Seanca e pyetjeve, Nagavci nuk përgjigjet pa votuar PDK marrëveshjet ndërkombëtare

Aktuale

Seanca e pyetjeve, Nagavci nuk përgjigjet pa votuar PDK marrëveshjet ndërkombëtare

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 12:50 Përditësuar në ora: 14:14 më 01.12.2023
Foto ilustrim

Përfundon seanca e sotme e kuvendit me pyetje pa përgjigje

Ka përfunduar seanca e sontme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën në rend të ditës ishin pyetjet parlamentare të deputetëve për kabinetin qeveritar.

Por, disa pyetje nuk kanë arritur të realizohen për shkak  të mungesës së deputetëve, e shumë të tjera nuk kanë marrë përgjigje për shkak se shumica e ministrave nuk ishin pjesë e kësaj seance.

Ndërkaq, seancat e radhës të Kuvendit të Kosovës do të mbahen pas dy jave, ku pritet të jetë për shqyrtim buxheti i Kosovës për vitin 2024.

Vitia: Lista të pritjes mbi 1 vit ka vetëm në Kirurgjinë Vaskulare dhe Ortopedi

Vitia në seancën e sotme të Kuvendit, në kuadër të pyetjeve parlamentare, tha se listat e pritjes mbi 1 vit janë vetëm në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare dhe asaj të Ortopedisë.

Pasi u pyet nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ministri i Shëndetësisë tregoi në detaje përqindjen e listave të pritjes nga 1 javë deri në 1 vit.

Vitia: Lista të pritjes mbi 1 vit ka vetëm në Kirurgjinë Vaskulare dhe Ortopedi

“Përmbi 1 vit janë vetëm dy klinika që kanë lista të pritjes, është Kirurgjia Vaskulare dhe Ortopodedia. Kurse pjesa tjetër, një pjesë e madhe 0.2 për qind është deri në një javë, 18.5 për qind është deri në një muaj, 1.8 për qind është deri në dy muaj, 2.1 për qind deri në tre muaj po flas në total, kurse 23 për qind është 1 deri 5 muaj, 11 për qind është 1 deri 6 muaj, 11 për qind është 11.6 muaj dhe 15 për qind është deri në 1 vit, pa e përmendur atë pjesën tjetër që shkon mbi 1 vit. Kurse ju siguroj edhe juve dhe qytetarët që të shkoni të vërtetoni. Secili rast urgjent nuk ka asnjë ditë apo orë të pritjes si rast urgjent as në QKUK dhe as në spitalet e përgjithshme në regjione”, tha ai.

Në anën tjetër ministrat e kabinetit qeveritar vazhduan të mospërgjigjen në pyetjen e deputetëve të PDK-së, për shkak të mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Pasi u pyet nga deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha për ndërtimin e çerdheve të reja, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se ka rezultate pozitive në këtë temë, mirëpo për shkak të qëndrimit të PDK-së për marrëveshjen ndërkombëtare nuk mund të jap përgjigje të detajuar.

Nagavci: Nuk mund të jap përgjigje të detajuar, votoni marrëveshjet ndërkombëtare

“Ndonëse pyetja adreson një temë me rëndësi dhe ne kemi shumë rezultate në këtë drejtim, por për shkak të qëndrimit që derisa deputetët e PDK-së të votojnë për marrëveshjet ndërkombëtare, unë nuk mund të jap përgjigje të detajuar. Ju ftoj të votoni të gjitha marrëveshjet që janë me interes për qytetarët”, theksoi ajo.

Mirëpo, deputetja Hoxha kritikoi ministren Haxhiu, teksa i tha se ajo është e obliguar t’iu jep përgjigje deputetëve.

Hoxha: Jeni të obliguar të jepni llogari në Kuvend

Unë nuk kuptoj pse vjen ministrja këtu nëse refuzon me dhënë përgjigje në pyetjet që janë e drejtë kushtetuese. Ju jepni llogari ministre në këtë Kuvend. Kështu është i rregulluar ky shtet”, theksoi deputetja Hoxha.

Pas kësaj deputetët opozitarë, të cilët nuk ishin në numër të madh lëshuan sallën plenare dhe seanca plenare po vazhdon me vetëm pesë deputetë të mazhorancës, të cilët po bëjnë pyetje karshi disa ministrave të qeverisë.

Nagavci nuk përgjigjet pa votuar PDK marrëveshjet ndërkombëtare

Po vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka refuzuar t’iu përgjigjet pyetjes së deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha, rreth edukimit parashkollor.

Nagavci ka thënë se këtë përgjigje do ta jap atëherë kur kjo parti të votojë marrëveshjet ndërkombëtare.

Për shkak të qëndrimit të mos përgjigjes derisa PDK të voton marrëveshje ndërkombëtare, unë nuk mund të jap përgjigje të detajuar.

Ju ftoj që njëherë të votoni marrëveshjet që janë me interes për qytetarët e pastaj vazhdojmë me të gjitha çështjet tjera”, ka thënë Nagavci.

Eliza Hoxha i ka replikuar udhëheqëses së arsimit, duke thënë se sipas saj, janë ndërtuar çerdhet vetëm në komunat ku udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Peci: Kompensimi i dëmeve nga vërshimet do të bëhen nga MPB

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se vlerësimi dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, tash e tutje do të ndodhin nga Sekretariati i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Çështjen e kompensimit të dëmeve të të gjitha sektoreve, por edhe të bujqësisë,

tash e tutje do të kompensohet nëpërmjet Sekretariatit.

Qeveria në njërën nga mbledhjet e kaluara ka bërë kompensimin e të gjitha kategorive e dëmeve, e që besohet se është e bazuar në vlerësimin e Sekretariatit në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka deklaruar Peci.

Vitia: Nuk ka listë të pritjes për raste urgjente

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se rastet urgjente të QKUK-së dhe në qendrat e mjekësisë familjare nuk presin për të marrë shërbimet e tyre mjekësore.

“Asnjë rast urgjent nuk pret, nuk ka listë të pritjes për raste urgjente, trajtohen në momentin kur vijnë”, ka thënë i pari i shëndetësisë sot në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se po punohet që listat e pritjes të zvogëlohen në periudha kohore.

“Vetëm dy klinika kanë lista të pritjes përmbi një vit, e që janë Kirurgjia Vaskulare dhe Ortopedia. Kurse pjesa tjetër prej 0,2% pritja është deri në një javë, 18,5% është deri në një muaj, 1,8% është deri në 2 muaj, 2,1% është deri në 3 muaj, 23% është 1 deri në 3 muaj, 11% është 11,6 muaj dhe 15% është deri në një vit”, ka deklaruar Vitia.

Çeku: Ndërtimet e stadiumeve do të bëhen në tjetër formë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, iu është përgjigjur pyetjeve të deputetit Armend Zemaj në seancën e sotme të Kuvendit lidhur me stagnimin e ndërtimit të stadiumit “Mustaf Çekaj” në Irzniq të Deçanit.

Çeku ka thënë se stadiumi është procesuar me projekt të mangët.

“Kontrata ka precizuar afat prej 150 ditësh për përfundimin e punimeve, operatori i përzgjedhur as nuk kishte nënshkruar planin e menaxhimit të kontratës e as nuk kishte nisur me dinamikë të duhur të punëve në terren”, ka deklaruar i pari i sportit.

Ai ka njoftuar se do të bëhet shkëputje e kontratës dhe tash e tutje procedurat e ndërtimeve dhe ndërhyrjeve në stadiumet e vendit do të bëhen në tjetër formë.

“Vazhdimi i punës në këtë stadium dhe stadiumet në gjithë Kosovën po rregullohet me planin e konsolidimit të infrastrukturës së futbollit me grup profesional e me bashkëpunim me të gjitha nivelet”, ka deklaruar Çeku.

----------------

Partitë opozitare kanë kritikuar ministrat për mos-prezencën e tyre në seancë plenare. Deputetët thanë se kjo është pa përgjegjshmëri dhe se nuk po arrijnë të parashtrojnë pyetjet parlamentare për kabinetin qeveritar.

Paraprakisht, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujveci tha se kryeministri dhe disa ministra nuk janë të pranishëm për shkak të agjendës.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu tha se është e pakuptimtë të qëndrojë në këtë seancë plenare, meqë ministrat nuk janë të pranishëm.

Musliu: Kjo është një seancë hajgare

“E kam bërë një pyetje për ministrin Xhelal Sveçla me datën 5 qershor 2023. Sot jemi në dhjetor, 1 dhjetor dhe ai nuk vjen të përgjigjet. Vet fakti që unë kam pyetje parlamentare sot për Liburn Aliun dhe për Xhelal Sveçlën dhe as sot nuk janë këtu, nuk e di pse janë vlen ne të rrijmë këtu në këtë seancë më. Ose koordinohuni me kabinetin qeveritar, që ata të vijnë ta kryejnë obligimin ndaj kuvendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, ose mos i thirrni këto seanca koti. Kjo është një seancë hajgare, kjo është një seancë e cila edhe një herë përfundimisht e degradon Kuvendin e Republikës së Kosovës. Jemi bërë qesharak, asgjë nuk ka mbetur më në këtë kuvend”, deklaroi ajo.

Më pas reagoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i cili tha se është seancë e veçantë me pyetje parlamentare.

Rrustemi: Secili t’i parashtron pyetjet për ministrat që janë

“Deputetët sot të cilët kanë dërguar pyetje për ministrat janë këtu, nuk kërkohet kuorum. Prandaj secili t’i parashtron pyetjet për ministrat që janë. Në anën tjetër, zonja Musliu duhet ta kuptojë një gjë. Grupi i tyre parlamentar ka muaj të tërë që nuk marrin pjesë në asnjë votim. Nëse dikush i ka kontribuar degradimit në Kuvend të Kosovës janë këta, duke mos marrë pjesë në asnjë votim...Prandaj le t’i parashtrojnë pyetjet për këta ministra që janë dhe le të ecim tutje”, u shpreh ai.

Edhe Musliu kërkoi të replikojë, megjithatë nënkryetarja Saranda Bogujevci tha se nuk lejohet një gjë e tillë.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj u shpreh se është pa përgjegjësi e kabinetit qeveritar, meqë nuk po marrin pjesë në këtë seancë plenare.

Kadriaj: Nuk po i kuptoj këta të Vetëvendosjes

“Kjo seancë është caktuar prej qeverisë edhe sot kanë marrë zotim, është një seancë e veçantë që është caktuar nga kryesia e kuvendit që sot të parashtrohen pyetjet parlamentare. Nëse është marrë një vendim që të parashtrohen sot dhe të jetë dita e pyetjeve parlamentare, sot në këtë foltoren këtu para është dashur me qenë të gjithë ministrat, të cilët nga deputetët ju kanë parashtruar pyetjet. Nuk po i kuptoj këta të Vetëvendosjes, ne nëse kishim dashur të bëjmë pyetje parlamentare me deputetë dhe me u përgjigj deputetët s’kemi pasur nevojë të thërrasim një seancë të tillë fare”, përfundoi ajo.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj e quajti të papërgjegjshme qeverinë.

Zemaj: Është tepër e papërgjegjshme dhe shumë e keqe për demokracinë

“Është obligimi i juaj si udhëheqëse e kësaj seance së pari të siguroni kushtet për mbarëvajtjen, fillimin e një seance kuvendore. Pa marrë parasysh a janë në pyetje parlamentare, është një rend i ditës i cili duhet të plotësojë kushtet sipas rregullores së punës së kuvendit dhe Kushtetutës së Kosovës. E dyta, është tepër e papërgjegjshme dhe shumë e keqe për demokracinë nëse tentohet që instrumenti i mbikëqyrjes, siç janë pyetjet parlamentare, të ketë edhe minimumin e asaj që quhet relativizim ose njëfarë mënyre e injorimit të deputetëve”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat