Lushaj: Vendimi i Kushtetueses për pronat e Manastirit është politik, nuk duhet të zbatohet

Aktuale

Lushaj: Vendimi i Kushtetueses për pronat e Manastirit është politik, nuk duhet të zbatohet

Më: 11 mars 2024 Në ora: 18:29
Adem Lushaj

Ndonëse, pritet që pushteti lokal në Deçan ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit, Shoqata e Intelektualëve të Deçanit, thotë se e njëjta nuk duhet të zbatohet.

Kjo sepse siç thekson Adem Lushaj, nga Shoqata e Intelektualëve të Deçanit, ky vendim është politik dhe i dëmshëm për mbi 40 mijë qytetarë.

Po ashtu, në emisionin “Five”, ai potencon se i njëjti do të krijojë probleme të tjera në këtë komunë.

“Konsiderojmë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është më tepër vendim politik se sa i gjykatave të mirëfillta kur dihet procedurat të cilat kanë shkuar në vazhdimësi deri te ardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila është marrë me një çështje që s’ka të bëjë fare me të. Vendimet e gjykatave të rregullta janë të obligueshme, të detyrueshme të zbatohen dhe nëse nuk zbatohen do të ndjeken penalisht, mirëpo nuk ceket për vendime të Kushtetuese se cila ka marrë një vendim pa u shtjerrë të gjitha mekanizmat ligjore apo rrugët ligjore deri të vije deri te ajo gjykatë. Ky vendim nuk duhet në asnjë mënyrë nuk duhet të zbatohet sepse është vendim politik, i dëmshëm për mbi 40 mijë qytetarë dhe do të krijojë probleme të tjera në Deçan”, u shpreh ai.

Sipas tij, raportet në mes të popullatës dhe Manastirit të Deçanit nuk do të jenë në harmoni të duhur sikurse janë.

“Nuk ka të bëjë me 24 hektarë tokë, ka të bëjë me vendime të padrejta dhe është një bllokim i tërë zonës mbi 800 hektarë që janë bllokuar në atë pjesë. Ky zbatim nuk është kusht i domosdoshëm”, shtoi më tej ai.

Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Më 4 mars, Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI) publikoi një raport, në të cilin vlerësohet se kontesti pronësor midis autoriteteve të Kosovës dhe Manastirit të Deçanit është një nga pengesat kryesore për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas saj, Qeveria e Kosovës duhet ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe t’ia kthejë pronën Manastirit të Deçanit.

Edhe vendet e QUINT-it – SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia – thanë në maj të vitit 2023 se shtyrja e mëtejshme e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit, mund të ndikojë në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it, prej vitesh, i bëjnë thirrje Kosovës që ta zbatojë këtë vendim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat