Policia gjen fletushka në veri që bëjnë “thirrje për rezistencë”

Aktuale

Policia gjen fletushka në veri që bëjnë “thirrje për rezistencë”

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 10:00
Pjesëtarë të policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet pasi në Mitrovicë të Veriut, persona ende të panjohur, kanë shpërndarë fletushka të ndryshme që bëjnë “thirrje për rezistencë” dhe “nxitje të urrejtjes”. Partia kryesore e serbëve në Kosovë ka thënë se me veprime të tilla, po tentohet të fajësohen serbët "për incidente të reja të mundshme".

Në raportin e rregullt 24 orësh, Policia tha se fletushkat u shpërndanë në hyrje të ndërtesave dhe në rrugë të ndryshme.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë tha se dyshohet se këto fletushka u shpërndan “dje gjatë dhe pas protestës”.

“Nuk ka të dyshimtë e as të arrestuar”, tha Elshani.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, u bëri thirrje qytetarëve në veri që “të mos bien pre e provokimeve të tilla”.

Sipas kësaj partie, kushdo që i ka bërë këto veprime, ka pasur për synim të minojë paqen dhe të thellojë paqëndrueshmërinë “në mënyrë që serbët të fajësohen për incidente të reja të mundshme”.

Në Mitrovicë të Veriut më 12 shkurt serbët protestuan kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa.

Protestuesit kërkuan që të anulohet një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, që hyri në fuqi më 1 shkurt, e cila parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për kryerjen e pagesave.

Disa orë pas protestës, BQK-ja njoftoi për zgjatjen e fazës së tranzicionit për zbatimin e kësaj rregulloreje, e cila nuk mund të jetë më e gjatë se tre muaj. Paraprakisht, kjo fazë tranzicioni ishte thënë se do të zgjaste gjatë shkurtit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendimi i BQK-së nuk nënkupton ndalimin e dinarit, e as ndalimin e mbështetjes që Serbia jep për serbët e Kosovës përmes dinarit.

Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme është kritikuar nga faktori ndërkombëtar, që ka argumentuar se vendimi është marrë pa konsultime paraprake.

Ndërkombëtarët i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores, duke thënë se duhet më shumë kohë për adaptimin e komunitetit serb me vendimin.

Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.

BQK-ja ka thënë se një praktikë e tillë është e paligjshme, pasi vetëm ajo mund të bëjë eksport dhe import të monedhave dhe kartëmonedhave brenda territorit të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës kërkojnë që serbët në Kosovë të hapin llogari në ndonjërën prej bankave komerciale të licencuara.

Shteti serb, më pas, mund t’i nisë fondet në dinarë, por ato me automatizëm konvertohen rrugës në euro.

Ndryshe, në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ditë më parë u shfaqën edhe disa grafite me mesazhet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”.

Brigada e Veriut, së bashku me Mbrojtja Civile janë organizata që Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizata terroriste në vitin 2023.

Besohet se këto dy organizata veprojnë në veri të Kosovës dhe numërojnë qindra anëtarë nga radhët e komunitetit serb./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat