Njëri nga të akuzuarit për terrorizëm thotë se nuk ishte në dijeni për armatimin e fshehur, tre të tjerët mbrohen në heshtje

Aktuale

Njëri nga të akuzuarit për terrorizëm thotë se nuk ishte në dijeni për armatimin e fshehur, tre të tjerët mbrohen në heshtje

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 08:22
Foto ilustrim

Në gjykimin për përgatitjen e veprave terroriste në Kosovë, të akuzuarit Ardijan Gjuraj, Ergim Syla dhe Mentor Bellaqa shfrytëzuan të drejtën e tyre për tu mbrojtur në heshtje. Ndërsa, i akuzuari Nehrudin Skenderi është deklaruar në mbrojtjen e tij.

I akuzuari Gjuraj, gjatë hetimeve në deklaratat e dhëna në polici dhe prokurori kishte shfrytëzuar të drejtën e tij për tu mbrojtur në heshtje dhe të njëjtin qëndrim e pati edhe sot në shqyrtim gjyqësor.

Edhe i akuzuari Syla, është mbrojtur në heshtje, ndërsa për deklaratat e dhëna më parë në polici dhe prokuroi ai tha se nuk qëndron prapa tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk i kom nënshkru edhe nuk i pranoj për arsye se m’kanë bo dhunë psikologjike, m’kanë kërcënu me tri lloje të armëve”, tha i akuzuari Syla.

I njëjti shtoi se ka pasur edhe shantazh nga policia të cilët sipas tij i kishin thënë “ti e din ku t’kemi arrestu dhe i tregojmë gruas tënde në qoftë se nuk e thu çka thotë policia”, u shpreh ai.

Edhe për deklaratën e dhënë në prokuroi ai tha se ka pasur pak presion nga hetuesi.

“Unë edhe në polici edhe në prokuroi kam pasur avokat, por presioni ka ndodh më përpara, unë kam pas dyshime te ai shumë se i kanë bo edhe atij shantazh”, tha i njëjti.

Të drejtën e tij për tu mbrojtur në heshtje e shfrytëzoi edhe i akuzuari Bellaqa, i cili tha se qëndron pranë deklarimeve të tij të dhëna më parë në prokurori dhe polici.

Ndërsa, i akuzuari Nehrudin Skenderi në mbrojtjen e tij, deklaroi se nuk ka qenë në dijeni për asnjërin nga të akuzuarit që kanë pasur në posedim arsenal të armëve siç pretendon prokuroria.

I njëjti deklaroi po ashtu se nuk është njohës i armëve, e as që ka përdoruar ndonjëherë.

Sipas tij, parat të cilat ja kishte dhënë të akuzuarit tjetër në këtë rast Shkodran Krasniqit, nuk kanë qenë për të blerë një RPG raketahedhës, por për dyert e veturës së tij “Golf” 5 të cilat i kishte pasur të dëmtuara.

Ai tha se Krasniqit ia kishte dhënë shumën prej 350 euro tek pompa e karburanteve “Shell”, të cilat para sipas tij kanë mbetur tek Krasniqi.

Skenderi ka treguar se të akuzuarin Gjuraj e njeh nga burgu para 5-6 vitesh, ndërsa të akuzuarin Bellaqa tha se e njeh vetëm si figurë në Prizren, kurse të akuzuarin Syla tha se para arrestimit e ka taku 2-3 herë por nuk ka qenë shok i tij.

Ndërsa, për personin që në akuzën e prokurorisë përmendët si një person më gradë të lartë të organizatës terroriste ISIS Abu Talha Al Muhajir, Skenderi deklaroi se nuk e njeh e as nuk e ka idenë se kush është ai person.

E meqenëse të akuzuarit Syla e Bellaqa u mbrojtjen në heshtje dhe të njëjtit kishin dhënë deklarata në polici e prokurori, prokurori special Afrim Shefkiu, i ka propozuar gjykatës që ato deklarata të lexohen si prova, të cilin propozim e ka aprovuar, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valona Musliu-Selimaj.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 4 dhjetor 2023.

Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe Shkodran Krasniqi, mirëpo i njëjti pas pranimit të fajësisë ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materive plasëse”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 23 dhjetor 2022, ka përpiluar aktakuzën kundër Ardijan Gjuraj, Ergim Syla, Nehrudin Skenderi, Mentor Bellaqa dhe Shkodran Krasniqi të cilët akuzohen se kanë përgatitur akte terroriste në Kosovë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat