Këshilltarja e presidentes në Bosnje dhe Hercegovinë, flitet edhe për eleminimin e regjimit të vizave për të udhëtuar në këtë shtet

Aktuale

Këshilltarja e presidentes në Bosnje dhe Hercegovinë, flitet edhe për eleminimin e regjimit të vizave për të udhëtuar në këtë shtet

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 19:36
Pamje nga takimi

Donika Kadaj-Bujupi, këshilltarja e Presidentes Vjosa Osmanit, mori pjesë në një vizitë zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë, me ftesë të Këshillit të Kongresit të Intelektualëve boshnjak,

Gjatë kësaj vizite, Kadaj Bujupi ka realizuar takime me përfaqësues të institucioneve më të larta të vendit, duke përfshirë kryesuesin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq, Qeverinë e Kantonit të Sarajevës dhe kryetarin e Kuvendit, Elvedin Okeriq, ka njoftuar zyra e presidentes.

“Përgjatë kësaj vizite, znj. Kadaj Bujupi ka takuar edhe rektorin e Universitetit Publik të Sarajevës, Rifat Skrelj, këshilltarët në kabinetin e anëtarit Beqiroviq,  z. Mehmed Pargan e znj. Hoda Dediq, si dhe përfaqësuesen në krye të komunitetit shqiptar në Bosnje e Hercegovinë, znj. Elvira Dushi. Në takimet e zhvilluara, diskutimet u përqendruan rreth intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe popujve në fushën akademike, të artit, sportit, kulturës, tregtisë dhe ekonomisë”, thuhet në njoftim.

“Fokusi i takimeve ishte eliminimi i pengesave nga regjimi i vizave dhe burokraci të tjera, të cilat mund t’i pengojnë zhvillimin e marrëdhënieve të përbashkëta. Në këtë udhëtim, znj. Kadaj Bujupi ishte e shoqëruar nga dy anëtarë të Këshillit për Komunitetet nga radhët e boshnjakëve, Agim Ferati dhe Almedin Fejza. Takimet dhe diskutimet e zhvilluara kanë sjellë një perspektivë të re dhe të pasur për bashkëpunimin e ardhshëm ndërmjet dy shteteve”, thuhet në njoftimin e presidencës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat