Vërshojnë kërkesat për punë në Kosovë, prijnë punëtorët nga këto dy shtete

Aktuale

Vërshojnë kërkesat për punë në Kosovë, prijnë punëtorët nga këto dy shtete

Më: 24 janar 2024 Në ora: 08:39
Foto ilustrim

Derisa shumë biznese private në Kosovë po ankohen për ikje të punëtorëve sidomos pas 1 janarit 2024, kur ka filluar liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian, qindra punëtorë të huaj kanë aplikuar për leje qëndrim në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Kosovës.

Sipas një raporti të MPB-së për periudhën tetor-dhjetor 2023, mbi 1500 kërkesa për leje qëndrim me qëllim të punësimit janë raportuar gjatë kësaj periudhe.

Prej të cilave, 439 kërkesa kanë qenë për punë të shtetasve nga Bangladeshi, 399 nga Turqia, 163 nga Serbia (kryesisht shtetas shqiptar nga Lugina e Preshevës), 136 kërkesa për punë nga Shqipëria, 66 nga Maqedonia e Veriut, etj.

Por, pavarësisht kërkesave të mëdha, përfaqësues të kompanive që kanë punësuar punëtor nga këto vende e po ashtu edhe ekspertë të fushës po thonë se qëllimi i këtyre punëtorëve nuk është qëndrimi në Kosovë.

Sipas tyre, ata qëllim kanë largimin për në vendet e Bashkimit Evropian.

Kalanderi: Kam punësuar 6 punëtorë nga Bangladeshi, më kanë ikur pas dy jave

Drejtori ekzekutiv i kompanisë “Liri”, Liridon Kalanderi, tregon për Fo se aktualisht nuk ka asnjë të punësuar nga jashtë, por se një kohë ka pasur.

Por, thotë se 6 punëtorët nga Bangladeshi kanë ikë për dy javë.

“Tani ne nuk kemi asnjë punëtorë të huaj, përndryshe kemi pas një numër vetëm sa për t’i testuar, i kemi pas 6 persona edhe tash që të gjithë synimin e kanë pas për me ik në vendet tjera, dmth në Evropë. Kanë qëndruar këtu një apo dy javë edhe janë larguar, pra kanë ik. As nuk kanë prit me marrë rroga as asgjë, pra synimin e kanë pas për Evropë”, është shprehur ai.

Arsyeja e punësimit të tyre siç thotë Kalanderi nuk ka qenë për shkak që në Kosovë nuk ka pasur punëtorë, por se këtë e kanë bërë vetëm për të testuar punën e punëtorëve të huaj.

“Arsyeja pse kemi vendos me marrë punëtorë nga jashtë nuk është se nuk ka punëtorë në Kosovë sepse ka sa dush, ne tash në këtë kohë kemi tepër.  Ata punëtorë shumë kanë qenë të mirë, shumë kanë qenë të rregullt, të disiplinuar, e kanë respektua orarin e punës dhe punën për të cilën kanë ardh me bë. Por, të njëjtën po e presim edhe prej kosovarëve tash”, ka shtuar drejtori Kalanderi.

E, derisa flet për ikjen e të rinjve nga vendi ai thotë se të njëjtit me shkuarjen në vendet e huaja do ta kuptojnë që edhe në Kosovë mund të jetohet dhe punohet.

“Tash me liberalizimin e vizave të rinjtë shkojnë jashtë dhe do ta shohin që edhe në Kosovë mundet me u punu, me jetu sepse jashtë nuk na presin milionat. E provojnë secili, dhe kjo është e drejtë e secilit”, ka shtuar ai.

Ai thotë se aktualisht kompania ka 300 punëtorë, dhe se pagat janë nga 300 deri në mbi një mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat