Kushtet e Këshillit të Evropës për Kosovën, Bajraktari: Vendimet gjyqësore duhet të zbatohen, na pëlqyen apo jo

Aktuale

Kushtet e Këshillit të Evropës për Kosovën, Bajraktari: Vendimet gjyqësore duhet të zbatohen, na pëlqyen apo jo

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 14:40
Avokati Ardian Bajraktari

Për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, Kosova duhet t’i plotësojë disa kushte.

Juristët e Këshillit të Evropës vizituan Kosovën në shtator të vitit të kaluar në kontekst të anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës. Raporti i tyre, i ndarë në gjashtë pjesë, trajton çështje si korniza kushtetuese, demokracia, zbatimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut në Kosovë.

Konkluzionet kyçe sugjerojnë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se zbatimi i vendimeve gjyqësore nuk është një çështje që duhet të diskutohet dhe se vendimet gjyqësore të formës së prerë duhet të zbatohen, na pëlqyen apo jo.

Bajraktari ka thënë se këto kushte të KiE-së duhet të kuptohen se eksponentët politikë duhet t’i ndalin sulmet dhe etiketimet për sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, sepse kjo minon besimin e publikut në drejtësi.

Ai ka thënë se reformat nuk duhet të bëhen “krye në vete”, por me koordinim me miqtë dhe aleatët tanë, po ashtu, duhet të ketë efikasitet me të madh në zgjidhjen e lëndëve pronësore, me theks të veçantë në çështjet pronësore të refugjatëve dhe të të zhvendosurve.

“Lufta kundër korrupsionit, zbatim i duhur i legjislacionit, (jo domosdoshmërisht hartim i legjislacionet të ri), pra angazhim më të madh veçmas nga prokuroria, si dhe kryerja e detyrave nga ana e policisë, (ndonëse legjitime), përfshirë edhe përdorimin e forcës, në pjesën veriore, të bëhet në koordinim me akterët që kanë rol dhe përgjegjësi në këtë fushë (EULEX-i dhe KFOR-i)”, ka thënë tutje avokati Ardian Bajraktari.

Sipas tij, këto kushte rekomandohen edhe nga ekspertë të drejtësisë apo të sigurisë.

“Këto kushte, përkatësisht veprime, janë thënë e thuhen dhe rekomandohen edhe nga ekspertë të fushave, qoftë të drejtësisë apo të sigurisë, por në këtë vendin tonë, shpesh herë duhet pritur që gjerat të thuhen në “anglisht”, për t’u marrë “seriozisht””, ka shtuar ai.

Mes të tjerash, avokati është shprehur se rrugëtimi i Kosovës drejtë strukturave euroatlantike është jo i lehtë dhe me jo pak sfida, por, sipas tij, me punë e përkushtim, kjo mund të arrihet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat