Gjenden mbetjet mortore të 3 viktimave në Prekaz, dyshohet të jenë nga lista e të zhdukurve

Aktuale

Gjenden mbetjet mortore të 3 viktimave në Prekaz, dyshohet të jenë nga lista e të zhdukurve

Më: 9 nëntor 2023 Në ora: 17:05
Ditor Haliti

Në fshatin Prekaz të Poshtëm në Skenderaj janë gjetur mbetje mortore të tre viktimave, që dyshohet se i përkasin luftës së fundit, konkretisht listës së personave të zhdukur. Kështu bëri të ditur udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, derisa tregon se pritet që numri i trupave të gjetur mund të shkojë deri në pesë. Këtë e konfirmon edhe zëvendësdrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, i cili thotë se mbetjet mortore të tre trupave të gjetur janë dërguar për ekzaminim, derisa potencon se do t’i nënshtrohen procedurave mjekoligjore për identifikim.

Gara në një prononcim për KP tha se gërmimet ende nuk kanë përfunduar, derisa shton se dyshohet që janë të groposura mbetjet mortore të të paktën pesë personave, që i takojnë luftës së fundit.

Gara: Janë gjetur trupat e tre viktimave që dyshohet se i takojnë listës së personave të zhdukur

"Sot ekipet tona, ekipet e komisionit qeveritar, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore- Mjeko ligjore, ekspertët dhe hetues nga drejtoria e policisë për hetime të krimeve të luftës, kanë qenë të pranishëm në gërmimin vlerësues të lokacionit tanimë të shënuar, për të cilin është siguruar urdhëresa, është parë lokacioni, në fshatin Prekaz i Poshtëm, përkatësisht në afërsi të varrezave të vjetra të fshatit. Meqë në bazë të dhënave që ne posedomë si Komision Qeveritar për Persona të Zhdukur... Ne kemi konkluduar nga takimet paraprake që kemi pasur, në këtë lokacion mund të vazhdojnë të jenë të groposur apo varrosur... mbetjet mortore ose eshtrat e të paktën pesë viktimave të luftës, përkatësisht të personave ose individë ose viktima që vazhdojnë të jenë në listën e personave të zhdukur. Gjatë gërmimeve sot të filluara në mëngjes është konfirmuar ekzistimi i kësaj varreze, përkatësisht është hasur në mbetjet mortore ose eshtrat e viktimave të para...Për momentin është arritur të zhvarrosen minimumi tre individë, sigurisht që gërmimet anë duke vazhduar ende”, tha Gara.

Se janë gjetur mbetje kockore të tre personave dhe se pritet që kjo shifër të rritet , e konfirmon edhe zëvendësdrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti. Ai thotë se me të nisur gërmimet kanë hasur në mbetje mortore, për të cilat thotë se janë dërguar në IML për ekzaminim dhe nënshtrim të procedurave mjekoligjore, për të realizuar identifikimin e viktimave.

Haliti: Gjetjet mortore janë dërguar për ekzaminim dhe identifikim

"Sot kemi dalë me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti social, ku kemi pasur urdhëresën që të dalim në lokacionin Prekaz i Poshtëm, ku kanë qenë informatat që mund të ketë mbetje mortore të kohës së luftës. Sot, në mëngjes kemi dalë bashkë me ekipet e IML-së, EULEX-it, komisionit qeveritar për persona të zhdukur dhe Policisë së Kosovës, bashkë kemi qëndruar rreth orës 10:00 dhe menjëherë i kemi filluar punimet e kemi gjetur trupin e parë. Mandej duke i vazhduar punimet i kemi gjetur edhe dy trupa të tjera. Deri më tash i kemi gjetur tre trupa që dyshohet që i takojnë luftës së fundit. Një herë për një herë nuk ka më gjetje. Këta trupa janë dërguar në IML, ku do të ekzaminohen, do t’i nënshtrohen procedurave mjekoligjore për identifikimet të masave kockore që i kemi dërguar në ??? për identifikim dhe presim deri sa të na vijnë rezultatet", potencon Haliti.

Lidhur me gërmimet në fshatin Prekaz të Poshtëm, Gara tregon edhe historikun se si kanë ardhur deri tek procesi i zhvarrosjes. Ai thotë se gjatë viteve 99’, forcat serbe policore i kanë groposur rreth 30 viktima, e që sipas tij pas luftës, ekipet ndërkombëtare mjekoligjore franceze kanë arritur t’i zhvarrosin rreth 27 prej tyre.

Tutje, ai potencon se nga këto 27 viktima, ekipet kanë identifikuar 23 prej tyre, derisa kanë lënë shënime edhe për katër kufomat që i kanë kthyer në këtë lokacion.

Gara: Në këtë lokacion vazhdon të ketë mbetje mortore që i takojnë luftës së fundit

"Pra, në vitin 99', forcat serbe policore, viktimat ose kufomat e 30 viktimave të luftës...kanë varrosur, kanë groposur në këtë hapësirë të varrezave të fshatit Prekaz, dhe pas luftës përpjekja e tyre gjithmonë e fshehjeve të gjurmëve të krimit...në ditët e para të pas luftës ekipet ndërkombëtare mjeko ligjore, kanë qenë ekipet franceze kanë arritur të zhvarrosin vetëm 27 kufoma, nuk kanë arritur t'i zhvarrosin 30 viktimat që kanë qenë të groposura nga forcat serbe. Nga këto 27 kufoma, ekipet ndërkombëtare kanë arritur jo t'i identifikojnë të gjitha nga këto, kanë arritur t'i identifikojnë vetëm 23 kufoma. Ndërkohë kanë lënë shënime edhe për katër kufomat që i kanë kthyer në këtë lokacion...Pas vitit 2002, ekipet ndërkombëtare në emër të komisionit të UNMIK-ut , janë rikthyer në lokacion për të zhvarros vetëm dy kufoma ose dy individë. Dhe në bazë të dhënave që ne posedojmë... kemi konkluduar që në këtë lokacion vazhdon të kenë të varrosura ende kufoma edhe të 5 viktimave të luftës", thekson Gara.

Ndër të tjera, Gara potencon se gërmimet në këtë fshat, shënojnë lokacionin e 12 brenda territorit të Republikës ë Kosovës. Ai shtoi se gjatë kësaj jave po vazhdojnë gërmimet në fshatin Shtavall në zonën e Senicës, në territorin e Serbisë në kufi me Bosnjën, derisa thotë se janë më se të sigurt që në këtë hapësirë vazhdon të ketë një varrezë masive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat