Apeli refuzon ankesën e ministres Rozeta Hajdari, vërteton aktgjykimin me të cilin u dënua me 200 euro gjobë

Aktuale

Apeli refuzon ankesën e ministres Rozeta Hajdari, vërteton aktgjykimin me të cilin u dënua me 200 euro gjobë

Më: 27 dhjetor 2023 Në ora: 13:35
Rozeta Hajdari

Gjykata e Apelit, ka refuzuar ankesën e ministres Rozeta Hajdari, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte dënuar me 200 euro gjobë lidhur me aksidentin ku ishte goditur me veturë një fëmijë.

Me aktgjykimin e 23 tetorit 2023, Themelorja po ashtu kishte obliguar Hajdarin që të paguajë shumën prej 100 euro për mendimin e ekspertit të komunikacionit dhe 900 euro për super-ekspertizë, ndërsa 50 euro për ekspertizë mjeko-ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi’.

Por, Apeli sipas aktgjykimit të 15 dhjetorit 2023 të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, refuzoi si të pabazuar ankesën e ministres Hajdari të paraqitur ndaj vendimit të shkallës së parë, kurse u hodh poshtë si e palejuar ankesa e përfaqësuesit me autorizim të të dëmtuarës I.B., avokatit Florim Shefqeti.

Ministrja Hajdari, përmes avokatit Alban Makolli, kishte ushtruar ankesë me pretendimet për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës së kundërvajtjes, aplikimit të gabuar të ligjit material, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit për shpenzimet e procedurës kundërvajtëse.

Sipas ankesës, pretendohej se është bërë vlerësim i gabuar i fakteve për shkaktarin dhe shkaqet e aksidentit.

“Nuk janë përshkruar veprimet e ndërmarra të miturës I.B, dhe nuk është përshkruar fare pjesëmarrja e këmbësorit tjetër i cili nuk ka pësuar lëndime. Gjykata e Shkallës së Parë, gabimisht ka vërtetuar se si shkaktare e lëndimit ka qenë e pandehura duke e gjetur të njëjtën përgjegjëse për kryerjen e veprës kundërvajtëse…”, citohet të thuhet në ankesë.

Sipas aktgjykimit të Apelit, në ankesën e ministres Hajdari, thuhet se e mitura I.B dhe këmbësori jo i lënduar, është dashur t’i japin përparësi mjeteve që kalojnë në rrugë, në ketë rast ministres Hajdari, pasi kanë pasur përparësi të plotë (ngase I.B dhe këmbësori tjetër kanë qenë duke kaluar jashtë vendkalimit për këmbësorë) dhe me shkeljen e kësaj dispozite juridike, rezulton se I.B ka qenë shkaktare e aksidentit dhe jo Hajdari.

Gjithashtu, ministrja Hadari ishte ankuar edhe për obligimin që t’i paguajë shpenzimet e super-ekspertizës dhe ekspertizës së komunikacionit, me arsyetimin se super-ekspertiza nuk është nxjerrë me propozimin e saj por me urdhrin e gjykatës, andaj shpenzimet shtesë nuk mund t’i atribuohen asaj.

Veç këtyre, në ankesë ishte kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim dhe ishte propozuar që të bëhet dalja në vendin e ngjarjes, që të evidentohen të gjithë pjesëmarrësit në aksident dhe roli i tyre në shkaktimin e aksidentit.

Në anën tjetër, përfaqësuesi me autorizim i të dëmtuarës I.B, avokati Florim Shefqeti, ishte ankuar se shkalla e parë nuk ka argumentuar se mbi çfarë baze ligjore nuk i ka shqyrtuar fare faktet dhe provat e dorëzuara nga përfaqësuesi i të dëmtuarës. Po ashtu, ka konsideruar se është shkelur e drejta në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, që ka të bëjë me mungesë arsyetimi adekuat të një vendimi gjyqësor.

Po ashtu, pala e dëmtuar në ankesë ka pretenduar po ashtu se ka mangësi serioze lidhur me sanksionin, me arsyetimin se të pandehurës i është shqiptuar gjoba nën minimumin e paraparë, se gjykata nuk iu ka referuar fare rrethanave rënduese, andaj edhe dënimi është joreal. Me këtë, pala e dëmtuar ka kërkuar që aktgjykimi i ankimuar të ndryshojë, duke i pushuar vlefshmëria e patentë shoferit dhe t’i shqiptohet masa e ndalimit të drejtimit të automjetit.

Gjithashtu, avokati Shefqeti kishte paraqitur edhe përgjigje ndaj ankesës së Hajdarit, duke propozuar që të refuzohet si e pabazuar.

Mirëpo, Apeli ka konstatuar se ankesa e palës së dëmtuar, është hudhur si e palejuar.

“Kolegii duke vlerësuar ankesën e ushtruar nga nga përfaqësuesi me autorizim i të dëmtuarës, I.B, Florim. H. Shefqeti avokat nga Prishtina, duke u bazuar në nenin 135 par. 1 dhe 2 të LK-së, i cili parasheh citim: “Kundër aktgjykimit dhe aktvendimit për kundërvajtje, ankesë mund të paraqet i pandehuri nëse shpallet përgjegjës dhe paraqitësi i kërkesës”, vlerësoi se ankesa e ushtruar është e palejuar, pasi që nuk kanë të drejtë të paraqesin ankesë, andaj si e tillë hudhet poshtë, për arsyet e cekura me lartë. Gjykata e shkallës së parë, konform të nenit 135 par. I dhe 2 të Ligjit për Kundërvajtje, ka qenë e obliguar ta hudhë poshtë ankesën e paraqitur si të palejuar, mirëpo pasi që këtë nuk e ka bërë Kolegji i gjykatës së Apelit e hudhi poshtë konform nenit 142 par. 2 të Ligjit për Kundërvajtje”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Në gjetjet e Gjykatës së Apelit, sa i përket ankesës së ministres Hajdari, thuhet se pretendimet nuk qëndrojnë pasi aktgjykimi është i qartë, konkret, përmban arsye për të gjitha faktet vendimtare dhe është e përshkruar gjendja faktike.

Sa i përket ankesës në lidhje me shpenzimet, Apeli ka konstatuar se nuk ka shkelje të ligjit material, pasi veprimet e të pandehurës përbëjnë të gjitha elementet subjektive dhe objektive të veprës kundërvajtëse.

Ndërsa, në lidhje me ankesën se dënimi është i lartë, shkalla e dytë ka konstatuar se pretendimi nuk është i bazuar, pasi janë vlerësuar të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit. Apeli vlerëson se shkalla e parë nuk ka shkelur procedurën kundërvajtëse, përkatësisht aplikim të gabuar të së drejtës materiale, kurse gjoba prej 200 euro konsiderohet se është caktuar sipas shkallës së përgjegjësisë, peshës së veprës së kryer dhe rrethanave në të cilat është kryer vepra kundërvajtëse.

“Kolegji ka vlerësuar se dënimi i shqiptuar është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer dhe se me të do të mund të parandalohet kryerja e veprave në të ardhmen si dhe do parandalohen personat tjerë në kryerjeve e veprave të tilla kundervajtëse”, thuhet në aktgjykimin e marrë nga kryetarja e kolegjit, Azra Cakolli, me anëtar Ramiz Kuqi dhe Ferit Osmani.

Kundër këtij aktgjykimi nuk është e lejuar ankesa.

Ndryshe, ministrja Hajdari kishte thënë se nuk ndjehet fajtore për aksidentin ku ishte goditur një fëmijë. Sipas saj, ajo kishte qenë në shpejtësinë brenda rregullave të komunikacionit dhe se papritmas vajza është goditur nga vetura pasi e njëjta ka qenë duke vrapuar.

Ndryshe, kërkesa ndaj të pandehurës Hajdari për inicim të procedurës së kundërvajtjes është bërë nga stacioni policor, Policia e Kosovës – Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, për aksidentin e ndodhur më 10 prill 2022, rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum”, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Me të njëjtën kërkesë, Hajdari ngarkohej me “Mospërshtatje të shpejtësisë” dhe “Aksident komunikacioni me lëndime trupore”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat