Vuçiq me gjuhë të rëndë ndaj perëndimit, sërish shpreh pretendimet ndaj Kosovës

Aktuale

Vuçiq me gjuhë të rëndë ndaj perëndimit, sërish shpreh pretendimet ndaj Kosovës

Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 13:46
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vazhduar të përdorë gjuhën e tij nacionaliste në prag të zgjedhjeve në Serbi. Ai është fokusuar sërish tek Kosova, për të cilën pretendon se është pjesë e Serbisë.

Në një intervistë për gazetën Politika, Vuciq tha se gjoja sipas tij vitin e ardhshëm perëndimi “do të përpiqet t’ia marrë Serbisë Kosovën”.

“Vitin e ardhshëm do të tentojnë zyrtarisht, përfundimisht, të na e marrin Kosovën. Unë nuk kam iluzione se ata do të përpiqen ta bëjnë atë në çdo mënyrë dhe me çdo kusht, sepse ata duhet t'i japin fund luftës në Ukrainë sa më parë të jetë e mundur, ata nuk kanë nevojë që Putini apo dikush tjetër t’i referohen Kosovës, prandaj duan ta mbyllin atë histori sa më parë. Dhe, sigurisht, para zgjedhjeve amerikane”, tha Vuçiq.

Ai sërish ka pretenduar se ballafaqohet me presion të jashtëm, duke synuar që të mbajë sa më afër shumicën në Serbi.

“Për Serbinë do të jetë me rëndësi të madhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit në nivelin e brendshëm për të vazhduar me progresin e mëtejshëm ekonomik, investimet, projektet e mëdha infrastrukturore, punësimin, rritjen e pagave dhe pensioneve dhe për të pasur forcë të mjaftueshme për t'i rezistuar të presioneve jashtme. Parakusht për këtë është një shumicë e qëndrueshme dhe një qeveri që do të bashkëpunojë me presidentin”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për kapitullin 35 me Marrëveshjen e Ohrit, me ç’rast përsëriti se nuk vjen në konsideratë njohja e Kosovës.

“E informova mbarë opinionin vendor dhe ndërkombëtar me atë që nuk vjen në konsideratë, e që është njohja e pavarësisë së Kosovës, në asnjë mënyrë, as anëtarësimi në Kombet e Bashkuara dhe agjencitë dhe organizatat e saj. Meqë nuk thonë se këtë e përjashtojnë, por e duan të gjithë marrëveshjen, atëherë për ne është e papranueshme. Do ta vënë apo jo, nuk mund të hamend në këtë moment”, tha Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat