​Luzha: Vetëm 3% e grave të Kosovës marrin pjesë direkt në politikë

Aktuale

​Luzha: Vetëm 3% e grave të Kosovës marrin pjesë direkt në politikë

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 13:33
Besa Luzha.

Vetëm tre për qind e grave janë të angazhuara direkt në politikë, ndërkohë që 11 për qind nuk kanë fare interesim për përfshirje. Kështu thonë të gjeturat e hulumtimit të fondacionit “Friedrich Eber”, të cilat u prezantuan nga profesoresha Besa Luzha. Në konferencën ndërkombëtare “Kufijtë e lirisë së fjalës”, ku nikoqire është Agjencia e Lajmeve KosovaPress ajo tha se beteja e grave për përfshirje në skenën politike e media po vazhdon.

Në panelin e dytë me temën “Hapat e inovacionit në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor”, Luzha tha se janë shqetësuese të gjeturat për gatishmërinë e grave që të punojnë.

Luzha: Rreth 49 për qind të grave kanë deklaruar se do të punonin vetëm nëse janë të detyruara

“Ka qenë shqetësuese për ne si hulumtues kur kemi parë një rezultat që rreth 49 për qind e grave që kanë deklaruar që do të punonin vetëm nëse janë detyruara, në kuptimin nëse i kanë kushtet të vështira. Kjo na ka shqetësuar shumë më shumë sesa ndoshta vetë fakti që ka shumë gra të papuna ende”, deklaroi Luzha.

Profesoreshë e Universitetit të Prishtinës, Besa Luzha në konferencën ndërkombëtare, shtoi se beteja e grave për tu përfshirë në skenën politike e në media po vazhdon.

Luzha: Beteja e grave për përfshirje po vazhdon

“Në fillim ka qenë sfidë për të rritur pjesëmarrjen dhe angazhimin e gruas në jetën politike, ajo besoj që pak a shumë është rritur sepse ne kemi pasur një angazhim, në përgjithësi shoqëria, për të siguruar një herë prezencën përmes kuotës në parlament. Mirëpo, gradualisht gratë që kanë qenë të angazhuara kanë arritur që edhe pa kuotë të fitojnë votat e qytetarëve edhe me qenë prezente. Dhe, kjo është ajo skema që duket kur e fokusojmë tek pjesa e politikës. Është interesant, beteja vazhdon ende sepse derisa ne e shohim atë skenën politike edhe në media, prezencën pak më të madhe se përpara”, tha ajo.

Në panelin e dytë të konferencën ndërkombëtare “Kufijtë e lirisë së fjalës”, Luzha shtoi se gratë po hezitojnë që të marrin pozita udhëheqëse.

Luzha: Vetëm 3 për qind e grave janë realisht të angazhuara direkt në politikë

“Në një studim të fundit që e kemi bërë në fondacionin Friedrich Ebert, kam qenë kryesuese e procesit të hulumtimit, studimi është bërë vetëm për gratë e Kosovës, në të gjitha sferat, është shumë interesant kur tash e hap fokusin në krejt shoqërinë kosovare jo vetëm në skenë, e vëren që angazhimi i grave është ende shumë i vogël në jetën politike. Ne atë 30 për qind, 40 për qind që e shohim në parlament mund të jetë edhe një mashtrim optik në kuptimin që kemi arritur shumë sukses, por rezultati i vërtetë sipas hulumtimit, vetëm 3 për qind e grave të Kosovës janë realisht të angazhuara direkt në politikë. Vetëm 11 për qind e tyre kanë interesim me u marrë me politikë”, u shpreh ajo.

Në konferencën ku nikoqire është KosovaPress, po marrin pjesë anëtarët e rrjetit më të madh evropian të agjencive të lajmeve EANA (www.newsalliance.org) si dhe atij të Evropës juglindore ABNA SE (www.abnase.com), rrjete këto ku KosovaPress-i është anëtar.

Enkas për këtë konferencë, nga Kievi ka ardhur edhe Nataliya Kostina, shefe e Departamentit për Marrëdhënieve me Jashtë në Agjencinë Ukrainase të Lajmeve Ukrinform.

Paneli i parë është fokusuar në sfidat bashkëkohore me të cilat përballen agjencitë e lajmeve dhe mediat në këtë periudhë të ndryshimeve të mëdha globale.

Në panelin e dytë, folës është presidenti i Bordit të Prishtina MALL, Fatmir Zymberi, udhëheqësi i Kolegjit UBT Edmond Hajrizi, profesoresha universitare Besa Luzha, Kushtrim Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Tualant Hodaj nga Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët do të paraqesin pikëpamjet rreth mundësisë së krijimit të sinergjive për mbështetje të iniciativave inovative që avancojnë prosperitetin shoqëror. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat