Shtyhet gjykimi për korrupsion në KEK, mungoi njëri nga të akuzuarit

Aktuale

Shtyhet gjykimi për korrupsion në KEK, mungoi njëri nga të akuzuarit

Më: 26 janar 2024 Në ora: 10:29
Foto ilustrim

Shkaku se ka munguar i akuzuari Zeqir Gashi ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), u dëmtua në vlerë prej 53 mijë euro. Në këtë rast akuzohen edhe Nazmi Musliu, Rexhep Gashin, Agron Hajrizin dhe Qazim Reqicën për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Ndërsa, për veprën penale të mashtrimit po akuzohet Tefik Hargaja.

Në lidhje me mungesën e të akuzuarit Gashi, kryetari i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni tha se paraprakisht i akuzuari i ka dërguar gjykatës një raport mjekësor dhe se nuk mund të prezantojë në seancës. Por, gjykatësi Arrni tha se me të akuzuarin janë dakorduar që ai të prezantojë për rreth 30 minuta dhe të japë mbrojtjen e tij.

“Megjithatë, përkundër deklarimit të tij se ai do të jetë prezent, i njëjti sot nuk prezanton në seancë për arsyet që tani ne nuk jemi në dijeni”, u shpreh gjykatësi Arrni.

Seanca e radhës u caktuar më 29 janar, kurse për të akuzuarin Gashi, u tha se gjykata do të shqyrtojë dhe do të rivlerësojë të gjitha mundësitë ligjore për sigurimin e të njëjtit në procedurë.

Ndryshe, aktakuza e ushtruar në nëntor të vitit 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Zeqir Gashin, Qazim Reqicën dhe Rexhep Gashin, se kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare në KEK- Obiliq, duke pranuar nga operatori ekonomik “Univers-M” katër reduktorë të 15 KW nga pozicioni i 33, i të njëjtës kontratë, mall ndryshe me atë të kërkuar në kërkesë dhe të shkruar në flete dërgesë dhe në fatura.

Me këtë, në bashkëkryerje të pandehurit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënuar me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Tutje, sipas aktit akuzues, me datë, kohë dhe vend të njëjtë i akuzuari Agron Hajrizi, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore ka shfrytëzuar detyrën zyrtare, ku si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues nuk e ka bërë përcjelljen e saj ashtu siç është e rregulluar me ligj dhe në këtë mënyrë ka mundësuar blerjen e katër reduktorëve të 15KË nga pozicioni i 33-të i të njëjtës kontratë, raporton BetimipërDrejtësi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në maj të 2016-ës, në KEK-Obiliq, i akuzuari Nazmi Musliu duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues, ka nënshkruar kërkesën për blerjen e katër reduktorëve të 14 KW nga pozicioni i 11-të i kontratës me çmim prej 16 mijë euro për copë, edhe pse në të njëjtën kontratë në pozicionin 33 kishte reduktorë të 15 KW me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë.

Me këtë, Hajrizi dhe Musliu po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Ndërsa, Tefik Hargaja akuzohet se si person përgjegjës mashtron KEK-un si autoritet kontraktues, duke dorëzuar katër reduktorë të 15-të të pozicionit 33 me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë, ndërsa i kishte faturuar si në kërkesën e Autoritetit Kontraktues- KEK, me fletëdërgesë me çmim prej 16 mijë euro për copë ashtu siç ishte në pozicionin nr.11 të kontratës, duke i shkaktuar dëm buxhetit të KEK-ut në vlerë prej 53 mijë euro.

Me këtë, i pandehuri Hargaja ngarkohet se e ka kryer veprën penale “Mashtrimi” sipas neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal, vepër kjo që dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat