Nxënësja dyshohet se u ngacmua seksualisht nga profesori në Suharekë

Aktuale

Nxënësja dyshohet se u ngacmua seksualisht nga profesori në Suharekë

Më: 29 janar 2024 Në ora: 18:29
Foto ilustrim

Një profesor i gjimnazit “Jeta e Re” në Suharekë po pretendon se kolegu i tij, ka ngacmuar seksualisht një të mitur të kësaj shkolle. Madje ai thotë se është dëshmitar për një gjë të tillë. E Drejtoria e Arsimit thotë se pas marrjes së informatës janë duke e trajtuar rastin. Teksa edhe Policia ka konfirmuar se kanë nisur hetimet në këtë drejtim.

Në njërën nga këto salla që shërbejnë për mësim, një 16 vjeçare dyshohet të ketë përjetuar ngacmim seksuale.

Nxënësja, emër i njohur për redaksinë dyshohet se në maj të vitit 2022, si 16-vjeçare është ngacmuar seksualisht nga profesori i saj në gjimnazin “Jeta e Re” në Suharekë.

E për krejt këtë ngjarje, po thotë se është dëshmitar një profesor i kësaj shkolle, Astrit Sahitaj.

Ai tregon për televizionin se deri te denoncimi publik ka ardhur pasi që ka marrë ankesa të shumta nga nxënësit e tij.

Profesori thotë se i ka si dëshmi disa biseda mes nxënëses dhe mësimdhënësit, teksa shton që është intervistuar edhe nga hetuesit policorë për këtë gjë.

E drejtori i kësaj shkolle, prapa kamerave i tha televizionit se është në dijeni për rastin dhe se të gjitha informatat ia kanë përcjellë Drejtorisë së Arsimit.

Kurse, drejtori i Arsimit, Remzi Bajselmani thotë se kanë formuar komision disiplinor për këtë çështje dhe se janë duke u marrë me rastin.

Teksa tregoi se ky rast ishte trajtuar në vitin 2022, por që ishte konstatuar se nuk ka pasur ndonjë element të veprës së tillë dhe se është shqiptuar vetëm vërejtje me shkrim.

Se janë duke u marrë me rastin, e thanë edhe nga Policia e Kosovës duke mos dhënë detaje tjera shtesë.

“Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, lidhur me pretendimet e përmendura më poshtë, me autorizim të prokurorit përgjegjës ka filluar hetimet, hetimet janë në fazën fillestare”

Tëvë1 ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga profesori, që është emër i njohur për redaksinë që po akuzohet për këtë vepër, por që i njëjti ka qenë i paqasshëm gjatë ditës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat