Përplasje në Kuvend – Abelard Tahiri dhe Albulena Haxhiu shkëmbejnë akuza për bashkëpunim me Radoiçiqin

Aktuale

Përplasje në Kuvend – Abelard Tahiri dhe Albulena Haxhiu shkëmbejnë akuza për bashkëpunim me Radoiçiqin

Nga: Bota sot Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 07:08 Përditësuar në ora: 18:04 më 08.02.2024
Kuvendi i Kosovës

Nuk ka kuorum për votimin e Komisionit Hetimor për zjarrin në Mjekësinë Ligjore

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë përfunduar mbajtjen e seancës për sot.

Njëra prej pikave në rend të ditës ishte themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se nuk pati kuorum të mjaftueshëm për votimin e pikës së përmendur më lartë.

Kurse janë votuar tri pika të tjera që janë si në vijim:

Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizimet e tilla,

Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një  anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë, dhe për një anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.

Haxhiu: Astrit Dehari u vra veç pse ishte aktivist i VV-së, kujtoni deklaratën e Veselit, ‘runu mos e vrani veten’

Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,

Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Dehari dhe çdo veprim e mosveprim të kësaj ministrie.

Në lidhje me këtë, ka folur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se zjarret në IML janë duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ndërsa zhdukja e mostrave po hetohet nga Prokuroria Speciale.

Haxhiu tha se në kohën kur ka ndodhur vrasja e ish-aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, ministre ka qenë Dhurata hoxha, teksa shtoi se në momentin kur e ka pranuar detyrën si ministre, ka kërkuar inspektim të të gjitha veprimeve që i ka marrë Shërbimi Korrektues në raport me këtë rast.

“Ka rezultuar se zyrtarë të Inspektoratit dhe Shërbimit Korrektues, i kanë marrë kamerat në mënyrë të paligjshme. Sipas informacioneve që unë kam pranuar, e kanë bërë me urdhër të Dhurata Hoxhës. Është radha e Prokurorisë Speciale që ta thirrin Dhurata Hoxhën dhe te tregojë se a është e vërtetë se i ka urdhëruar zyrtarët që të shkojnë t’i marrin kamerat dhe më pas të publikohen në televizione”.

“Natyrisht që kërkojmë drejtësi për rastin “Dehari” sepse një aktivist, vetëm pse ishte aktivist i VV-së, pa asnjë faj, pasi tash edhe aktivistët tjerë që kanë qenë të arrestuar janë liruar pa asnjë faj, vetëm pse ka qenë aktivist i VV-së dhe vetëm pse i ka kundërshtuar koncesionet që donit t’i instalonit në kurriz të qytetarëve të Kosovës. Vetëm për shkak të kësaj është marrë në paraburgim dhe s’doli i gjallë nga Burgu i Prizrenit. Prandaj, edhe këtu ua kisha kujtuar deklaratën e ish-kryetarit të kuvendit ‘ruanu, mos e vrani veten’”, tha Haxhiu.

Më tej, Haxhiu tha se edhe sa i përket zjarreve në IML, në të dy rastet, ka thënë se është e pamundur të ndodhë aksidentalisht, pa u përfshirë dikush qëllimshëm.

“Por, ekspertët e kësaj fushe po thonë që nuk është e qëllimshme. Prandaj është e rëndësishme të rikthehemi që nga 2005, kur është ndërtuar objekti, mënyra se si është ndërtuar. S’mund të merresh me zjarrin, pa u marrë me mënyrën se si është ndërtuar objekti”, tha ajo.

Deputetët e LVV-së s’votojnë, Konjufca po – s’ka kuorum për themelimin e komisionit hetimor për MPJD

S’ka pasur kuorum në Kuvendin e Kosovës për të votuar për themelimin e një komisioni hetimor parlamentar të inicuar nga opozita në lidhje me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të shërbimit të jashtëm dhe zyrtarëve të MPJD-së.

Opozita foli për “plot skandale” në Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke argumentuar për nevojën e themelimit të këtij komisioni, por deputetët e mazhorancës nuk votuan me arsyetimin se kjo çështje duhet të trajtohet në një seancë tjetër ku prezent do të ishte edhe ministrja Donika Gërvalla.

Për themelimin e këtij komisioni votoi kryeparlamentari Glauk Konjufca.

“Vetëm 29 deputetë votuan. Një pjesë e madhe e mazhorancës nuk po e voton këtë komision, kështu që shtyhet sepse s’ka kuorum”, tha ai pas votimit. “E votojmë në seancën tjetër”.

Opozita, që kërkoi themelimin e këtij komisioni, foli për “emërime dhe shkarkime të paligjshme të anëtarëve të shërbimit të jashtëm dhe zyrtarëve të kësaj ministrie”.

Deputetët e maxhorancës kundërshtuan menjëherë. Në emër të grupit parlamentar të LVV-së foli fillimisht Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, e cila tha se në parim janë për, por që të hetohej edhe për periudhën para vitit 2021.

Ajo tha sot kur pritet të mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së opozita po kërkon themelimin e këtij komisioni në mënyrë që “të tërhiqet vëmendja me një kërkesë të tillë në një moment kaq të rëndësishëm si ky”.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Tahiri: Aleatët kanë kërkuar të mos përfaqësohemi nga kryeministri

Seanca e Kuvendit të Kosovës është përcjellur me tensione të shumta mes deputetëve të pozitës e opozitës.

Në fjalën e tij, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se për shkak të performancës të dobët të ministrisë së jashtme kanë ardhur sanskionet nga BE-ja.

Ai përmendi edhe seancën e Këshillit të Sigurisë të OKB-së ku do të marrin pjesë kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, duke thënë se ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca e kishin këshilluar Kosovën që në mbledhje të tilla të dërgonin përfaqësues të rangut më të ulët, e jo të përfaqësohej nga kryeministri apo presidentja.

Tahiri: Ata gjithmonë kanë qef me na pa aty ku flet UNMIK-u për Kosovën

“E vetmja seancë dhe kënaqësi e Serbisë është me e ftu mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, sepse aty në radhë të parë për Kosovën flet UNMIK-u. Ata gjithmonë kanë qef me na pa aty ku flet UNMIK-u për Kosovën dhe pastaj flasin përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Ne në të kaluarën, së bashku me partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me ata partnerë që janë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit si Britania e Madhe dhe Franca, jemi dakordu që sa më ulët me e përfaqësu Kosovën në atë nivel, sepse është UNMIK-u. Pra, mundësisht mos me shku as ministri i Jashtëm, as Presidenti, mirëpo me shku ambasadori”, tha Tahiri.

Përplasje në Kuvend – Abelard Tahiri dhe Albulena Haxhiu shkëmbejnë akuza për bashkëpunim me Radoiçiqin

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kanë shkëmbyer replika mes vete në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri fillimisht mori fjalën duke folur për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ku sonte do të marrë pjesë kryeministri Albin Kurti.

Ai tha se kjo seancë është kënaqësi e Serbisë sepse përmes saj ata tentojnë të poshtërojnë Kosovën.

“E vetmja seancë dhe kënaqësi e Serbisë është me ftu mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për Kosovën sepse aty në radhë të parë për Kosovën flet UNMIK-u, e pastaj flasin përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës Gjithmonë me synimin me degraduar shtetin e Kosovës, synojnë me pas UNMIK-un të parët”, tha Tahiri.

Ai shtoi se në të kaluarën pikërisht për shkak të poshtërimit të Kosovës, ishin dakorduar që në këto mbledhje Kosova të mos përfaqësohej në nivel të lartë.

“Në të kaluarën me partnerët tanë me SHBA-të dhe partnerët e tjerë që janë anëtarë të përhershme siç janë Britania e Madhe dhe Franca jemi dakorduar që sa më ultë të përfaqësohet Kosova në atë nivel, pra mundësisht mos me shku as ministri i jashtëm as kryeministri as presidenti por me shku ambasadori, sepse qëllimi i Serbisë është që Kosova me dalë pas UNMIK-ut. Pra kjo është një kurth e Serbisë dhe ju bini në grackën e tyre”, tha Tahiri.

Tahiri tutje akuzoi qeverinë se në tri vite qeverisje, Kosovës i ka sjellë vetëm sanksione.

“Para vitit 2021 kanë ardhur 117 njohje dhe asnjë njohje ska ardhur në kohën kur ju qeverisni, e fundit ka ardh prej kryeministri Avdullah Hoti. Ju e udhëhiqni Kosovën me çnjohje. Ju  keni sjell sanksionet ne kemi sjellë 117 njohje”, u shpreh deputeti Tahiri.

Menjëherë pas kësaj deklarate ka ndërhyrë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Nuk e pata në plan të flas por më zgjoi vëmendjen deklarata e Abelardit që tha me neve ka pas njohje e me juve sanksione.  Qytetarët me të drejtë mund të pyesin se pse ka pas sanksione. Ka pas sanksione për shkak se për herë të parë kontrabanduesit, terroristët, kriminelët nuk janë lejuar të veprojnë në veri të vendit tonë sic kanë vepruar në kohën kur keni qeverisur ju”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se “ju i keni lejuar sjelljet agresive të Serbisë mbi territorin e Kosovës. Nuk është larg mendsh që disa prej qeveritarëve dhe ish-politikanëve kanë bashkëpunuar me kontrabandistë, e keni teleruar Radoiçiqin dhe plotë tororiste tjerë”.

Ministrja shtoi se kur Kosova ka treguar dhe ka dëshmuar që nuk do të tolerohen më këta, natyrisht që janë vendosur masat sepse nuk i ka pëlqyer dikujt në këtë rast BE-së.

E tjetër reagim pati nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“U tuta që s’pe merr fjalën meqenëse kem dytë bashkë në seancë Abulenë. Është e çuditshme me ni një zyrtar duke thënë se BE-ja na ka vendos sanksione pse ne po vendosim rend dhe ligj”, tha Tahiri.

Ai shtoi se i vetmja që bashkëpunon me Radoiçiqin është shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

“Këqyre Albulenë në këtë Kuvend vetëm për një njeri e dimë që koordinohet me Radoiçiqin vetëm për shefen e grupit ton parlamentar. Ju Radoiçiqin e keni pas në dorë e keni pa me dron në kohë reale dhe ai ecke kadal dal dhe dul prej Kosove si zotëri. Ju duhet kësaj mi dhanë përgjigje se qysh e lejuat Radoiçiqin me dalë pa therr në këmbë prej një akti terrorist që bëri në Kosovë. Ju e keni dit ku është dhe e keni leju me u largu”, tha Tahiri.

PDK kërkon themelimin e një komisioni parlamentar – VV: Duan ta tërheqin vëmendjen nga mbledhja e sotme në OKB

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka propozuar themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Deputetja e PDK-së Ariana Musliu Shoshi, tha se kanë propozuar këtë komision për degradimet që janë bërë në MPJD duke përfshirë procedurat e rekrutimit, emërimet e stafit, transferimet e çështje të tjera.

“Propozojmë themelimin e Komisionit për hetimin e procesin vendimmarrës, vendimeve, veprimeve dhe jo veprimeve të MPJD-së në raport me zbatimin e procedurave ligjore lidhur me marrëdhënie të punës të anëtarëve të shërbimeve të jashtëm dhe anëtarëve të ministrisë dhe të gjitha aspekteve të tjera. Duke përfshirë procedurat e rekrutimit, emërimet e stafit, transferimet, degradimet, angazhimet e përkohshme”, tha ajo.

E deputetja e VV-së Arbëresha Kryeziu, tha se hetimet për degradime në MPJD do të duhej që të bëheshin edhe për ministrat paraprak.

Ajo tha se opozita po kërkon themelimin e këtij komisioni për ta tërhequr vëmendjen nga mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku do të diskutohet për Kosovën.

“Sot në Kuvend të Kosovës po e trajtojmë kërkesën e një deputetes të PDK-së për të krijuar një Komision Hetimor kinse për t’i trajtuar keqmenaxhimet në proceset e ndryshme të Ministrisë. Ndërkohë që ministrja Gërvalla nuk gjendet këtu pasi është në New York është në Këshill të Sigurimit për ta mbrojtur Republikën e Kosovës përballë Aleksandër Vuçiqit për të diskuara për Kosovën aty. Sot do të duhej që bashkërisht të ishim në mbrujtje të Kosovës në një moment kaq të rëndësishme si ky. Si GP më parim jemi për krijimin e këtij Komision Hetimor sepse në mendojmë se ka shumë për të hetuar për atë se çka ka ndodhur në MPJ, ne nuk mendojmë që duhet që të hetohet vetëm periudha 20 mars 2021 e tutje sepse çfarë do të duhej që të hetohej ajo se çfarë ka ndodhur para 20 marsit. Dhe nëse flasim se si kanë shkuar punët në MPJ para 20 marsit e tutje po besoj që kemi shumë për të hetuar edhe për të dëshmuar për krejt manipulimet që janë bërë nga ministrat paraprak në të kaluarën. Këtë çështje duhet ta diskutojmë në një seancë tjetër kur këtu do të jetë edhe Ministrja Gervalla dhe kur ta dëgjojmë edhe opinionin e saj për krijimin e Komisionit. Dhe sigurisht ne si GP ne një moment tjetër do ta pranonim, por sot jo”, ka thënë ajo.

Themelimin e këtij Komisioni e ka përkrahur edhe deputet e LDK-së dhe AAK-së.

S’ka kourum për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se sot kanë mbetur pa u votuar një mori i marrëveshjeve ndërkombëtare  nga deputetët.

Ai ka thënë se nuk ka kourum të mjaftueshëm për votimin e këtyre marrëveshjeve.

“Vetëm 68 deputetë jemi kështu nuk kemi mundësi që t’i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, nuk po shoh as ndonjë mobilizim mes grupeve parlamentare që të votohen këto marrëveshje”, ka thënë Konjufca.

Marrëveshjet ndërkombëtare që nuk pati kourum për t’u votuar janë këto:

Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,

Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik

Edhe Nagavci si Rizvanolli s’i përgjigjet deputetit të PDK-së

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, nuk ka pranuar t’i përgjigjet në pyetjen e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, derisa këta të fundit nuk i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

“Këtë pyetje e keni paraqit edhe disa herë në Kuvend, në atë kohë e keni pasur të qartë qëndrimin tonë që presim votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në mënyrë që të vazhdojmë pastaj me përgjigje nga ana jonë.

Me intereson që të dij a keni ndërruar qëndrim  dhe ndoshta a do të votoni ju si deputet individualisht dhe të na hapani pastaj rrugën që të vazhdojmë në këtë drejtim”, tha ajo.

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, ka pyetur ministren në lidhje me implementimin e ligjit për provimin shtetëror, se kur pritet që të digjitalizohet dhe kur do të filloj provimi shtetëror për profesionet e rregulluar

“Nuk ke nevojë me u ba nervoz”, përplasje mes Muratit e Tahirit për pagën minimale

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri, janë përplasur lidhur me pagën minimale.

Murati tha se është pikërisht partia e Tahirit që ka bllokuar rritjen e pagës minimale, duke e çuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese.

“Sa i përket pagës minimale, më lejoni t’ua rikujtojë se paga minimale ka një vit e ca që ne e kemi sjellë në Kuvend si qeveri dhe është vonuar pikërisht në Kuvend sepse opozita ka penguar votimin e pagës minimale. Megjithatë, vitin e kaluar, në muajin korrik, Projektligji që mundëson rritjen e pagës minimale ka kaluar në kuvend. Mirëpo është një subjekt politik që e ka dërgu në Gjykatë Kushtetuese për me blloku rritjen e pagës minimale dhe është pikërisht subjekti politik i deputetit Besnik Tahiri që e ka bë këtë gjë, pra dhjetë deputetë kanë mbledh nënshkrimet për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese dhe prej asaj kohe, ligji që mundëson rritjen e pagës minimale është i bllokuar në Kushtetuese”, tha Murati.  

Sipas Muratit, nga rritja e pagës minimale do të përfitonin edhe të gjithë të punësuarit meqë do të rritej pragu i pagës që lirohet nga tatimi.

“Prandaj, para se të kërkojë deputeti Besnik Tahiri që të rritet paga minimale dhe para se ta akuzojë qeverinë pse spo e rrit pagën minimale, duhet t’ju tregojë qytetarëve se është pikërisht ai që ka nënshkruar për me dërgu në Kushtetuese dhe me i lanë mbi 100 mijë qytetarë që përndryshe kishin përfitu nga rritja e pagës minimale dhe të gjithë të punësuarit do të kishin përfitu për shkak se rritet pragu i pagës që lirohet nga tatimi”, tha ministri.

Muratit i replikoi Tahiri, i cili tha se paga minimale duhet të jetë së paku 450 euro. Në fillim të replikës, ai iu drejtua ministrit duke i thënë “Ministër nuk ke nevojë me u bë nërvoz”.

“Te paga minimale, ne s’kemi pas rrugë tjetër sepse s’kemi si ju ballafaqojmë juve si ministër dhe qeverinë përveç shfrytëzimit të dokumenteve demokratike. Ju e keni hjek nenin për veteranët  UÇK’së dhe keni vendos pagë minimale, pagë e cila nuk ka pagë më të vogël se 250 euro në sektorin privat. Paga minimale duhet me qenë së paku 450 euro, siç ka propozu AAK’ja dhe mbi këtë bazë ka qenë ankimimi jonë në Kushtetuese. Te shohim çfarë vendimi do të merr Gjykata Kushtetuese”, tha Tahiri.

Murati e mori fjalën sërish ku tha se AAK’ja gjatë fushatës kishte premtuar pagë minimale 1 mijë euro, por se kur e kishin marrë pushtetin i kishin ngritur pagat e tyre.

“Sa i përket pagës mimimale e propozimit të juaj për 400, mua edhe më kujtohet që ju në fushatë patët premtu pagë minimale 1 mijë euro, por kur keni ardh në pushtet ia keni rrit vetës e jo pagën minimale”, tha Murati.

​Tahiri kritikon Qeverinë Kurti për mungesë të investimeve kapitale

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë të investimeve kapitale.

Ne seancën e sotme parlamentare, Tahiri tha se tashmë po bahën gati 3 vjet që nga 14 shkurti i vitit 2021 kur Lëvizja Vetëvendosje ka ardhë në pushtet, por që sipas tij, ka mungesë të projekteve.

Ai tha se Qeveria nuk ka arritur t’i ekzekutojë mbi 1 miliardë e 125 milionë euro në investime kapitale, teksa tha se investimi i vetëm i këtij pushteti është ura e Saradranit.

Tahiri: Kjo qeveri nuk ka arritur të ekzekutojë 1 miliardë e 125 milionë euro investime kapitale

“Tani jemi vetëm 6 ditë para 14 shkurtit kur Lëvizja Vetëvendosje, pra tri vjet qeverisje. Në secilin vend normal do të bëhet një bilanc dhe në secilën demokraci funksionale do të ishte një llogaridhënie se cka ka ndodhur për tri vjet nga një pushtet që i ka mbi 50 për qind. Më lejoni që sot t’i bëj tri bilance në rrafshin e brendshëm. Po e nisi me shpenzimet kapitale. A mund të besoni që për dy vjet e nëntë muaj, kjo qeveri nuk ka arritur të ekzekutojë 1 miliardë e 125 milionë euro investime kapitale që nënkupton për shumën 1 miliardë e 125 milionë euro kemi më pak rrugë, më pak shkolla dhe gjithcka që ka qenë në platformën “Krejt dhe Drejt” ka qenë një mashtrim i madh. “E keni marrë Kosovën me celësa në dorë. Tri vjet pas vetëm një investim kapital e keni që mund të thoni ky është investimi. Ajo është ura që e lidh fshatin e Bekë Berishës dhe Arben Gashit”, tha Tahiri.

Tahiri gjithashtu foli edhe për pagat e sektori publik për të cilat tha janë të gjendje të mjerueshme dhe se sipas tij, pagat e vetme që janë rritur në këtë sektor është ajo e kryeministrit dhe ministrave.

Tahiri: Pagat në sektorin publik janë tmerri i tmerrit

“Pagat në sektorin publik janë tmerri i tmerrit. Realisht rritje tek 80% te administrata e shërbyesve civilë ka rritje vetëm prej 20 deri 40 euro. Pra 80 për qind e administratës e kanë këtë rritje me këtë ligj. Rritja më e madhë është tek kryeministri, tek ministrat, tek të emëruarit politik. Aty është bërë rritja më e madhe, mbi 50 për qind. A po e shihni se kush po i ngritë pagat?”, tha Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat