“E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi!”/ Abdixhiku i reagon Kurtit që tha se mund ta shkruajë vet draft-statutin

Aktuale

“E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi!”/ Abdixhiku i reagon Kurtit që tha se mund ta shkruajë vet draft-statutin

Nga: M.L. Më: 22 dhjetor 2023 Në ora: 13:28
Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku

Sot Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim të gjatë, ka përmendur zhvillimet politike në vend, ndër të tjera, i është kundërpërgjigjur emisarit të Bashkimit Evropian, Mirsolav Lajçak, i cili u deklarua dje për draftin e Asociacionit.

Mes tjerash, Kurti ka thënë se vitin e ardhshëm mund ta shkruajë draft-statutin e asociacionit si çështje e brendshme e Kosovës.

Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, ka shkruar kryeministri mes tjerash.

Në lidhje me këtë deklaratë të kryeministrit ka reaguar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se si LDK kanë kërkuar që dy vite nga kryeministri që ta hartojë vet draft-statutin për asociacionint.

Të dashur qytetarë të Republikës,

Ka plot dy vite që ne, LDK, dhe gjithë miqtë më të afërt të Kosovës, që i kërkojmë Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, i ulur në karrigen e “kryeministrit të shtetit të përkohshëm”, që të hartojë draftin e statutit të Asociacionit, si dokument i brendshëm i Kosovës. Si obligim ndërkombëtar i Kosovës.

Ka dy vite që “kryeministri i shtetit të përkohshëm”, i ulur në tavolinë dialoguese me tre mosnjohjes të tjerë shteti, që ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë.

Në seancën e 3 nëntorit, e kuptuam arsyen. Na tha, “nuk kam dashur të shkruaj një dokument të tillë, meqë kam qenë i bindur se ndërmjetësuesi më pas do të sillte një mes të dokumentit të Kosovës dhe atij të Serbisë”.

Por dokumenti i ndërmjetësuesit erdhi.

Jo si mes, por dhe më rëndë, erdhi si autonomi!”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku e konsideron si të vonë deklaratën e Kurtit për ta shkruar vet draft-statutin e asociacionit duke theksuar se kjo vonesë i ka sjellë Kosovës, autonomi.

Dy muaj më pas, tek pasi ka pranuar autonominë e serbëve në Kosovë, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, i ulur në karrigen e “kryeministrit të shtetit të përkohshëm”, del me propozim që tani Kosova ta shkruaj statutin e Asociacionit vet. Se qenka çështje e brendshme e jona. E paska kuptuar nga ndërmjetësuesi. Dy vjet pas.

Vonë. Shumë vonë. E dëmshme kjo vonesë. E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi! Autonomi e pranuar nga “kryeministri i shtetit të përkohshëm” dhe Presidenti i Serbisë.

Dhe jo vetëm kaq.

Ka plot dy muaj që si narracion kryesor të tij, na thotë se ka qenë i gatshëm të nënshkruaj Draft Statutin e Asociacionin me Presidentin e Serbisë. Madje që atë ditë. Merreni me mend, një dokument të brendshëm të Kosovës, ta nënshkruaj jo një President Kosove por një President, hiç më pak se ai i Serbisë. Ka plot dy muaj që ngrisim në pah këtë çmenduri; dhe tek sot, dy muaj më pas, s’kërkon këtë nënshkrim. Nënshkrimi i draft statutit me Serbinë s’është më kërkesë.

Çfarë ndodhi “kryeministër i përkohshëm”?

E kuptove - më në fund - këtë çmenduri?

A e kuptoni se sa pak di? A e kuptoni se sa e dëmshme është kjo vonesë e tij. Paqëndrueshmëria e tij është thelbi i pasigurisë! Padituria e tij është çmimi që paguajmë sot dhe nesër të gjithë”, përfundoi Abdixhiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat