Përplasje në Kuvend – Abelard Tahiri dhe Albulena Haxhiu shkëmbejnë akuza për bashkëpunim me Radoiçiqin

Aktuale

Përplasje në Kuvend – Abelard Tahiri dhe Albulena Haxhiu shkëmbejnë akuza për bashkëpunim me Radoiçiqin

Nga: Bota sot Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 07:08 Përditësuar në ora: 12:15 më 08.02.2024
Kuvendi i Kosovës

Haxhiu: Më shumë se 3100 profesionistë shëndetësorë kanë ikur nga Kosova në tri vitet e fundit

Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, gjatë seancës së sotme ka thënë se profesionistët shëndetësorë po ikin çdo ditë nga Kosova.

Haxhiu tha se mbi 3100 profesionistë kanë ikur nga Kosova në tri vitet e fundit.

“Për tri vite, mbi 600 mjekë, mbi 2500 infermierë, fizioterapeutë, teknikë të radiologjisë, teknikë mjekësorë, kanë ikur. Pra, janë më shumë se 3100 profesionistë shëndetësorë që kanë ikur nga Kosova në tri vitet e fundit.

Kjo është shumë shqetësuese. Nëse ky trend vazhdon me këto shifra alarmante të ikjes së profesionstëve shëndetësorë, sistemi ynë shëndetësor do të kolapsojë. Prandaj është koha që koka të kthehet nga shëndetësia jonë, sa nuk është bërë tepër vonë”, tha ai.

Selmanaj: Ish-ushtari i UÇK-së po mbahet në burgun e Beogradit, institucionet s’morën asnjë veprim për të

Deputeti Driton Selmanaj sot në foltoren e Kuvendit të Kosovës ka kërkuar aktivizim të institucioneve për t’u angazhuar për lirimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj, i cili u arrestua me të hyrë në Serbi në fillim të vitit.

Dakaj ishte nisur drejt Italisë bashkë me familjarët e tij. Që nga dita kur u arrestua ai po mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Beograd, sipas Selmanajt.

“Sot u bënë një muaj e pesë ditë që kur ish-luftëtari i UÇK-së, Hasan Dakaj, nga Korisha e Prizrenit, është arrestuar nga policia serbe në pikën kufitare, Merdarë, teksa po udhëtonte me vëllanë e tij drejt Italisë. Hasani më 5 janar 2014 ishte nisur drejt Italisë për të gjetur ndonjë mundësi të mirë punësimi për shkak të gjendjes të rëndë financiare të familjes së tij. Informatat e familjarëve të siguruara jo nga institucionet tona shtetërore, por nga avokati i caktuar nga gjykata e Serbisë tregojnë se ai tashmë po mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Beograd dhe nga regjimi dhe autoritetet në Serbi po akuzohet kinse për krime lufte gjatë kohës së luftës në Kosovë. Është e papranueshme dhe e pakuptimtë mungesa e përkushtimit maksimal të bartësve të institucioneve të Kosovës për lirimin e Hasanit. Për arrestimin e tij është folur nga institucionet tona vetëm dy ditë pas arrestimit të tij dhe pastaj askush asnjë fjalë dhe as veprim s’u ndërmor. Sot askush nga institucionet tona nuk di për fatin e tij. Ku ndodhet ai, cila është gjendja shëndetësore e tij? Kush po e mbron atë? A ka mjete financiare për angazhim të avokatit mbrojtës? Me çfarë akuzash po ngarkohet ai?”.

Selmanaj tha se edhe familja e tij, për të cilën tha se nuk është në gjendje të mirë financiare, ka mbetur pa u ndihmuar në mungesë të tij.

“Po ashtu, institucionet shtetërore dhe lokale deri tash nuk kanë treguar as kujdesin minimal për gjendjen socio-ekonomike të Hasanit, për gruan dhe tre fëmijët e tij të vegjël që jetojnë në gjendje të rëndë financiare”.

Selmanaj tha se është detyrë e Presidencës, Qeverisë, Kuvendit dhe institucioneve që “pareshtur të angazhohen dhe të jenë në kontakt me zyrat diplomatike të vendeve të fuqishme qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi për të shtuar presionin mbi shtetin e Serbisë për lirimin e ish-ushtarit të UÇK-së”.

“Hasani meriton lirim për të cilin luftoi. Hasani s’guxon të harrohet”.

Tahiri, qeverisë për sigurimet shëndetësore dhe pensionistët: Reflektoni, është viti i fundit

Shefi i grupit parlamentar, Besnik Tahiri, ka kritikuar qeverinë për mos-sjelljen e ligjit për sigurime shëndetësore.

Siç tha ai, që tre vjet nuk ka ardhë ky ligj.

“Pse që tre vjet nuk vjen sigurimi shëndetësor dhe pse nuk është në diskutim? Për tre vjet nuk keni arrit me e sjell ligjin për sigurime shëndetësore”, tha ai.

Tahiri poashtu përmendi kategoritë sociale, me theks të veçantë, pensionistët.

“Dje Shemsedin Dreshaj ka dorëzuar ankesën tek Avokati i Popullit. Qysh mundeni me iu dalë pensionistëve përpara. E dini mirë çka keni fol për ata, çfarë premtime iu keni dhënë, asgjë. Reflektoni edhe pse është vitit i fundit”, tha Tahiri.

Deliu: Qeveria synon t’i kontrollojë mediat online me projektligjin për KPM-në, kjo i hap rrugë autoritarizmit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu tha se Qeveria po kërcënon mediat online me kontroll, duke iu referuar ndryshimeve që Ekzekutivi synon t’i bëjë në projektligjin që parasheh rregullimin e mediave online.

Deliu tha në Kuvend se kjo “i hap rrugë autoritarizmit dhe cenzurës”.

“Këto ndryshime dekurajojnë gazetarët të raportojnë për çështje me interes publik nga frika e hakmarrjes shtetërore të cilën e kemi pa disa herë. Për më tepër, kontrolli shtetëror i medias minon edhe aspiratën e Kosovës për integrim në Bashkimin Europian”, tha ajo.

Deliu kërkoi që Qeveria “ta rishikojë e ta rishqyrtojë propozimin e saj për ta kontrolluar median online”.

“I bëj po ashtu thirrje që të dëgjohen zërat e gazetarëve dhe të respektohen parimet e demokracisë. Të tërheqin këtë projektligj të rrezikshëm para se të bëhet vonë”, tha ajo.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) para pak ditësh i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë menjëherë prej ndryshimeve në projektligjin që parasheh rregullimin e mediave online.

Projektligj për Komisionin e Pavarur të Mediave, është miratuar nga Qeveria më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Ky hap i ekzekutivit është konsideruar përpjekje e re e Qeverisë aktuale që t’i sulmojë mediat.

Kokaj iu referohet dy studiuesve për t’i shpjeguar veprimet e Qeverisë: Largimin e dinarit do ta bëjmë në mënyrë të lëmuar

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj tha se “dinari famëkeq u largua një herë e përgjithmonë”, ndërsa lavdëroi Qeverinë edhe për mbylljen e komunave paralele serbe në Kosovë.

Largimin e përdorimit të dinarit, Kokaj tha se “do ta bëjmë në mënyrë të lëmuar dhe të përshtatshme”.

Duke folur për veprimet “efikase, qëllimplote dhe të mençura” të Qeverisë, Kokaj zgjedhi t’i parafrazojë dy studiues për të përshkruar se si Ekzekutivi, sipas tij, e determinoi kahjen e dihanimës.

“Unë nuk do ta trajtoj as si ju, as si unë, por këtë dinamikë do ta trajtoja sipas William Bennett ose Alan Taylor, të cilët janë nga Harwardi dhe Cambridgei të cilët thonë që dinamika është një ekuacion diferencial i cili karakterizohet, përveç tjerash, me potencial, dhe potenciali ekzistues brenda atij ekuacioni determinon kahjen e lëvizjes. Me kënaqësi konstatoj që ky potencial i kësaj qeverie ka vepruar në mënyrë aq efikase, aq qëllimplote, aq të mençur sa që për herë të parë u realizuan disa gjëra që s’u realizuan me disa dekada”, tha Kokaj.

Ai tha se nuk është irelevant vendimi për heqjen nga përdorimi i dinarit serb.

“Dinari famëkeq u largua një herë e përgjithmonë. Në historinë e civilizimeve, monedha përcakton përkatësinë shtetërore të atij vendi”, tha Kokaj.

VV fut në rend të ditës votimin e një marrëveshje ndërkombëtare, PDK e LDK kundërshtuan

Deputetja e LVV’së, Jeta Statovci, ka propozuar që të ndryshohet rendi i ditës. Ajo kërkoi që të hyjë në rend të ditës shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE’së “Evropa Digjitale për periudhën 2021- 20274” ndërmjet Kosovës dhe BE’së.

Ky propozim- ndryshim nuk është përkrahur nga PDK e LDK.

Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK’së, ka thënë se nuk ka kuptim që të votohet kjo marrëveshje për faktin se Kosova është nën sanksione nga BE.

“E para, propozimi është i palogjikshëm sepse kemi në rend ditë 50 pika, e dyta është i paarsyeshëm sepse deputetët nuk e kanë parë materialin dhe nuk kanë pasur qasje dhe kohë ta shqyrtojnë. E treta, është e panevojshme sepse do të jetë joefektive. Ju e dini që Kosova është nën sanksione nga BE. Kot e miratojmë me procedurë të përshpejtuar këtë marrëveshje”, tha Gashi, duke njoftuar që nuk do ta votojnë.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri, tha se është e kot të votohet marrëveshja sepse Kosova është nën sanksione.

“Është projekt shumë i rëndësishëm. Miratimi i kësaj marrëveshje është mëse e kot sepse Kosova ka sanksione dhe pikërisht është  e përjashtuar nga ky projekt. Nuk e di pse duhet me dalë në votim kjo marrëveshje kur Kosova s’mundet me qenë pjesë e projektit”, tha Tahiri.

Ai tha se  Qeveria “është mirë të koncentrohet që masat të largohen sa më parë”.

Shefja e GP të VV’së, Mimoza Kusari- Lila replikoi ndaj Gashit dhe Tahirit.

“Prandaj në argumentimin se janë 50 pika, një numër i konsiderueshëm i të cilave janë pika ose shqyrtimi në lexim të dytë ose shqyrtime në lexim të parë, që sipas të gjitha gjasave është shumë e vështirë t’i përfundojmë, tetë marrëveshjet ndërkombëtare janë në pjesën e parë të ditës”.

Ajo tha se kjo marrëveshje nuk është subjekt i masave të BE’së pasi miratimi dhe trajtimi i saj është bërë para vendosjes së masave.

Deputeti Abelard Tahiri e ka kundërshtuar Kusarin, duke thënë se në korrik të vitit të kaluar “Komisioni Evropian e ka revokuar ftesën pikërisht për këtë çështje”.

“Kosova nuk mund të jetë pjesë e këtij projekti. Ky votim për këtë marrëveshje është i kotë”, tha ai.

Tahirit iu kundëpërgjigj prapë Kusari.

“Me mospërfshirje, më pas me mosvotimin e kësaj marrëveshje dhe marrëveshjeve tjera ndërkombëtare, qytetarët e Kosovës po sanksionohen jo vëtëm nga BE për ato të ardhshmet, por edhe nga deputetët e Kuvendit për marrëveshjet që janë negociuar paraprakisht se të vendosej për këto masa.”

Ndaj Mimoza Kusarit replikoi edhe deputeti i LDK’së, Arben Gashi.

“Kjo gjuhë që po përdorë Kusari është paftyrësi. Të thuash në Kuvendin e Kosovës se deputetët po i mbështesin sanksionet ndaj Kosovës është poshtërsi”, tha Gashi.

Kështu, Kuvendi ka miratuar plotësim-ndryshimin e rendit të ditës. VV votoi për, ndërsa opozita kundër. 61 deputetë votuan pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim.

Gashi: Gjuha e Kusari-Lilës në Kuvend është pafytyrësi

Shefi i Grupit Parlamentar të LKD-së, Aben Gashi, ka kritikuar shefen e grupit parlament të VV-së, Mimoza Kusari-Lilën, për gjuhen e përdorur në seancën e sotme të Kuvendit.

Ai ka thënë se Kusari-Lila po e fajëson opozitën për sanksionet e BE-së ndaj Kosovës.

Gashi ka bërë me dije se gjuha e deputetes se VV-së është pafytyrësi.

“Kjo gjuhë këtu që po e përdor znj. Kusari-Lila është pafytyrësi. Të thuash në Kuvendin e Republikës që deputetët e Kuvendit po i mbështesin sanksionet ndaj Republikës së Kosovës është poshterësi. Janë bërë 227 ditë kur Kosova është nën sanksione dhe nuk del kryeministri, shefi i Mimozës, me kallxu çka është ka bohet, ndërsa del këtu e flet pa lidhje kishe opozita po i përkrah sanksionet ndaj Kosovës, kjo është me sa paku poshtëruesi prej znj. Kusari-Lila”, ka thënë Gashi.

Kuvendi s’e miraton rezolutën për anulimin e vendimit për shtrenjtimin e çmimit dhe faturimit aktual të rrymës

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar rezolutën në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

Kjo pasi pro kësaj rezolute votuan vetëm 29 deputetë, ndërsa nuk pati asnjë kundër e 55 deputetë abstenuan..

Rezoluta për çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila përmbante pesë pika.

Më poshtë gjeni të plotë propozim-rezolutën e propozuar: 

I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që brenda afatit të arsyeshëm kohor të anuloj vendimin për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe të marrë vendim për uljen e çmimit të saj në harmoni me rrethanat socio-ekonomike dhe nivelin e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar, respektivisht në bursat respektive ndërkombëtare;

I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), brenda afatit të arsyeshëm kohor të marrë vendim për anulimin – heqjen e bllok tarifës për kalkulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë;

I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ndërmarrjen e masave në raport me Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), për të siguruar trajtimin efektiv dhe të barabartë të konsumatorëve që kanë parashtruar ankesa ndaj faturave të energjisë elektrike për muajin dhjetor 2023 dhe ankesave eventuale të konsumatorëve në vitin 2024.

Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës për marrjen e masave, veprimeve e vendimeve për krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike;

Kërkon nga Zyra për Rregullatorin e Energjisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, që në afat sa më të shkurtër kohor të njoftoj Kuvendin për përmbushjen e pikave 1, 2, 3 dhe 4 të kësaj rezolute.

Lista Serbe rikthehet në Kuvend vetëm për të siguruar vazhdimin e mandatit

Deputetët e Listës Serbe janë rikthyer në Kuvend të enjten në seancë pas një mungese prej gati pesë muajsh, vetëm për të siguruar vazhdimin e mandatit.

Zakonisht kjo praktikë e tyre e rikthimit pas shumw muajsh bëhet për të mos djegur mandatet e deputetit, e rrjedhimisht për të mos humbur benefitet.

Mungesa e tyre në Kuvend shpesh ka qenë cak i diskutimeve se nuk përfaqësojnë e nuk përçojnë interesat e qytetarëve serbë në institucionin më të lartë të Republikës së Kosovës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 70, pika 5, mandati i deputetit përfundon kur mungon gjashtë muaj rresht në seancat e Kuvendit.

Kuvendi sot mban dy seanca, në rend dite janë 50 pika

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca, ku njëra nga to do të jetë vazhdim i seancës së jashtëzakonshme të 18 janarit, ndërsa tjetra seancë plenare.

Në rendin e ditës së seancës së jashtëzakonshme është pika e papërfunduar e seancës së mbajtur më 18 janar, e që është votimi i propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

Ndërsa, në rendin e ditës së seancës plenare do të jenë plot 50 pika, e që ajo e 13-ta do të jetë themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në IML, zhdukjen e mostrave të ish-aktivistit të VV-së, Astrit Dehari dhe çdo veprim e mosveprim të ministrisë, që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti.

Më poshtë gjeni të plotë rendin e ditës për seancën plenare që pritet të nisë nesër nga ora 10:00:

Rendi i ditës

Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

-Deklarimet jashtë rendit të ditës,

-Pyetjet parlamentare,

-Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

-Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

-Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,

-Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,

-Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,

-Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,

-Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,

-Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,

-Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës,

-Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,

-Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizimet e tilla,

-Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër (4) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

-Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë, dhe për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar,

-Votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,

-Propozimi për përzgjedhjen e një (1) kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës,

-Zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës,

-Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës se Kosovës,

-Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,

-Votimi në lexim të dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave, nr. 08/L-247,

-Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,

-Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-243 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L–037 për metrologji,

-Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-186 për rregullat e trafikut rrugor,

-Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

-Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-262 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr.05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative faza e dytë,

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues,

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-264 për rininë,

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme,

-Shqyrtimi i parë Projektligjit nr.08/L-272 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-010 për Noterinë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-149,

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-267 për letërnjoftimin,

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-269 për kontrollin e kufirit shtetëror,

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-274 për Shërbimet Private të Sigurisë,

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-282 për statusin, qëndrimin e përkohshëm dhe kalimin transit të forcave të huaja të armatosura në territorin e Republikës së Kosovës,

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-286 për shtetësinë e Kosovës,

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë së Kosovës,

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-278 për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave,

-Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,

-Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

-Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2022,

-Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022,

-Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2022,

-Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes,

-Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.2003/5 për farërat,

-Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit,

-Shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012 – 2021”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat