Reagon sërish AAK: Nuk është ashtu siç thotë Presidenca, Osmani ishte në takim me Abdixhikun, u vonua disa minuta

Aktuale

Reagon sërish AAK: Nuk është ashtu siç thotë Presidenca, Osmani ishte në takim me Abdixhikun, u vonua disa minuta

Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 18:42
Ramush Haradinaj

Ditën e sotme nga AAK bën të ditur se takimi i djeshëm mes Presidentes Osmani dhe kreut të kësaj partie, Ramush Haradinaj nuk u zhvillua pasi e para e vendit u vonuar.

Në një përgjigje drejtori për informim i AAK-së, Lulëzim Blaka tha se si parti ishin të gatshëm të diskutonin me Presidenten Osmani në veçanti për draft-statutin e Asociacionit.

“Ne kishim vullnet për të biseduar me znj. Osmani për çështjet me rëndësi për vendin, veçanërisht për draft-statutin e Asociacionit; e per këtë qëllim Kryetari Haradinaj, ishte në kohën e caktuar në Presidencë. Por, takimi nuk ndodhi, pasi që znj. Osmani nuk e respektoi orarin që e kishte caktuar vetë”, tha Blaka.

Por, menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar Presidenca, duke thënë se Haradinaj nuk kishte dëshirë të priste derisa protokolli të njoftonte Presidenten.

“Takimi ishte paraparë të mbahet, por për shkaqe protokollare nuk është realizuar. Z.Haradinaj nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka njoftuar Presidenten për arritjen e tij. Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani ka lënë të hapur mundësinë e takimit ditëve në vazhdim, kurdo që kreu i AAK-së e vlerëson se duhet diskutuar dhe adresuar çështjet e rëndësisë nacionale. Dera e Presidencës vazhdon të mbetet e hapur”, tha për Reporterilnet Bekim Kupina, zëdhënës i Presidentes.

E pas këtij reagimi kanë folur sërish nga AAK.

Kushtrim Xhemaili, zëdhënës i AAK-së ka thënë se Osmani ishte në takim me kreun e LDK-së, gjatë kohës kur Haradinaj arriti në Presidencë, e ashtu siç u tha që “protokolli do ta njoftonte presidenten për arritjen e Haradinajt”.

Ai tutje tha se takimi ishte planifikuar në ora 12:00 por është vonuar për disa minuta.

“Nuk ka qenë puna që protokolli do ta njoftonte presidenten për arritjen e zotit Haradinaj në takim dhe që Haradinajt nuk i pritej. Protokolli e ka njoftuar zotin Haradinaj se Presidentja ishte akoma në takim me kryetarin e LDK-së. Ajo vetë e kishte caktuar orën e takimit dhe vetë nuk e kishte respektuar agjendën e vet. Takimi ka qenë i planifikuar për në ora 12:00 dhe është vonuar për disa minuta. Kjo është e vërteta”, tha Xhemaili.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat