Fillon “Java Kundër Korrupsion 2023”, diskutohet për reformën në sistemin e drejtësisë

Aktuale

Fillon “Java Kundër Korrupsion 2023”, diskutohet për reformën në sistemin e drejtësisë

Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 14:54
Foto nga vendi i ngjarjes

Me organizimin e tryezës me temë “Reforma në Drejtësi”, dhe me moton “Bashkë Kundër Korrupsionit”, ka filluar “Java Kundër Korrupsion 2023”, e cila po organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile “Bashkë kundër Korrupsionit”.

Në këtë tryezë kanë marrë pjesë përfaqësues të Shoqërisë Civile, Ambasadës britanike, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe gazetarë.

Ndërsa, edhe pse ishin të ftuar të merrnin pjesë në cilësinë e panelistëve, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, nuk kanë marrë pjesë, pavarësisht se janë akterët kyç për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Në cilësinë e panelistëve në këtë tryezë kanë prezantuar, Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja Fol dhe Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Në hapje të kësaj tryeze, zëvendësdrejtori i IKD-se, Betim Musliu, tha se është dëshpëruese se si përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, kur tani janë në pushtet, s’janë të gatshëm të ballafaqohen me një nga temat më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, që është reforma në drejtësi. Ai kritika për mospjesëmarrje pati edhe për Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor.

“Sot po nisim aktivitete tashmë tradicionale të Javës Kundër Korrupsionit, javë kjo që i kushtohet luftës kundër korrupsionit në Kosovë. Më lejoni që në këtë hapje të shpreh një pakënaqësi për përfaqësuesit e institucioneve, të cilët nuk janë pjesë e këtij paneli përkundër konfirmimeve që i kanë bërë gjatë kohës sa po përgatitej kjo javë. Sot, edhe pse e kemi pas të konfirmuar pjesëmarrjen nga niveli më i lartë i Ministrisë së Drejtësisë, për të diskutuar një prej temave më të rëndësishme që është për vendin, që është reforma në drejtësi, nuk e kemi të pranishëm, me një arsyetim i cili është paksa i çuditshëm për ne, për arsye se asnjë nga përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, nuk kanë gjetur kohë për të qenë në këtë panel”, tha Musliu.

Gzim Shala nga IKD në cilësinë e panelistit të kësaj tryeze tha se Qeveria aktuale nuk ka strategji për luftimin e korrupsionit, po ashtu, sipas tij, Qeveria ka dështuar edhe në reformën e Këshillit Prokuroria të Kosovës.

“Kjo Qeveri slloganin kryesor e ka pasur punësim dhe drejtësi. Në pushtet është një Qeveri e cila nëse e analizojmë për gjatë këtyre tri viteve qartazi mund të themi që ka pasur një ligjbërje të zakonshme. Në asnjë rast ne nuk e shohim reformën në drejtësi as reformën për drejtësi as në fusha të tjera. Janë tri vite që ka ardhur kjo Qeveri dhe ne nuk kemi asnjë strategji për luftimin e korrupsionit”, është shprehur Shala.

Kritika për Qeverinë lidhur me reformën në drejtësi pati edhe panelistja nga Lëvizja Fol, Mexhide Demolli-Nimani, e cila tha se “Vettingu” si një premtim kryesor i kësaj Qeverie, është një dështim.

“Vettingu është definitivisht një prej premtimeve kryesore që kjo Qeveri e ka premtuar dhe që definitivisht mund të themi se është një dështim, meqenëse është viti i tretë dhe nuk e dimë së çfarë do të ndodh tutje, madje e kemi parë që nuk është pjesë as e planit vjetor të punës të kësaj Qeverie”, tha Demolli-Nimani.

Pas fjalës fillestare të panelistëve u hap debat ku nga të pranishmit u trajtuan tema të ndryshme që prekin reformën në drejtësi.

Altina Besimi nga Ambasada Britanike në Kosovë, ka thënë se ka sfida dhe ngecje karshi arritjes së objektivave të mëdha në reformën e rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Meqenëse është diskutimi për reformave të ndryshme nuk mundem pa e përmend që rishikimi funksional i sistemit të drejtësisë i bërë nga Ministria e Drejtësisë, ka qenë iniciativë që është iniciuar dhe mbështetur fillimisht nga Ambasada Britanike. Duke pas parasysh që gjithmonë Kosova ose institucionet kanë pas një qasje reaktive karshi kërkesave jo vetëm të shoqërisë civile por edhe të proceseve apo institucioneve të tjera, kemi mbështet një iniciativë që ka qenë për herë të parë një lloj vlerësimi vetanak nga institucioni lidhur me sfidat që i kanë institucionet e sistemit të drejtësisë dhe sfidat e ndryshme që paraqiten në mungesë të një llogaridhënie apo pavarësi më të madhe”, ka thënë ajo.

Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), gjatë kësaj tryeze ka thënë se ka mungesë të llogaridhënies të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Pra, si problematikë kryesore do të theksoja është fakti se ka një mungesë të llogaridhënies të gjyqtarëve dhe prokurorëve të themi në dështimin e trajtimit të rasteve të korrupsionit në Kosovë. Vazhdojnë të akuzuarit për korrupsion të lirohen nga akuza në mungesë të provave dhe ka shumë zvarritje në procedimin e rasteve gjyqësore”, tha ai.

Lidhur me reformën në drejtësi, konkretisht për reformën në Këshillin prokurorial të Kosovës me diskutimet e tyre kanë ndihmuar edhe Eranda Zekaj dhe Lavdim Makshana nga IKD.

Ndryshe, “Java Kundër Korrupsion 2023”, e cila po mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan – Byro për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), do vazhdojë me aktivitete të ndryshme që do të organizohen nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja Fol dhe Iniciativa për Progres (INPO).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat