​Osmani: Ka shqetësime se mund të përsëriten sulmet terroriste në veri

Aktuale

​Osmani: Ka shqetësime se mund të përsëriten sulmet terroriste në veri

Më: 20 nëntor 2023 Në ora: 17:48
Foto nga takimi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nëse Serbia nuk ndëshkohet për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, do të inkurajohet për sulme të tjera. Osmani pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, nënvizoi se ka shqetësime nga institucionet e sigurisë së Kosovës se Serbia përmes strukturave ilegale dhe paramilitare po vazhdon të bëjë organizime të reja që mund të përsërisin sulme të tilla.

Osmani në konferencë të përbashkët me Stoltenberg tha se Serbia në vend që të ekstradojë terroristët, po vazhdon t’i mbështesë ata në planifikim për sulme të reja kundër Kosovës dhe stabilitetit rajonal.

Osmani: Në mënyrë që mos të lejohet përsëritja e një akti të tillë duhet të adresohet përgjegjësia e Serbisë

“Në mënyrë që mos të lejohet përsëritja e një akti të tillë duhet të adresohet përgjegjësia e Serbisë për sulmin dhe agresionin terrorist të 24 shtatorit kundër Kosovës dhe po ashtu për sulmin e 29 majit ndaj trupave të KFOR-it. Në vend që të ekstradojë terroristët Serbia vazhdon t’i mbështesë ata në planifikim për sulme të reja kundër Kosovës dhe kundër stabilitetit rajonal”, tha Osmani.

Ajo shtoi se këto informacione i kanë ndarë me aleatët, përfshirë NATO-në, derisa theksoi nevojën që t’i kërkohet Serbisë që t’i tërheq trupat përreth kufirit me Kosovën.

Image

Osmani: Shqetësimet ekzistojnë se mund të përsëriten sulmet e tilla

“Shqetësimet ekzistojnë se mund të përsëriten sulmet e tilla. Të gjitha informatat që vijnë nga institucionet tona të sigurisë dëshmojnë se Serbia përmes këtyre strukturave ilegale paramilitare terroriste vazhdon të bëjë organizime të reja...Ne i ndajmë informatat që institucionet tona mbledhin me të gjithë aleatët dhe partnerët dhe natyrisht do të bashkëpunojmë që sulme të tilla të parandalohen në të ardhmen”, shtoi e para e vendit.

E pyetur për marrëveshjen e vitit 2013 midis Kosovës dhe NATO-s, në bazë të së cilës Forca e Sigurisë e Kosovës nuk duhet të vendoset në veriun e banuar me shumicë serbe të Kosovës, pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it, Osmani tha se e njëjta s’ka qenë në interes të Kosovës, mirëpo Kosova është vend serioz dhe e respekton atë.

Ajo shtoi se këtë ujdi e kanë diskutuar sot edhe me Stoltenberg, mirëpo nën supozimin se do të respektohet renditja e përgjegjësve sa i përket sigurisë në Kosovë.

Osmani: Nuk ka qenë marrëveshje e cila ka qenë në interes të Kosovës

“Nuk ka qenë marrëveshje e cila ka qenë në interes të Kosovës, të jem shumë e qartë. Por Kosova është vend serioz, mbi të gjitha e respekton NATO-në si një aleancë e cila siguron vendin tonë, si një aleancë që vazhdimisht ka kontribuar në sigurinë e shtetit tonë. Janë partnerët tanë për sigurinë e qytetarëve dhe Kosovës sonë. Prandaj edhe këtë marrëveshje duhet ta shohim në suaza të tilla. Sot ne kemi diskutuar edhe për këtë marrëveshje, gjithnjë nën supozimin se do të respektohet renditja e përgjegjësve sa i përket sigurisë në Kosovë. Përgjegjësi i parë është Policia e Kosovës, përgjegjësi i dytë është EULEX nëse ka kërkesë nga Policia dhe përgjegjësi i tretë është KFOR-i”, tha ajo.

Duke folur për influencën ruse në Ballkan, Osmani tha se ajo shihet në tri aspekte, propagandën, shitjen e armëve Serbisë dhe mbështetjen politike që ia jep fqinjit verior për destablizim.

Osmani: Influenca ruse shihet në tri aspekte kryesore

“Influenca ruse shihet në tri aspekte kryesore. E para ka të bëjë me propagandën e cila është intensifikuar në dy vitet e fundit. Pra propagandë e cila e mbështetë qëndrimin e Serbisë sa i përket destabilizmit të rajonit, e dyta ka të bëjë me armët që Rusia ia shet Serbisë dhe pastaj që shfrytëzohen nga Serbia për sulmuar Kosovën apo shtetet të tjera. Kemi raste të MIG 29 të Serbisë duke shfrytëzuar për hyrje brenda territorit të Kosovës. E treta ka të bëjë me mbështetjen politike që Rusia ia jep Serbisë në këto përpjekje për destabilizim. Kur të bëhen këto tri bashkë është tepër e qartë se është interes i Rusisë që të hap një front të ri kundër perëndimit. Natyrisht këtë front dëshiron të hap në pjesë të Evropës të cilat akoma nuk janë pjesë e NATO-s. Prandaj kjo e bënë më imperativë anëtarësimin tonë në NATO”, tha Osmani.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Osmani nënvizoi se pa zbatim të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, nuk mund të ketë dialog të suksesshëm.

Osmani: Pa zbatim të plotë të marrëveshjes nuk mund të flasim për dialog të suksesshëm

“Pa zbatim të plotë të marrëveshjes nuk mund të flasim për dialog të suksesshëm. Ne presim tani që partnerët tanë të ushtrojnë presion mbi Beogradin në mënyrë që të sigurohet zbatimi i plotë. Kurse nëqoftëse injorohet fakti që Serbia vazhdimisht po mohon zbatimin e marrëveshjes, atëherë unë nuk pres dialog të suksesshëm. Automatikisht nuk kemi tavolinë kur dy palët janë të barabarta”, theksoi Osmani.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë qëndrimit në Kosovë u takua edhe me kryeministrin, Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat