duhej kuptuar si kundërveprim i asaj që po bën Serbia. Ta organizojnë kombin e tyre si të duan dhe munden. Në këtë rivalitet shekullor, ne duhet të bëjmë rezistencë dhe të mos lejojmë që Serbia sërish, si në kohën e lidhjes së Prizrenit, të zgjerohet në dëm të territoreve shqiptare.

Ka ardhur koha që të rishikohet kompromisi strategjik i marrë gjatë fundit të luftës në Kosovë, për krijimin e shtetit të dytë shqiptar pa e përcaktuar si shtet i shqiptarëve. Përcaktimi i Kosovës si shtet multietnik, në një Evropë multietnike, do të shkonte në rast se do të krijoheshin mundësitë për funksionalizimin e plotë të kësaj republike.

Megjithëse kriteret teorike nuk përputhen, sepse 93 % e popullsisë së Kosovës janë shqiptarë dhe të tjerët minoritarë. Nuk ka thuajse asnjë shtet në Europë që është shtet kaq homogjen sa Kosova. Pra si vetëmbrojtje duhet të hidhet në tavolinë variant rezervë i Federatës Shqiptare.

Ky variant duhet të bëhej sa më parë, sepse askush nuk ka ndalon. Sistemi federal i organizimit të shteteve është i njohur. Mbi këtë sistem është organizuar edhe Gjermania.

Të dyja këto njësi shtetërore do të mund të ruanin në një masë subjektivitetin e tyre, por në politikat e jashtme dhe të mbrojtjes, në disa fusha, duhet të ishin të bashkuara dhe të funksiononin si një federatë e mirëfilltë. Nuk po flasim për një Shqipëri të Madhe. Nocionet janë me shumë rëndësi”, tha Ramabaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat