​Tahiri: Rezultati i PISA-s, skandal në vete

Aktuale

​Tahiri: Rezultati i PISA-s, skandal në vete

Më: 10 dhjetor 2023 Në ora: 15:49
Besnik Tahiri

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka renditur rezultatet e dobëta në testin PISA si skandalin e radhës të Qeverisë Kurti, teksa ka kërkuar përgjegjësi nga ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci me gjendjen e krijuar në arsim.

Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për 2022, duke zënë vendin e 73-të nga 80 shtete pjesëmarrëse, duke rënë nga viti 2018 për 11 pikë.

Në një konferencë për media shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka fajësuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje për rezultatet e dobëta në testin PISA.

Tahiri: Rezultati i PISA-s, skandal në vete

“Çështja e dytë problematike, skandal në vete është rezultati i PISA-s, e cila dëshmoi degradimin e arsimit në këtë qeveri...Kjo qeveri flet për 20-vjeçarin. Mos harroni, në këto 20 vjet më shumë ka udhëhequr qeveria e Vetëvendosjes se e Aleancës... Një adresim të menjëhershëm të cilin e rekomandon Aleanca është që menjëherë të fillojë ndërtimi i infrastrukturës miqësore për fëmijët, të bëhet rritja e cilësisë së mësimdhënies, zbatimi i aktiviteteve që nxisin kreativitet, angazhim praktik dhe teknika të të mësuarit. Në shumicën e shkollave fëmijët mësojnë e përsërisin atë që u thuhet ta bëjnë dhe shpesh nuk mund të shprehin edhe lirshëm zërin. Kjo ministri dhe kjo ministre duhet të del e të jep llogari se çfarë ka bërë në përmirësimin e cilësisë në arsim për këta tri vjet dhe të mos ia lërë fajin pandemisë”, ka thënë Tahiri.

Si çështje tjetër në këtë konferencë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së ka ngritur edhe injorimin e kërkesave të sindikatave nga ana e Qeverisë Kurti, duke përfshirë edhe ato të Njësisë Speciale Intervenuese për shtesat e rrezikshmërisë dje në protestë.

Tahiri: Ky është turpi i turpit të kësaj qeverie

“A mendoni se kanë dalë për qejf ata burra dhe ato gra policë të rreshtohen para qeverisë sikur të mos e kishin pasur jetën e rrezikuar për rrezikshmëri si policë dhe sikur të mos e kishin pasur të drejtën dhe të mos ishin ofenduar nga kjo qeveri duke iu thënë policëve se e kanë nga 2 mijë e 200 euro rrogën? Ky është turpi i turpit të një qeverie... Andaj duhet me urgjencë dhe këtë buxhet të adresohen dy amendamentet e AAK-së. E para ka të bëjë me rritjen e koeficientit dhe e dyta ka të bëjë me sigurimin shëndetësor...Unë jam i bindur se ligji i pagave në sektorin publik dhe ligji për pagën minimale do të dalin antikushtetues”, ka thënë Tahiri.

Ai ka kritikuar politikën e jashtme kosovare duke përmendur se për tri vjet nuk ka asnjë njohje dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Tahiri: Tri vjet asnjë njohje

“Tri vjet asnjë njohje, asnjë anëtarësim në asnjë organizatë ndërkombëtare, të sanksionuar nga BE-ja, rroftë Gani Jakupi. Atij po i del rroga 7500 euro...A jeni duke kuptuar se për çfarë qeverisje jemi duke folur? Jemi duke folur po ashtu për një politikë të jashtme e cila fokusin e saj e ka të reduktuar në çështje tepër minore. Konferenca në Kosovë me gabime thelbësore dhe komunikim në Twitter dhe platformën X në komunikimin publik dhe në garën kush po bëhet më patriot...Sot kjo politikë e jashtme e ka kthyer Kosovën nën sanksione dhe njëkohësisht e ka kthyer Kosovën në marrëdhënie më të dobëta me faktorin ndërkombëtar”, ka thënë Tahiri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat