Zbulohet motivi i përleshjes që përfundoi me plagosjen e një personi në Vushtrri

Aktuale

Zbulohet motivi i përleshjes që përfundoi me plagosjen e një personi në Vushtrri

Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 20:32
Foto ilustrim

Media pak më parë raportoi për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur sot në mesditë në fshatin Sllatinë të Vushtrrisë, ku një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri. Lidhur me rastin janë arrestuar dy vëllezërit, Bashkim dhe Isa Osmani, të cilët tashmë ndodhen në masën e ndalimit policor, ndërkohë që viktima është dërguar në spital për trajtim mjekësor.

Burimet e medias brenda Prokurorisë bëjnë me dije se i gjithë sherri ka ndodhur pas një konflikti për punimin e një toke, e cila është në pronësinë e një personi të tretë, e që situata më pas eskaloi në përleshje fizike ku u përdor edhe arma e zjarrit.

Vëllezërit Osmani janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Viktima, që është një 40-vjeçar, është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Vushtrrisë, ku i është ofruar ndihma e parë mjekësore e më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Vrasje në tentativë’ dhe ‘Lëndim trupor’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat