PSRK s’ka vendosur ende nëse do ta marrë në trajtim rastin e ish-prokurorit Biraj

Aktuale

PSRK s’ka vendosur ende nëse do ta marrë në trajtim rastin e ish-prokurorit Biraj

Më: 11 dhjetor 2023 Në ora: 18:47
Metush Biraj

Më 2 dhjetor 2023, “Betimi për Drejtësi” ka publikuar hulumtimin me titull “Si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë”. Nëse hetimi i rastit të ish-prokurorit Biraj do të vazhdojë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ende nuk është vendosur.

Këtë rast, aktualisht është duke e hetuar Prokuroria Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se ende nuk e di nëse ky rast do kalojë në kompetencë të tyre.

“Për momentin nuk e kemi, nëse e marrim ju njoftojmë”, ka thënë Isufaj.

I pyetur nëse rasti do i kalojë PSRK-së, pasi sipas Ligjit të ri të Prokurorisë Speciale, veprat penale kundër detyrës zyrtare të kryera nga gjyqtarët dhe prokurorët konsiderohen vepra penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe janë kompetencë e veçantë lëndore e PSRK-së, Isufaj ka thënë se ende nuk e kanë definuar qartë.

“Po, tash me Ligjin e ri, po nuk e kemi definu hala kur i kanë ata rastet që i kanë fillu, a rastet mas këtij Ligji, domethënë kjo është arsyeja”, është shprehur tutje Kryeprokurori Isufaj.

Në anën tjetër, as pas 9 ditësh kur është publikuar hulumtimi i “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria Themelore në Gjilan nuk ka njoftuar nëse është paraqitur kërkesë për caktim të paraburgimit apo ndonjë mase tjetër për të dyshuarit.

Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, kjo Prokurori ka njoftuar se është marrë vendim për fillim të hetimeve ndaj tre të dyshuarve Metush Biraj, Shkodran Pulaj dhe Naim Osmanaj, në drejtim të dy veprave penale marrje dhe dhënie ryshfeti.

“Ju njoftojmë se për këtë rast Prokuroria Themelore në Gjilan ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve ndaj tre personave M.B., SH.P. dhe N.O., për shkak të dyshimit të veprave penale “Marrja e ryshfetit’’ nga neni 421 dhe ‘’Dhënia e ryshfetit’’ nga neni 422, te Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Ndërsa, kjo Prokurori të premten e 8 dhjetorit nuk është përgjigjur nëse është intervistuar ish-prokurori Biraj dhe të dyshuarit e tjerë.“Betimi për Drejtësi” i është drejtuar edhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) se nëse kanë qenë të njoftuar dhe a kanë pranuar ndonjë shqetësim për këtë rast dhe cilat veprime i ka ndërmarrë KPK, mirëpo këta të fundit nuk janë përgjigjur duke referuar tek Prokuroria përkatëse apo Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, nenit 36, par. 7, nën paragrafi 7.3 për  veprat penale që supozohet të jenë kryer nga anëtarët e gjyqësorit dhe Prokurorit të Shtetit, ndiqen dhe gjykohen nga zyra prokuroriale dhe gjykata që ushtron kompetenca dhe juridiksion në rajon tjetër nga ai ku gjyqtari, prokurori apo stafi civil ushtrojnë zakonisht funksionet e tyre.

Sipas këtij Kodi, nëse vepra penale e pretenduar ka ndodhur në rajonin e Prizrenit apo të Gjakovës, kompetente është Prokuroria dhe Gjykata e Gjilanit.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” më 2 dhjetor 2023 ka transmetuar hulumtimin se si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë.

“Betimi për Drejtësi” kishte siguruar një video-dëshmi, ku zhvillohen biseda për të ndikuar në rastin e drogës, në mes ish-prokurorit Biraj dhe të dyshuarit Shkodran Pulaj.

Në hulumtimin e publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, prokurori Biraj dyshohet se kishte marrë ryshfet rreth 5 mijë euro, për të tërhequr kërkesën për paraburgim të të arrestuarve, ndërsa rreth 20 mijë euro për dështim të rastit, përkatësisht tërheqjes nga aktakuza.

Në hulumtim, tregohet se si pesë vjet të procesit hetimor dhe gjyqësor për gjykimin e tre ish- të akuzuarve: Naim Osmanajt, Ukë Sadrijajt dhe Arbër Salihut, për tentim transportimin e 130 kilogramë marihuanë në Zvicër, kishin shkuar dëm. Kjo ngase, më 31 maj të këtij viti, prokurori i rastit, Metush Biraj, u tërhoq nga ndjekja penale me pretendimin se nuk kishte fakte të mjaftueshme.

Biraj ishte tërhequr nga aktakuza gjatë zhvillimit të seancës në fjalën përfundimtare dhe atë vetëm 3 ditë para se të merrte vendim gjykatësja e rastit, Teuta Krusha, për dënimin apo lirimin e tyre. Gjithashtu, tërheqja ishte bërë para se prokurori Metush Biraj të pensionohej për të dalë më pas si avokat.

Për këtë rast, pas publikimit të hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” kishte reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo kishte shkruar në “Facebook”, se nuk është hera e parë që shihen lajme të tilla si ai që u publikua nga “Betimi për Drejtësi”, për mënyrën se si një prokuror po negocionte shkatërrimin e aktakuzës me qëllim përfitimin e parave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat