Kurti për ndalimin e mallrave serbe: S’ka masë tregtare, por duam ta përmirësojmë situatën e sigurisë

Aktuale

Kurti për ndalimin e mallrave serbe: S’ka masë tregtare, por duam ta përmirësojmë situatën e sigurisë

Më: 11 janar 2024 Në ora: 12:26
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti u pyet në konferencën e sotme për media për ndalimin e futjes së mallrave serbe.

Kurti tha se “nuk ekziston asnjë masë tregtare me Serbinë”, por tha se “të gjitha këto janë në përputhje me situatën e sigurisë”.

“Sa i përket kushteve të sigurisë në Kosovës, sa i përket kufirit tonë me Serbinë, nuk janë ende të mira. Sa i përket asaj se çfarë malli lejohet të importohet apo çfarë vetura, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Dogana është adresa e duhur”, tha Kurti.

“Nuk dëshirojmë të ketë diskriminim dhe nuk ekziston asnjë masë tregtare me Serbinë, por të gjitha këto janë në përputhje me situatën e sigurisë, e cila ne dëshirojmë që të përmirësohet dhe normalizohet”, tha ai.

Serbët janë ankuar se ka disa muaj që Qeveria e Kosovës e ka ndaluar futjen e mallrave serbe në vend.

Këtë veprim të Qeverisë e pati kundërshtuar Ambasada e SHBA-së në Kosovë. Një zëdhënës i Ambasadës pati thënë se meqenëse Kosova dhe Serbia përpiqen për integrim europian, duhet të ndërmarrin veprime “që promovojnë më tej qarkullimin e lirë të mallrave përtej kufijve të saj, jo veprime që e pengojnë atë”.

Kurti pati thënë se ky vendim për të cilin nuk ka pasur njoftim zyrtar, ishte marrë për arsye sigurie dhe jo ekonomike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat