Investitorë nga Arabia Saudite të gatshëm për bashkëpunim me bizneset e Kosovës

Aktuale

Investitorë nga Arabia Saudite të gatshëm për bashkëpunim me bizneset e Kosovës

Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 18:49
Investitorë nga Arabia Saudite

Është hera e parë që po vijnë në Kosovë.

Mbi 60 top investitorë nga Arabia Saudite po shikojnë mundësi për investime.

Me delegacionin arab nga Federata e Odave Ekonomike të Mbretërisë Saudite kanë interesim të bashkëpunojnë më shumë se 200 kompani vendore.

Në mesin e tyre është edhe pronari i një kompanie për prodhimin e biskotave në Mitrovicë, Hysamedin Çesko.

“Me disa firma bashkëpunojmë në Arabinë Saudite po pse jo edhe të jemi këtu edhe të shohim mundësitë edhe ndonjë investitor që është i interesuar të bëjë bashkë-investime t’i zhvillojmë kapacitetet”, ka thënë Hysamedin Çesko, prodhues i biskotave.

Nga ana tjetër, duam të sjellim më shumë investime në Kosovë thonë nga Oda Ekonomike e Kosovës që organizoi këtë forum

“Dihet që Kosova është e etur për të pasur investime dhe brenda kapaciteteve po tentojmë të sjellim sa më shumë investime. Dhe qëllimi i dytë është që bizneseve tona që janë të interesuar për të marrë pjesë, të kenë mundësi të takohen dhe të gjejnë mundësinë e bashkëpunimit qoftë për të shitë mall, qoftë për të blerë po edhe qoftë për të qenë bashkë-investitorë në ndonjë projekt të madh kapital”, u shpreh Lulzim Rafuna kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Ndaj me këtë rast, në mes të dy odave u nënshkrua dhe një memorandum bashkëpunimi.

“Sot e kemi nënshkruar edhe memorandumin dhe marrëveshjen në mes të dy shteteve për themelimin e Këshillit të Biznese Saudito-Kosovare dhe prej saj të hulumtojmë mundësi të reja të investimeve në mes të dy palëve”, tha Abdurrahman Al Mufarrah, kryetar i këshillit të biznesit Arabi Saudite-Kosovë.

Nga përfaqësuesit e Arabisë Saudite u pa i nevojshëm ky bashkëpunim.

“Është nevojë urgjente për të njohur mundësitë e biznesit mes dy vendeve si dhe për të arritur bashkëpunim për interesa të përbashkëta. Duhet të avancojmë shkëmbimin tregtar mes dy vendeve, mbështes gjithashtu edhe iniciativën e tyre”, tha Hassan al Husaizi, kryetar i FSCC nga Arabia Saudite.

Edhe nga Ministria e Ekonomisë u bënë thirrje për investime në fusha të caktuara.

“Ju ftoj në bashkëpunim të ardhshëm në fushën e energjisë, e sidomos në sektorin e burimeve të ripërtërishme të energjisë”, tha ajo, Besiana Qorraj-Berisha.

Forumi ekonomik B2B ishte më i madhi i organizuar ndonjëherë në mes të dy vendeve.

Ndërkaq sektorët të cilat delegacioni i Arabisë Saudite është i interesuar për investim dhe partneritet biznesor në Kosovë janë në IT dhe trajnime, hotelieri e shërbime të turizmit, patundshmëri, prodhim e përpunim të plastikës, gastronomi, prodhim e përpunim të ushqimit, shëndetësi, logjistikë, prodhim nafte e gazi, edukim dhe automobilistikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat