Kërkohet tërheqja e propozimit që i lejon udhëtim pa viza serbëve të Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia

Aktuale

Kërkohet tërheqja e propozimit që i lejon udhëtim pa viza serbëve të Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 11:56
Foto ilustrim

Mbi 20 organizata të shoqërisë civile në Kosovë sot i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian që të tërheq Propozimin që i lejon udhëtim pa viza bartësve të pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë (Koordinaciona uprava).

Në një letër drejtuar Ylva Johansson, Komisionere Evropiane për Çështje të Brendshme, organizatat e shoqërisë civile theksojnë se propozimi i Komisionit Evropian vjen në një kohë ku ka shumëfishim të numrit të qytetarëve serbë që kërkojnë të pajisen me dokumente të Kosovës, përfshirë pasaportat dhe targa të veturave dhe kjo sipas tyre është një zhvillim tejet pozitiv dhe jashtëzakonisht premtues për kthim të normalitetit në veri të vendit.

Ndryshe, ditë më parë Komisioni Evropian, duke pasur parasysh heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës, ka propozuar që vizat të hiqen edhe për bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë, të cilët banojnë në territorin e Kosovës.

Lexoni të plotë letrën e organizatave të shoqërisë civile:

Po ju shkruajmë si aktivistë e pjesëtarë të shoqërisë civile në Kosovë të shqetësuar thellë lidhur me propozimin nga Komisioni Evropian për Këshillin e Bashkimit Evropian COM(2023) 733 për ndryshimin e Rregullores (BE) 2018/1806 sa i përket mbajtësve të pasaportave të Serbisë të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë (Koordinaciona uprava), me arsyetimin që ky grup i qytetarëve janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk do të gëzojnë liri të lëvizjes në Zonën Shengen.

Ky propozim i juaji vjen në një kohë kur qytetarët serbë të Kosovës kanë filluar që masivisht të aplikojnë për pasaporta të Kosovës, duke ushtruar të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë dhe legjislacionin e aplikueshëm, si dhe kur institucionet e Kosovës në bashkëpunim me organet tjera të sigurisë si KFOR-i dhe EULEX janë duke ofruar siguri të plotë për të gjithë qytetarët e vendit, e në veçanti për ata të komunitetit serb në veri të Kosovës.

Kjo si pjesë e luftës së përbashkët të këtyre institucioneve ndaj strukturave kriminale prezentë në veriun e Kosovës për vite me radhë e të cilat kanë parandaluar me forcë çfarëdo përpjekje të qytetarëve serbë të Kosovës për t’u integruar në jetën shoqërore dhe politike të Kosovës. Si rrjedhojë e masave shtesë të sigurisë për qytetarët serbë si dhe, ndër të tjera, marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë të lehtësuara nga BE, shumëfishimi i numrit të qytetarëve serb që kërkojnë të pajisen me dokumente të Kosovës, përfshirë pasaportat dhe targa të veturave, është një zhvillim tejet pozitiv dhe jashtëzakonisht premtues për kthim të normalitetit në veri të vendit.

Në anën tjetër, të gjitha marrëveshjet në mes të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga BE të vitit 2023 dhe ato paraprake të viteve 2013 dhe 2015, e po ashtu edhe kriteret teknike të procesit të liberalizimit të vizave, njohin autoritetet e Kosovës si autoritetet e vetme legjitime që kanë të drejtën e lëshimit të pasaportave për qytetarët e Kosovës, përfshirë përgjegjësinë për verifikim të dhënave të bartësve të dokumenteve të udhëtimit, obligimet për riatdhesim, si dhe të gjitha përgjegjësitë tjera që përfshihen në këtë kuadër.

Nëse do të miratohet, ky propozim:

do ta lëndojë seriozisht qëllimin dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë të vitit 2023 që bazohen në parimin e respektimit të integritetit dhe sovranitetit të dyanshëm, marrëveshjeve paraprake për largimin nga Kosova të strukturave paralele të shtetit të Serbisë, si dhe besueshmërinë e Bashkimit Evropian si një ndërmjetësues i paanshëm në këtë dialog;

do të sfidojë seriozisht përparimet në integrimin e qytetarëve serb të Kosovës nëpërmjet pajisjes me dokumente të Kosovës, manifestuar ndër të tjera edhe nëpërmjet pajisjes masive me pasaporta të Kosovës gjatë javëve të fundit;

do t’i nxisë dhe inkurajojë strukturat kriminale që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës që të vazhdojnë me kërcënime e kanosje të qytetarëve serb të Kosovës që synojnë të integrohen në jetën shoqërore dhe politike të vendit;

do të pranojë dokumente personale të lëshuara nga autoritete të cilat nuk kanë mundësi as teknike e as ligjore të verifikojnë të dhënat e bartësve të këtyre dokumenteve, rrjedhimisht të vendosë në rrezik gjithë zbatimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, proces ky i pritur aq gjatë nga ne; dhe

do të instalojë një precedent të rrezikshëm ku Bashkimi Europian do të legjitimonte pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës, të manifestuar në këtë rast nëpërmjet lëshimit të paligjshëm të dokumenteve për qytetarët e një vendi tjetër.

Si aktivistë të palodhur për një Kosovë demokratike, të të gjithë qytetarëve të saj e të integruar në BE, jemi të lumtur që nga 1 janari 2024 nuk do të ketë qytetarë të asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor të cilët me pasaportat e shtetit të tyre nuk do të mund të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen. Kjo i përfshinë edhe qytetarët serb të Kosovës të cilët kanë të drejtën dhe mundësinë që të pajisen me pasaporta të Kosovës dhe të udhëtojnë lirshëm sikurse të gjithë kosovarët tjerë. Për këtë, ne do të vazhdojmë angazhimin tonë të pa ndalur që të kërkojmë dhe ndihmojmë veprime të institucioneve të Kosovës që të lehtësojnë integrimin e qytetarëve serb të Kosovë, përfshirë nëpërmjet pajisjes së përshpejtuar me pasaporta të Kosovës.

Megjithatë, për të na fuqizuar në këtë përpjekje tonën, ne kemi nevojë për një Bashkim Evropian që do të jetë një partner i besueshëm dhe i drejtë, i cili nuk përjetohet se mban anë në një proces kaq të ndjeshëm politik, dhe që i respekton vlerat, premtimet dhe marrëveshjet e veta.

Mbi këto, ju bëjmë thirrje që pa vonesë të tërhiqni Propozimin COM(2023) 733 për ndryshimin e Rregullores (BE) 2018/1806 sa i përket mbajtësve të pasaportave të Serbisë të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë (Koordinaciona uprava).

Gjithashtu, ju bëjmë thirrje që në përputhje me qëllimet dhe përmbajtjen e marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga BE, të na bashkoheni në përkrahjen aktive të përpjekjeve të qytetarëve serbë për t’u pajisur me pasaporta të Kosovës, respektivisht të autoriteteve të Kosovës për të përshpejtuar procedurat e pajisjes së qytetarëve serbë me pasaporta të Kosovës.

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

Instituti i Kosovës për Politika Europiane (EPIK)

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

DokuFest

ÇOHU!

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)

Instituti i Kosovës për Demokraci (KDI)

Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)

Lëvizja FOL

Demokraci Plus (D+)

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)

Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS)

Instituti GAP

Demokracia për Zhvillim (D4D)

Iniciativa për Progres (INPO)

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)

Fondi për Zhvillim të Komunitetit (CDF)

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA)

GERMIN

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat