​Kurti mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me të rinjtë e komunitetit rom

Aktuale

​Kurti mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me të rinjtë e komunitetit rom

Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 19:29
Foto nga takim

Kryeministri Albin Kurti mori sot pjesë në tryezën e rrumbullakët me të rinjtë e komunitetit rom.

Në këtë ftryezë të organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit u diskutuan sfidat, mundësitë e komunitetit rom, prioritetet për 2024 dhe çështja e punësimit për të cilën është krijuar platforma për praktikë me pagesë përmes “Kosovo Generation Unlimited”, e cila synon që 15% e praktikantëve të jenë nga komunitetet jo shumicë në Kosovë.

Kurti theksoi se Qeveria ka investuar 200 mijë euro në qendra mësimore si ndihmë për nxënësit rom, ashkali dhe egjiptian, teksa përmendi të arriturat me rëndësi si ndarjen e mjeteve buxhetore për rinovimin dhe ndërtimin e 618 shtëpive të komuniteteve, prej të cilave përfiton edhe komuniteti rom.

Nga grantet e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, 146 familje rome kanë përfituar teknikë të bardhë, mobilie, pako higjienike e ushqimore, dhe mbështetje për biznese, si dhe për përdorimin e gjuhës rome është mundësuar që Strategjia dhe Plani i Veprimit për Rini të përkthehet edhe në gjuhën rome, ashtu që të arrihet konsultimi i plotë me të rinjtë e Kosovës.

Gjithashtu janë ndarë bursa për 500 nxënës të këtyre komuniteteve në shkollat e mesme, ndërsa për studentët në universitete publike 55 bursa.

Duke folur për regjistrimin e popullsisë, e cila nis në prill 2024, kryeministri Kurti potencoi se për herë të parë secili komunitet do të ketë regjistruesin prej komunitetit që i përket ashtu që bashkëbisedimi të jetë efikas.

“Duam që të sigurohemi me këtë rast, që të drejtat e garantuara me Kushtetutë, t'i gëzojmë edhe siç ju takon, si në nivelin lokal edhe në atë qendror, të gjitha komunitetet, e jemi të përkushtuar që komuniteti rom të jetë i përfshirë në procesin e regjistrimit deri në maksimum”, përfundoi kryeministri Kurti.

Në përfundim, ai u shpreh se edhe përkundër sfidave dhe vështirësive që hasin ky komunitet, ato do t’i përballojnë së bashku. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat