​Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik në KEK, duan të jenë pjesë e kompanisë e jo nga ato private

Aktuale

​Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik në KEK, duan të jenë pjesë e kompanisë e jo nga ato private

Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 13:06
Pamje nga vendi i ngjarjes

Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), sot ka protestuar kundër vazhdimit të tenderimit të paligjshëm sipas tyre, për pagat e ulëta dhe kushtet e rënda të punës.

“Ne nuk jemi të privatizuar, jemi të huazuar për 2+1 vite” dhe “Tenderi e pasuron vetëm një pronar, ndërsa ne jemi një shoqëri e cila i takon KEK-t”, ishin mbishkrimet në pankartat që ata mbanin në duar derisa protestuan para objektit të KEK-ut.

Ata treguan se ende nuk iu janë ekzekutuar pagat e janarit, ani pse jemi gati në fund të muajit shkurt.

Kryesindikalisti i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica tha se raportit i auditorit të brendshëm nuk është në përputhje me kontratën dhe se dyshojnë për korrupsion dhe “hile”.

Llumnica theksoi se si rezultat i keqmenaxhimit të KEK-ut, punëtorët e Sigurimit Fizik ende nuk e kanë marrë pagën e janarit. Ai i bëri thirrje qeverisë aktuale që të ndërmarrë masa, për çka shtoi se kur kjo e fundit ishte në opozitë, kishte përkrahje për këto kërkesa.

Llumnica: Ne po dyshojmë se këtu ka hile dhe ka korrupsion

"Sot jemi këtu edhe njëherë t'iu tregojmë Korporatës Energjetike të Kosovës se pse ky departament nuk është privatizuar po është huazuar. Sot e 20 vite tenderohet në mënyrë të paligjshme. Edhe sot është duke u tenderuar në mënyrë ta paligjshme. Kohëve të fundit e kemi edhe një raport të auditorit të brendshëm ku tregon që nuk është në përputhje me kontratën. Prandaj, ne po dyshojmë se këtu ka hile dhe ka korrupsion dhe kjo është arsyeja e cila tenderohet edhe tash e tutje. I bëjmë thirrje menaxhmentit të Korporatës Energjetike të Kosovës, që ky Departament i huazuar tash të kthehet në KEK, aty ku e ka pasur vendin. Këta punëtorë, ky departament nuk ka marrë aksione, nuk është shoqëri aksionare, por edhe nuk është privatizuar në kohën kur është huazuar ka qenë dy plus një vit që ka mundur ta ketë kompania operatori ekonomik VDG. Prandaj, t'i kthehen Korporatës Energjetike të Kosovës. Për këtë kemi edhe argumente dhe sot këta punëmarrës, si rezultat i operatorëve ekonomik që në vazhdimësi marri tenderë. Si rezultat i keq menaxhimit të KEK-ut, sot këta punëtorë me 20 shkurt nuk e kanë marrur pagën e janarit...Prandaj, edhe një herë i bëjë thirrje edhe qeverisë së Republikës së së Kosovës, që kur ishte në opozitë na ka përkrahur për këtë të drejtë tonë të ligjshme sepse ky departament nuk është privatizuar", tha Llumnica.

Po ashtu, edhe përfaqësuesi i punëtorëve të sigurimit fizik në KEK, Nexhat Murati tha se janë punëtorë “të huazuar”, në kompani private në mënyrë të paligjshme nga ana e KEK-ut, për çka shtoi se keqpërdorimet janë shumë të mëdha.

Ai tha se i jep afat KEK-ut deri në fillim në muajit të tjetër për ekzekutim të pagave, përndryshe sipas tij “nuk do të veshin më uniformat e kompanive private”.

Murati tregoi se disa punëtorë sot e kanë thirrur dhe i kanë thënë se nuk kanë para për të udhëtuar që të marrin pjesë në protestë.

Murati: Sot më kanë thirr disa persona, kanë thënë 'Nuk i kam dy euro me ardhë në punë'

"Ne jemi punëtorë të huazuar në kompani private në mënyrë të paligjshme nga ana e KEK-ut, ku keqpërdorimet janë aq të mëdha sa t'iu tregojmë më fjalë nuk mund t'i merrni me mend, miliona janë të keqpërdorur...I bëjmë ftesë KEK-ut, Bordit, Ministrisë, qeverisë, se iu kemi drejtuar me kërkesa me shkrim dhe iu kemi argumentuar edhe në bazë ligjore të cilat janë që jemi punëtorë të KEK-ut dhe i kemi dokumentet përkatës i ka gjithashtu edhe KEK-u, por këta njerëz po vazhdojnë me një tenderim të vjetër dhe të korruptuar, ku fitimet normalisht që janë shumë të mëdhaja nga këta persona të KEK-ut, po të na kthejnë aty në KEK, ku e kemi vendin, më nuk mund të marrin këta tenderë nuk mund të marrin para, dhe banesa e shumë e shumë cak të tjera...Ne deri më të 30 e presim dhe më nuk do të veshim asnjë uniformë të kompanive private. Kjo është e fundit, le të na largojnë prej punës se boll jemi lodhur më. Njerëzit për muajin janar nuk e kanë marrë pagën, sot më kanë thirr disa persona, kanë thënë 'Nuk i kam dy euro me ardhë në punë', tha Murati.

Ndërkaq, pas gati një ore proteste para zyrës së KEK-ut, në shesh, kryetari i Sindikatës së KEK-ut bashkë me dy punëtorë të tjerë hynë brenda zyrave të KEK-ut, për të biseduar, por pas takimit, Murati tha se nuk arritën marrëveshje për asgjë.

Ai tha se i ka pritur shefja e kabinetit të KEK-ut, e cila u kishte thënë se do t’i njoftojnë përmes emailit për të caktuar një takim tjetër, në mënyrë që të bisedojnë rreth paqartësive.

Murati: Këta janë tuxharë

"Këtu është krim duke u bërë...Jo, nuk u morëm vesh asgjë. Na tha që iu njoftojmë përmes emailit, me një takim tjetër. Unë emailin e pranoj që e ka marrë, por nuk e ka lexuar, se nuk i lexon fare. Një herë tha nuk e kam marrë...Në takim na ka pritur shefja e kabinetit të KEK-ut...Këta janë tuxharë...Me datën 22 këta kanë thirr takim me hajdutë, por ne do t'i kryejmë punët e tona sot", tha Murati.

Ndërkaq, të njëjtit kanë protestuar edhe më herët lidhur me këto kërkesa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat