“Jam çu në këmbë para ambasadorëve…Kurti s’duroi as 2 javë”: Ish-kryetari i Deçanit komenton vendimin për Manastirin

Aktuale

“Jam çu në këmbë para ambasadorëve…Kurti s’duroi as 2 javë”: Ish-kryetari i Deçanit komenton vendimin për Manastirin

Më: 14 mars 2024 Në ora: 11:11
Rasim Selmanaj

Pak orë pasi Gjykata Kushtetuese në maj të vitit 2016 kishte marrë vendim se 24 hektarët tokë i takonin Manastirit të Deçanit, kryetari i komunës, Rasim Selmanaj, me mbi 3 mijë qytetarë kishte dalur në protestë. Kjo për të kundërshtuar vendimin, që sipas tyre ishte i ndikuar.

8 vjet më pas, Rasim Selmanaj vazhdon të jetë i të njëjtit mendim. Ish-kryetari i Deçanit në një prononcim për gazetën e ka kritikuar kryeministrin Kurti, duke theksuar se nuk arriti ta durojë presionin as 2 javë.

“Mendimi im është se nuk është dashtë Albin Kurti, kryeministri, me e zbatu vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse ky vendim është i padrejtë, ka qenë i ndikuar nga politika edhe thjeshtë është një dëm që iu ka bërë qyterarëve të komunës së Deçanit në aspektin e zhvillimit ekonomik e turizimit. Ne shpesh e kemi dëgjuar Kurtin kur thojke nuk e di çka është presioni, e këtij nuk i mjaftuan as 2 javë me përballu presionin ndërkombëtar dhe e pranoj një vendim të dëmshëm”, deklaroi në fillim Rasim Selmanaj.

Ai ka treguar disa detaje interesante nga takimet që kishte pasur me ambasadorë sa ishte kryetar i komunës. Sipas Selmanajt, presioni ishte tejet i madh saqë ai kishte shprehur gatishmëri për dorëheqje.

“Unë personalisht 8 vjet kam pasur të njëjtin presion, dy herë në takim me ambasada dhe jam çu në kamë e iu kam thanë që prej këtij momenti unë nuk jam kryetar komune, dhe përderisa unë do të jem kryetar ky vendim kurrë nuk do të zbatohet. Pastaj ata janë tërheqë nga ky presion”, deklaroi Selmanaj.

Sipas ish-kryetarit të Deçanit, ndërkombëtarët kishin bërë presion edhe te gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese për ta marrë këtë vendim.

“Është p.sh Bekim Sejdiu gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese i vetmi që ka votuar kundër në Gjykatën Kushtetuese, se kur i kanë thirr krejt ambasadat një nga një, ka qenë vendim i imponuar nga ambasadat. Komuna ka qenë palë e përjashtuar, ne si komunë kemi mbështetur ndërmarrjet me fituar këtë betejë juridike, kemi paguar avokat, por nuk kemi qenë palë. Kundërshtimi ynë ka qenë duke organizuar edhe protesta për këtë vendim”, theksoi ish-kryetari i komunës.

Eksponentë të ndryshëm politikë, kryesisht nga pushteti, atakuan komunën për faktin se në vendimin e Kushtetueses, theksohet se komuna në atë kohë nuk kishte dërguar komente. Selmanaj e sqaron këtë situatë.

“Komuna e Deçanit nuk ka qenë palë sepse jo vetëm Deçani por secila komunë nuk e ka asnjë kompetencë ligjore mbi ndërmarrjet shoqërore. Në këtë rast, ne kemi përkrahë në të gjitha mënyrat ndërmarrjet me këtë betejë juridike, ka qenë komision i formuar të cilët kanë qenë duke u marrë me këto tema, mirëpo mundohen me u kap dikund kinse nuk janë bërë komentet. Megjithatë, ai komision atëherë që ka qenë i autorizuar u dasht me i dërgu komentet, i ka dërguar me vonesë, por prap se prap ato nuk do të ndikonin në vendim. Sepse ambasadorja e Amerikës, Jacobson, na ka thënë decitivisht kot po e kundërshtoni sepse këtë punë do ta kryejë Gjykata Kushtetuese dhe ashtu ndodhi”, deklaroi Rasim Selmanaj.

Ai ka treguar për pasojat që do të jenë për qytetarët e Deçanit nga ky vendim.

“Pasojat kur e thashë më herët në kuptimin e dëmtimit të aspektit të zhvillimit ekonomik, turizmit. Mirëpo ky vendim absolut nuk i kontribuon marrëdhënieve të mira mes Manastirit dhe qytetarëve të Deçanit, sepse është vendim i padrejtë dhe i ndikuar politikisht”, përfundoi ish-kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj.

Urdhri i Kurtit për zbatimin e vendimit

Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti kumtoi detaje nga urdhri që tha se ia ka dhënë Agjencisë Kadastrale për ta zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Një raport i juristëve eminent, dokument zyrtar i Këshillit të Evropës, ka konstatuar se Kosova është shtet me kuadër të qëndrueshëm të institucioneve demokratike. Raporti ka listuar disa kushte nga të cilat ka qenë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit të vitit 2016. Raporti është publik dhe nuk mund të ndryshohet apo përjashtohet nga rruga jonë për në Këshillin e Evropës”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se ky ka qenë kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

“Do të mbetet aty sot si kush pas 1 viti pas 10 vitesh. Pas një procesi masiv të vizitave, takimeve, na është bërë e qartë që nga shumë kushte për anëtarësim në Këshillin e Evropës, disa janë plotësuar, e disa janë jo rugjente. Por njëri mbetet dhe nuk do të hiqet: zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Qeverisë i është bërë e qartë nga komiteti i asamblesë parlamentare, nga grupet politike, nga shtetet e QUINT-it që ne duhet të zgjedhim mes dy opsioneve: të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimit në Këshillin e Evropës, apo heqja e agjendës nga anëtarësimi”, është shprehur Kurti.

Ky vendim ka nxitur reagime të mëdha. Është përkrahur nga ndërkombëtarët, e është kritikuar nga përfaqësues të opozitës e shoqërisë civile, kryesisht për shkak të premtimeve që kryeministri kishte dhënë në të kaluarën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat